Tropojë: 166 000 turistë gjatë 9 muajve, vizitorë nga e gjithë bota

Turizmi malor dhe atraksionet e veriut të Shqipërisë, vazhdojnë të mbeten një “pasaportë” atraksioni për vendasit dhe të huajt që vazhdojnë ta vizitojnë këtë zonë në çdo periudhë të vitit.

Aranit Imeraj, përfaqësuesi për mediet në bashkinë e Tropojës, i kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, pasqyroi të dhënat dhe shifrave për periudhën 9-mujore, janar-shtator 2024.

“Si rezultat i promovimit nga bashkia Tropojë, viti 2024 ka rezultuar i suksesshëm duke pasur një bum vizitorësh vendas dhe turistësh të huaj. Nisur nga këto shifra për periudhën 9-mujore janar-shtator 2024 në bashkinë Tropojë kanë hyrë 75,426 shtetas shqiptarë; 24,389 automjete; 49,147 shtetas kosovarë me 15,651 automjete; 41,660 shtetas të huaj me 10,592 automjete; gjithsej 166,233 vizitorë me 50,632 automjete”, tha Imeraj.

Sipas përqafuesit të kësaj bashkie, Tropoja vazhdon të mbetet një nga vendet më magjepsëse të natyrës dhe relievit shqiptar.

“Pozita gjeografike, klima, pasuritë e trashëgimisë kulturore, zonat e gjuetisë, fshatrat karakteristikë si dhe mikpritja tradicionale e banorëve të kësaj treve, ofrojnë turizëm malor cilësor. Vit pas viti interesi për zona të caktuara ka ardhur duke u rritur, ku përveç Parkut Kombëtar të Valbonës ka pasur interes edhe për zonën e lumit të Gashit, Currajn e Epërm dhe bjeshkët tona të mrekullueshme”, tha Imeraj.

Tropoja vitet e fundit po vizitohet nga mijëra turistë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit. Lugina e Valbonës, pjesë e Parkut Kombëtar Alpet e Shqipërisë, mbetet një prej destinacioneve më të preferuara nga turistët dhe të pasionuarit pas alpinizmit.

Kryeministri Rama, gjatë takimit me shqiptarët në Amerikë pak ditë më parë u shpreh se miniera më e çmuar e turizmit për Shqipërinë mbetet veriu i vendit, ndërsa siguroi se do të vijojnë investimet për ndërtimin e akseve rrugore. Kryeministri tha se Tropoja sot është bërë pjesë e hartës së destinacioneve turistike.

“Kur unë shkoja në Tropojë dhe thosha këtu turizmi do të jetë pika e kthesës më shikonin si komunist i pandreqshëm. Ja që Tropoja sot është bërë pjesë e hartës së destinacioneve turistike. Ne bëmë një sërë ndërhyrjesh dhe do të vazhdojmë të bëjmë një sërë ndërhyrjesh në atë zonë, ku kanë filluar edhe shumë investime private, sidomos në luginën e Valbonës deri lart në Lekbibaj, ku ka investime private”, tha Rama.

Sa i përket investimeve, tha Rama, “brenda pak javësh besoj ne do të publikojmë një program të ri për të gjitha zonat malore, pikërisht për emigrantët që vijnë nga ato zona, një program që quhet “Paketa e Maleve” dhe që do t’i japë të gjithë atyre që janë në emigracion dhe duan të investojnë kursimet e tyre në vendlindje për agroturizëm, për agropërpunim, për çfarëdo qoftë, një mundësi të re me shumë avantazhe të natyrës së taksave, të natyrës së detyrimeve dhe me mbështetje të drejtpërdrejtë nga qeveria”.

“Kështu që, ajo që unë i them të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Amerikë ose në Evropë, që kanë punën e tyre këtu, që kanë familjen e tyre këtu, që kanë vendosur të rrijnë këtu, nuk është kthehuni përgjithmonë, por është: Po të investoni kursimet tuaja në Shqipëri tek shtëpia e gjyshit, për ta kthyer atë në një agroturizëm, apo për të bërë agropërpunim, në fund të muajit do të fitoni më shumë nga shtëpia e gjyshit sesa nga ai që ju jep punë këtu dhe që ju paguan me një rrogë. Kështu flasin shifrat e të gjithë atyre që kanë filluar ta bëjnë këtë gjë”, tha Rama./atsh/ KultPlus.com