Filharmonia e Kosovës ka njoftuar se do të prezantojë koncertin e 17 shkurtit, i cili organizohet në kuadër të agjendës zyrtare të shënimit të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Me këtë rast Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të sjellin një program me vepra të kompozitorëve nga Kosova nën dirigjimin e Baki Jasharit.
“Koncerti do të nisë me veprën “Suita ilire” nga Mark Kaçinari (në 90-vjetorin e lindjes së kompozitorit) dhe do të përfshijë tri vepra premierë: “Fantazi për piano” nga Blond Krasniqi me solist Shkëlzen Baftiarin (piano), poema simfonike “Mizer – Reçak” nga Librun Jupolli dhe kantata “I miri i motrës” nga Korab Shaqiri me soliste Flaka Goranci (mexosoprano)”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë.
Gjithashtu, në këtë mbrëmje do të interpretohen “Dies Irae” (Messa da Requiem) nga Giuseppe Verdi dhe “Vendi im” nga Valton Beqiri, e kompozuar mbi temën e këngës “Mallëngjimi”.
Numri i ulëseve është i kufizuar, prandaj institucioni i Filharmonisë ka bërë ftesë që të rezervohen vendet.
Koncerti do të mbahet më 17 shkurt, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Dyert hapen në orën 19:30, ndërsa koncerti do të fillojë në orën 20:00. Pas fillimit të koncertit, dyert do të mbyllen për shkak të transmetimit direkt në Radio Televizionin e Kosovës./ KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj uroi sot Kosovën për 16 vjetorin e Pavarësisë duke theksuar se “sot është ditë e veçantë për të festuar. 17 shkurti shënon kurorëzimin e ëndrrave të popullit shqiptar, të Kosovës për liri dhe pavarësi”.
“Pavarësia e Republikës së Kosovës hapi një faqe të re në historinë e kombit shqiptar. Shqiptarët do t’u jenë gjithnjë mirënjohës miqve tanë Euro-Atlantikë që na ndihmuan dhe na mbështetën në realizimin e aspiratave shekullore. Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 shënoi kthesën vendimtare për popullin shqiptar dhe qytetarët e Kosovës”, theksoi Begaj.
Kreu i Shtetit u shpreh se “faleminderit atyre që iu ndodhën pranë kombit shqiptar dhe zgjodhën veprimin, jo indiferencën ndaj Kosovës. Kjo ditë është rast shumë i mirë për të nderuar e vlerësuar të gjithë ata që kontribuuan në pavarësinë e Kosovës, që nga Presidenti largpamës dhe i paqtë i saj, Rugova, deri te heronjtë e UÇK-së, e veçanërisht familja e Jasharëve, e cila është shndërruar në simbolin e luftës për çlirim”.
“Lindja e shtetit më të ri në Evropë ishte një sfidë, por vetëm në më pak se dy dekada, Kosova ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në ndërtimin e institucioneve dhe të një shoqërie demokratike dhe multietnike. Përmes përpjekjeve, arritjeve dhe shumë vështirësive Kosova ka sot një perspektivë zhvillimi dhe begatimi në horizont. Sot Kosova është histori suksesi në Ballkan në respektimin e të drejtave të njeriut, me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara”, nënvizoi Begaj.
Presidenti Begaj tha se Kosova, shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë.
“Jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të artë për të treguar se jemi të aftë të ndërtojmë shtete moderne sipas parimeve demokratike të mirëqeverisjes. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis dy shteteve tona janë natyrshëm strategjike, me rëndësi të patjetërsueshme dhe me një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën tonë të përbashkët Euro-Atlantike e të të gjithë rajonit”, theksoi Begaj.
Presidenti Begaj u shpreh se “bashkëpunimi duhet të theksohet në aspektin ekonomik dhe në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve tanë. Ekonomitë e vendeve tona duhet të jenë komplementare teksa shfrytëzojnë avantazhet krahasuese për të qenë më konkurrentë në rajon e më gjerë. Natyrisht, në kontekstin e një situate sigurie të përkeqësuar në botë, prioritet duhet të marrë bashkëpunimi në fushën e sigurisë”.
“Sulmi terrorist kundër policisë së Kosovës në Banjskë, i pak muajve më parë, tregon se sa e brishtë është paqja dhe siguria në rajon.Bashkëpunimi dhe koordinimi sa më i ngushtë me aleatët tanë strategjikë, SHBA-në dhe BE-në është thelbësor. Po me kaq rëndësi është edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë. I ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara, vazhdimi i dialogut është rruga e vetme drejt paqes, normalizimit të marrëdhënieve, si dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata rajonale dhe ndërkombëtare”, theksoi Begaj.
Begaj tha se “dëshiroj t’ju siguroj se Shqipëria do të vijojë e vendosur angazhimin për të mbështetur Kosovën. Ne do të vijojmë të punojmë për njohje të vazhdueshme ndërkombëtare dhe bashkërisht të promovojmë paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe të mbështesim aspiratat e popullit shqiptar për një të ardhme më të begatë”./atsh/KultPlus.com
Mbrëmë në Institutin Bulevard në Tiranë në kuadër të programit Lule Kosova, festa e 16-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, u performua live pjesa muzikore dhe poetike ‘Sonte i nderojmë veç ata që ndryshuan’ krijuar nga artistja Eljesa Beka dhe kuruar nga Rina Meta.
Përmes performances së saj muzikore, artistja Eljesa Beka iu referua momentit historik të pavarëisë së Kosovës si një mundësi për ta parë atë me sy të ri, për të krijuar një lidhje të re, intime dhe të sinqertë me të dhe për ti dhuruar një material personal poezisë, melodish, peizazhe tingullore, mesazhe zanore, dhembshuri dhe fragmente romancash të jetuara.
Duke komentuar në krijimin e pjesës muzikore që u prezentua si punë qendrore në perfromancën e Lule Kosovës, artistja Beka tha: ‘Krijimi i veprës që përformova sonte në Tiranë është homazh për të gjitha liritë dhe procesin e çlirimit të të gjithë njerëzve në Kosovë dhe kudo në botë. Në këtë pjesë përfshihen pjesë zanore të huazuara nga net të vona me shokë ose në vetmi, këmbana, zhurma ambientale, elemente të muzikës dhe flutave shqiptare si dhe poezi”.
“Përmes kësaj pjese muzikore dhe performance kam synuar të prezantoj një ritual zanor qe përfaqëson një cikël të dashurisë në humbje dhe rifitim të përhershëm duke krijuar kështu edhe një portret të një ambienti queer”
Performanca ‘Sonte i nderojmë veç ata që ndryshuan’, e merr titullin nga poezia ‘Good Grief’ e artistes Eljesa Beka dhe shënon të parën e një cikli ndërhyrjesh planifikuar të ndodhin në Prishtinë e Tiranë.
Lule Kosova është një program i Bulevard, i cili përkon me javën e Pavarësisë së Kosovës, ku artistë kuratorë, dhe botues, ftohen për të kremtuar të përbashkëtat dhe lirinë dhe format e ndryshme të shprehjes së dashurisë, mendimeve dhe gjuhës. Përmes programeve vjetore që trajtojnë tema të pavarësisë, ‘Lule Kosova’ synon të ndërtojë lidhje të qëndrueshme midis institucioneve, profesionistëve të kulturës dhe artistëve nga Kosova e Shqipëria./KultPlus.com
Kryeqyteti me kënaqësi njofton për koncertin e Morcheeba Band, me rastin e 15 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, përcjell KultPlus.
Sipas Komunës së Prishtinës, koncerti do të mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, duke filluar nga ora 20:00.
“Bëhuni gati për të vallëzuar nën ritmin e shkrirjes unike të trip-hop, down-tempo dhe muzikës botërore të Morcheeba, derisa ata performojnë hitet e tyre ikonike.
Para performancës së Morcheeba në skenë, warm-up artistët La Fazani dhe Shpat Deda do të na zbukurojnë natën me performancat e tyre elektrizuese, të shoqëruar nga grupet e tyre të talentuara. Këta artistë do të na argëtojnë dhe do të sigurohen që publiku të jetë në frymën e duhur për të shijuar plotësisht performancën kryesore.
Pasi Morcheeba të ketë mbaruar performancën, festa do të vazhdojë me DJ ADRIAN, i cili do t’na sjellë hitet më të fundit. Ky koncert premton të jetë një eksperiencë e paharrueshme që nuk do të donit ta humbisnit”, thuhet në njoftim.
Më 17 shkurt, Kosova do të festojë 14 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, e tani veçse kanë filluar edhe përgatitjet për të shënuar këtë festë, shkruan KultPlus.
Si çdo vit, edhe kësaj radhe janë paraparë disa aktivitete shtetërore, e madje është publikuar edhe agjenda shtetërore.
Zyra e Kryeministrit njofton se aktivitetet për 14 vjetorin e Pavarësisë do të fillojnë nga ora 08:00 me ngritjen e flamurit në oborrin e Qeverisë së Kosovës.
Me kurora lulesh do të viziohet kompleksi “Adem Jashari” në Prekaz, derisa i njejti aktivitet do të ndodhë edhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi, konkretisht nga ora 09:10-09:30.
Kurse në orën 11:00 do të nis seanca solemne e Kuvendit të Kosovës. Për shënimin e këtij përvjetori do të parakalojë edhe FSK-ja dhe Policia e Kosovës nga ora 12:00 deri në ora 13:00.
Aktivitetet për shënimin e 14 vjetorit të pavarësisë do të mbyllen në orën 20:00 me një koncert që do të mbahen të Kino Armata në Prishtinë.
Që nga data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pra, si shtet i pavarur dhe sovran, deri tani 117 shtete kanë njohur vendin më të ri në kontinentin e vjetër. /KultPlus.com
Sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Presidentja Vjosa Osmani ka ndarëurimin e Presidentit Joe Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës, përcjell KultPlus.
Presidenti Biden në këtë urim, duartroket punën dhe përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa kërkon që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Po ashtu, ai në urimin e tij ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë, të cilën familja Biden e ka me vendin tonë.
“Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka thënë Osmani.
KultPlus ua sjell postimin e saj të plotë:
Jam e lumtur ta ndaj me ju urimin e Presidentit Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës.
Presidenti Biden në këtë urim, duartroket punën dhe përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa kërkon që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Sipas tij, në Samitin për Demokraci, Kosova ka dëshmuar se është e gatshme ta ndajë përvojën me shtete të tjera, ndaj thekson se gjatë këtij viti Kosova vazhdimisht ka treguar lidership në arenën ndërkombëtare. Në urimin e tij, Presidenti Biden ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë, të cilën familja Biden e ka me vendin tonë.
Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovës me ShBA-të! / KultPlus.com
Kuvendi i Kosovës u themelua më 10 dhjetor si institucioni më i lartë ligjvënës dhe përfaqësues i vendit, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se gjatë këtyre dy dekadave institucioni ligjvënës ka kaluar nëpër sfida të shumta, por edhe ka marrë vendime jetike.
“Duke e vënë transparencën ndër prioritetet kryesore në veprimtarinë ditore të tij, Kuvendi ka konsoliduar raporte të ngushta partneriteti me shoqërinë civile dhe u ka dhënë mediave gjithë hapësirën e nevojshme, bazuar në standardet ndërkombëtare për hapje dhe transparencë”, shkruan mes tjerash Konjufca.
Kosova ka arritur që përmes këtij Kuvendi ta jetësoi aspiratën e popullit të Kosovës dhe më 17 shkurt 2008 të miratojë simbolet shtetërore dhe të shpallë pavarësinë e saj. /KultPlus.com
Rita Ora është njëra ndër këngëtaret që përmes artit të saj përherë promovon vlera kulturore dhe tradicionale të vendit të saj, shkruan KultPlus.
Këtë e bëri edhe në këtë përvjetor të Pavarësisë së Kosovës, teksa shpërndau fotografi të mrekullueshme nga veshja e saj në videoklipin e këngës ‘Bang’.
Nën veshje kombëtare dhe me një tekst të shkruar edhe në gjuhën shqipe, Ora ia uron Pavarësinë vendit prej ku ka prejardhjen, Kosovës.
Ora ktheu sytë e artdashësve të saj nga mbarë bota në kulturën shqiptare së fundmi me këngën, teksa këtë e bëri edhe më parë nëpërmjet performancave tjera muzikore. / KultPlus.com
Agjenda shtetërore e aktiviteteve për Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Qeveria në largim e Kosovës ka bërë publike agjendën për ditën e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt.
Gjatë kësaj dite do të ngrihet flamuri shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK’së, do të bëhen homaxhe të varri i ish-presidentit Rugova e në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.
Njoftimi i plotë i Qeverisë:
17 Shkurt 2021
08:00
Ngritja Flamurit shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së
(Të pranishëm u.d. Presidentja Osmani, Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti dhe KOMFSK)
Vendi: Oborri i ZKM-së
09:00
Homazhe te varri i Presidentit Rugova
(Vendosje kurorash me lule nga liderët shtetëror)
Vendi: Velani – Prishtinë
10:00
Homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz
(Vendosje kurorash me lule nga liderët shtetëror)
Vendi: Prekaz – Skenderaj
10:00
Homazhe tek varrezat e dëshmorëve nëpër komunat e Kosovës
(Vetëm për autoritet komunale : Vendosje buqetash me lule nga autoritetet komunale )
12:00
Manifestimi qendror në Forcën e Sigurisë së Kosovës
(Pjesëmarrja e u.d. Presidentes së Republikës së Kosovës, SH.S.ZNJ. Vjosa Osmani dhe Kryeministrit në Detyrë Sh.T.Z. Avdullah Hoti)
Vendi: Kazerma “Adem Jashari”-Prishtinë
13:00
Ekspozita “ Jeta dhe vepra e Sali Çekut”
Vendi: Muzeu Kombëtar i Kosovës
14:00
Ndarja e çmimeve vjetore për letërsi
Vendi: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
18:00
Pritja shtetërore për 13 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
(Pritje organizohet nën Patronatin e u.d. Presidentes së Kosovës, SH.S. Vjosa Osmani)
Vendi: Golden Imperial – Veternik , Prishtine
20:00
Koncerti recital i këngëtarit Ilir Shaqirit
Vendi: Klan Kosova – Prishtine
( Nën Patronatin e Kryeministrit të Kosovës Z.Avdullah Hoti )
Agjenda e aktiviteteve në komunat e Republikës së Kosovës:
Të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës, udhëzohen që në orën e parë të mësimit, në datën 16 shkurt 2021, të diskutojnë për 17 shkurtin 2008, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, udhëzohen që të stolisin rrugët dhe sheshet kryesore të qyteteve me flamurin e Republikës së Kosovës.
Agjenda e aktiviteteve kulturore dhe sportive
15 Shkurt 2021
Shfaqja e filmit
17:00-19:00 ‘Nëntor i Ftohtë’ nga Ismet Sijarina
Vendi : Kino ABC
16 Shkurt 2021
11:00 Ekspozitë e fotografisë së reporterit Asllan Krasniqi
Vendi: Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani“- Prishtinë
12:00 Loja e veteranëve të futbollit Kosovë-Shqipëri
Vendi: Stadiumi Fadil Vokrri – Prishtinë
17:00 Koncerti festiv i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Shota”
Vendi: Teatri Kombëtar i Kosovës – Prishtinë
17:00-19:00
Shfaqja e filmit ‘Babai’ nga Visar Morina
Vendi : Kino ABC
19:00
Koncert festiv i Filarmonisë së Kosovës
Vendi: Salla e kuqe “Pallati i rinisë dhe sporteve” – Prishtinë
17 Shkurt 2021
10:00
Gara e Pavarësisë- Federata e Gjimnastikës
Vendi: Prishtinë
10:00
Turniri i Pavarësisë-Federata e Mundjes Vendi: Hani i Elezit
10:00 Turniri i Pavarësisë- Federata e Ping-PongutVendi: Prishtinë
11:00 Vrapimi i Pavarësisë- Federata Atletike
Vendi: Viti
17:00-19:00
Shfaqja e filmit ‘Zana’ nga Antoneta Kastrati
Vendi: Kino ABC
19:00 Premierë e Teatrit Kombëtar të Kosovës, shfaqja “Pamje revolucioni”, regjia Kaltërim BalajVendi: Teatri Kombëtar i Kosovës – Prishtinë
18 shkurt 2021
19:00 Shfaqja e Baletit Kombëtar të Kosovës “Exil”Vendi: Teatri Kombëtar i Kosovës – Prishtinë. / KultPlus.com