Në nderë të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është bërë pritja shtetërore nga krerët më të lartë të institucioneve të vendit.
Në fjalën e saj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se 16 vjet më parë, Kosova hodhi një hap historik drejt forcimit të lirisë së saj dhe duke e hapur një kapitull të ri, që u kurorëzua me shpalljen e Kosovës Republikë.
“17 shkurti do të mbahet mend përherë si një pikë kthese historike dhe një kapitull gëzimi në historinë moderne të vendit tonë, por është po ashtu një përkujtim i çdo vitshëm i barrës së lartë të përgjegjësisë që peshon mbi supet tona. Një përgjegjësi për ta ndërtuar dhe kultivuar një shtet, bazuar në parimet e lirisë, demokracisë dhe drejtësisë”.
“Rrugëtimi ynë gjer më sot ishte shumëçka por assesi i lehtë. Rezistenca paqësore ndër vite e udhëhequr nga arkitekti i shtetit tonë, presidenti historik Ibrahim Rugova, e pasuar nga rezistenca e armatosur nga kryekomandanti Adem Jashari me familje dhe UÇK-ja është rrjedhojë e rezistencës së trashëguar ndër breza por edhe e vetëdijes së lartë se çmimi i lirisë është më i shtrenjtë por edhe më i çmuari”, tha Osmani.
Më tej, e para e shtetit tha se Kosova është krenare që në rrugëtimin e saj për shtet të pavarur, pati mbështetjen e vazhdueshme të aleatëve të saj ndërkombëtarë, e veçanërisht të ShBA-ve dhe shteteve të Evropës.
“Ashtu si në ditët tona më të errëta, ata qëndruan pranë nesh edhe në rrugëtimin me sfida plot të shtetndërtimit. Suksesi i Kosovës është edhe sukses i partnerëve dhe aleatëve tanë, andaj gjersa ecim përpara me vizion të qartë për të ardhmen euro-atlantike, aleancat mbeten kyçe, partneritetet thellësisht të rëndësishme e bashkëpunimi është çelësi që na sjell më afër së ardhmes më të denjë e më premtuese”.
“Faleminderit ShBA-ve, faleminderit NATO dhe faleminderit të gjitha shteteve mike, të cilat më 1999 ishin në anën tonë, në anën e drejtë të historisë, duke na mbrojtur nga shfarosja nga regjimi gjeoncidal i Serbisë. Po aq sa ishin të rëndësishëm aleatët kur ne përmbushëm ëndrrën tonë për liri e shtet, po kaq të rëndësishëm janë edhe sot gjersa angazhohemi e punojmë fort për ta mbrojtur lirinë tonë, shtetin tonë dhe të ardhmen tonë”, tha tutje Osmani.
Tutje, Osmani tha Kosova është e denjë dhe e meriton vendin e saj në gjirin e familjes euroatlantike dhe sipas saj, gjersa jo çdo herë mund të shihet qartë, çdo ditë është një hap më afër së bëri këtë ëndërr të kamotshme të popullit të Kosovës një realitet.
“Teksa synimin e kemi që lirinë ta mbrojmë me çdo kusht, që shtetin ta bëjmë edhe më të fuqishëm e të integruar në strukturat euroatlantike, le ta bëjmë këtë me përkushtim të pashoq e krah për krah me miqtë dhe aleatët tanë. Kosova është mbi të gjitha”, tha Osmani. /KultPlus.com