Parku Kombëtar i Llogorasë, rreth 40 km në juglindje të Vlorës, vijon të tërheqë turistë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Edi Breshani tha sot për ATSH-në “ky park, i cili sot shënon edhe 57-vjetorin e shpalljes ‘zonë e mbrojtur’ është vizituar nga 163 503 turistë, nga të cilët 99 779 vendas dhe 63 724 të huaj”.
Sipas tij, turistët përveç shtigjeve që ndodhen në këtë park, vizitojnë edhe qendrën e vizitorëve të parkut kombëtar Llogora, ku njihen me historinë e këtij parku.
Por, shtoi Breshani, parku tërheq edhe grupe botanistësh të huaj, të cilët njihen me vlerat natyrore të parkut dhe me shtigjet turistike, ndër të cilët përmendim shtegun e Qafës së Thellë, i cili përbëhet nga prezenca e lartë e llojeve endemike dhe subendemike.
“Gjatë ditës së sotme Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe AdZM Vlorë organizojnë një aktivitet në natyrë, ku pjesëmarrësit do të ndjekin shtegun natyror “Tisi Plakë”, ku do të provojnë së bashku metodën e identifikimit të moshës së drurëve pyjor, me qëllim katalogimin e të dhënave mbi jetëgjatësinë e pemëve të parkut”, tha Breshani.
Parku i Llogorasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh. Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare.
Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2018 metra mbi nivelin e detit. Në këtë territor shtrihen disa fshatra turistikë si Palasa, Dhërmiu, Vunoi etj, që gjatë stinës së verës janë të populluar nga turistët vendas e të huaj.
Ai është një pikë ideale edhe për ushtrimin e sporteve verore e dimërore, si ngjitje, ecje në natyrë, njohje me historinë dhe me monumentet e natyrës dhe të kulturës, por edhe për sporte ajrore, ku në shpatin e malit që shikon nga deti është përshtatur një pistë fluturimi për amatorët dhe profesionistët e fluturimeve me mjete të ndryshme sportive./atsh/KultPlus.com