“Moj e mira te pojata” (VIDEO)

Rok grupi kosovar MAK u formua në vitin 1973 dhe si grup ka funksionuar deri në vitin 1978.

Gjashtë anëtarët e këtij grupi ishin Haki Misini, Mehmet Tupella, Rexhep Ismajli-Bulli, Halil Bajraktari, Sedat Isufi dhe Xhevdet Gashi. Grupi “MAK”, konsiderohet pionier i rok muzikës kosovare dhe ka merita të mëdha për popullarizimin e rok muzikës në vend.
Haki Misini, është i vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë dhe Mehmet Tupella konsiderohet ende i zhdukur.

KultPlus, sot po e sjellë këngën “Moj e mira te pojata”, një ndër këngët më të famshme të këtij grupi që kanë lënë gjurmë të thella në muzikën shqiptare.

Moj e mira te pojata

Moj e mira o, te pojata, hije te paskan flokt e gjata
Hije t’paskan o, flokt e gjata, shkurtoj pak e tu preft nafaka
Syri yt vasho si filxhani, vetllat t’holla eh sikur gajtani
Shtati yt vasho si selvie, goja jote o si kutie
(Uh dala t’plastë)

Shumë o djal jam bo merakë zëmra don me m’plasë në bark
Smut jam kanë o qe sa javë nuk je ardhë me m’pa
Te kishe ardhë o dej te arra ish qu dada t’kish dal para
Po s’je ardhë o me m’pa mu prandaj mo s’të du

A s’ma falë vash syrin e zi e, ta run baca si synin e tij e
A s’ma falë vash gojën ni herë e, ta shijoj vetëm ty arblere

Uh djal i dadës
Djalë kam ra në krahror tan, shejë në faqe mos me m’lanë,
Shejë në faqe mos me m’lanë, nana më qorton
Dalim në bashqe me shetit, trëndofilet me i ujit
Du me m’than vetëm një fjalë, se të dua djalë…/ KultPlus.com

Dokumentar i vitit 1973, që shpalos jetën e punëtorëve shqiptarë në Zvicër (VIDEO)

Një video interesante nga arkivi i transmetuesit publik të Zvicrës, SRF i kushtohet punëtorëve shqiptarë nga Kosova, të cilët punonin në Zvicër në vitet `70 të shekullit të kaluar.

Protagonist i këtij dokumentari simpatik nga viti 1973 është Isak Bytyqi, i lindur në vitin 1923, punëtor ndërtimi. Edhe dokumentari fillon me prezantimin e tij: “Unë, Isak Bytyqi…”.

Ai rrëfen për punën në Zvicër, për gjendjen e tij familjare, kushtet që e kanë shtyrë të vinte për të punuar në Zvicër, etj.

Bytyqi thotë se edhe në vendlindje ka punuar në ndërtim por në Zvicër mund të fitohet më shumë, prandaj ka ardhur këtu. Me paratë e fituara nga puna në ndërtim, ai mban familjen në Kosovë, shkollon familjen.

Në Bruttisellen (ZH) ku ai punon, jeton në baraka të punëtorëve. “Gjermanishten nuk e kam mësuar. Këtu, në barak pothuaj të gjithë flasim shqip”, thotë Isaku.

Kamerat e SRF kanë marrë kuadro nga jeta modeste në barakat e punëtorëve, nga puna në ndërtim e Isakut dhe të tjerëve.

Isak Bytyqi planifikonte që të punonte edhe 2-3 vite, sa të ndërtonte një shtëpi në vendlindje dhe të blinte dele e gjedhe. Pastaj do të kthehej…

Nëse është kthyer vërtet atëherë dhe i ka realizuar planet e atëhershme, nuk mund ta dimë.

Bashkëbisedimi me protagonistin Bytyqi është realizuar në gjuhën serbe. /albinfo/ KultPlus.com

https://www.facebook.com/vipaklips/videos/2623407864640565/