Kosova sot feston 15 vjetorin e pavarësisë e cila u shpall më 17 shkurt 2008.
Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar mëngjesin e sotëm një fotografi nga ceremonia e ngritjes solemne të flamurit të Republikës së Kosovës për 15 vjetorin e pavarësisë.
Sipër fotografisë, Osmani ka shkruar “Republika e Kosovës është e përjetshme”.
Në këtë ceremoni, përveç krerëve shtetëror, mori pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. / KultPlus.com
Si sot, më 17 shkurt 2008 është Shpallur Pavarësia e Kosovës. Ky ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm lotësh e gjaku për popullin kosovar.
Për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, shqiptarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga ushtria e Millosheviçit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar.
Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe qeveria. Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.
Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008.
Sfida më e afërt për shtetin e ri është heqja e vizave, por kryesorja mbetet aspirata për hyrjen në NATO dhe integrimin në BE. / KultPlus.com