Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se në 7 qershor 1954, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi dekretin për shtetësinë shqiptare.
Nevoja për një ligj të ri mbi shtetësinë argumentohej me “përmbajtjen antiparimore” të ligjit në fuqi asokohe, i cili qe një huazim i modelit jugosllav. Po ashtu, në relacionin e Këshillit të Ministrave, arsyetohej se ligji ishte “tepër i ngarkuar”, ndaj lypsej thjeshtimi i tij. Sipas dekretit, shtetas shqiptarë ishin:
- Të gjithë ata që kanë qenë shtetas shqiptar më datën 29-11-1944 dhe nuk e kanë humbur në vazhdim;
- Fëmijët e lindur nga prindër që janë që të dy shtetas shqiptarë.
Të huajve, pavarësisht nga kombësia dhe raca e tyre, mund t’u jepej shtetësia shqiptare me kërkesën e tyre, me dekret të Presidiumit. Autorizimi i Presidiumit ishte i nevojshëm edhe për rastin e lënies së shtetësisë./atsh/KultPlus.com