Në tetor të vitit 1930, Ahmet Zogu zgjodhi ta mbajë ndryshe fjalimin e tij vjetor në parlament. Në mesazhin mbretëror drejtuar parlamentit, ai paralajmëronte se një krizë e thellë ekonomike e financiare do ta prekte Shqipërinë. Ky fjalim mbahej në kushtet kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte ndodhur ajo që njihej si ‘Rënia e Wall Street’ që solli më vonë, krizën globale që njihet edhe si “Depresioni i Madh”.
Por, ndryshe nga liderët e vendeve të tjera, Zogu në fjalimin e tij, paralajmëronte edhe një ‘krizë brenda krizës’ e që lidhej me ndryshimet klimatike. Parashikimi në mesazhin mbretëror të vitit 1930, do të rezultonte i saktë dhe Shqipëria do të përballej, jo vetëm me pasojat e krizës globale, por edhe me dy vite stinë pa reshje, çka do të sillte probleme me prodhimin bujqësor, e sidomos me prodhimin e misrit, që përbënte edhe bazën ushqimore të popullatës.
Në këtë mënyrë, Shqipëria do të përfshihej në një krizë buke.
Kjo periudhë njihet si krizë mbiprodhimi në shumë vende; pra jo inflacion por deflacion. Produktet bujqësore e industriale u zhvlerësuan në këtë kohë, duke ndikuar direkt në tregtinë e jashtme që u ul ndjeshëm dhe progresivisht në periudhën 1930-1934.
Por duke qenë se në vitet 1929 dhe 1930 u mor një prodhim i pakët misri dhe nga ana tjetër as qeveria nuk kishte planifikuar ende importin e tij për të kompensuar mungesën në tregun vendas, shumë tregtarë që kishin grumbulluar pjesën më të madhe të prodhimit të misrit në treg, e rritën menjëherë çmimin e tij, duke bërë që për këtë produkt të kishte një dalje ‘kundra rrymës’ .
Qeveria u detyrua që në muajt gusht e shtator të vitit 1931 që të importonte misër, por kjo nuk e zgjidhi problematikën edhe për faktin se në këtë periudhë mungonin paratë.
Kartelet e miellit në Shqipërinë e 1932
Përtej mungesës së prodhimit vendas, industria e blojës u prek ndjeshëm nga kriza që shkaktonte diferenca e çmimit mes produktit vendas dhe atij që vinte nga importi. Mielli që vinte nga importi ishte më i lirë.
Tentativa e qeverisë për të forcuar prodhimin vendas përmes vendosjes së një takse mbi importin e drithërave dha efekt të kundërt.
E pas kapërcimit të sfidës që krijoi fillimisht kriza e prodhimit vendas, kompanitë u përfshinë nga një krizë tjetër, ajo e konkurrencës që vinte nga mbiprodhimi i jashtëm. Shumë fabrika dhe mullinj u detyruan që të mbylleshin ose të punonin me ndërprerje duke rënduar edhe më tepër situatën e furnizimit të popullatës me bukë.
Në këto kushte, shumë pronarë fabrikash mielli u bashkua duke krijuar kartele, por që zgjatën pak në kohë. Ashtu si kompanitë e alkoolit në 1930, kompanitë e prodhimit të miellit u bashkuan në vitin 1932 në dy kartele. /Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN / KultPlus.com