Në kuadër të aktiviteteve të organizuara në Ferizaj për nder të 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, do të promovohet edhe libri “1981 (vidhe këtë libër)” i Agron Shalës, botuar nga Klubi letrar “De Rada”, që është edhe organizator i këtij aktiviteti promovues.
Ky libër, i katërti me radhë i autorit Agron Shala, me titull intrigues dhe dinamikë rrëfimi që të rrëmben, është një vështrim analitik mbi ngjarjet dhe dukuritë që i kanë dhënë vulën një epoke të historisë kombëtare. Megjithatë, ky udhëkryq historik për autorin shërben vetëm si pikënisje e odisejadës që përshkon shekuj dhe periudha të historisë kombëtare dhe të asaj botërore. Në metodën e tij të veçantë, deduktive për nga natyra, autori ngërthen një varg mënyrash të njohjes së botës, duke nisur nga përjetimi dhe përvoja personale, sjellja e fakteve historike, vlerësimet e mendimet e personaliteteve të shquara të përbotshme mbi ngjarje të caktuara, për të arritur deri tek e sotmja.
Është me rëndësi të theksohet fakti që libri është vlerësuar lart nga publicistë, gazetarë, krijues e studiues nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, si: Lekë Tasi, Dushi Gashi, Daut Dauti (redaktor i librit), Bajram Mjeku, Durim Taçi, Ahmet Selmani, Zyrafete Shala, Salajdin Salihu, Beqir Pushkolli, Agron Halitaj, Arsim Hamiti, Gazmend Bytyçi, Agron Islami mendimet e të cilëve janë përmbledhur në kapitullin e fundit të librit.
Promovimi i librit do të bëhet në Galerinë e Arteve në Ferizaj, të mërkurën më 15 shkurt në ora 16:00. / KultPlus.com