Mbi 200 këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullorë për tri mbrëmje me radhë e kthyen Kotën në një sofër të madhe të folklorit e këngës tradicionale labe, ku u zhvillua Festivali Folklorik i Bashkisë Selenicë 2024.
22 grupe polifonike u ngjitën në të tri netët e edicionit të dytë të Festivalit Folklorik të Bashkisë Selenicë.
“Si asnjëherë më parë të bërë bashkë kaq shumë këngëtarë të këngës labe, të gjithë bashkë shënuan ngjarjen më të madhe kulturore të zonës duke përcjellë mesazhe të forta të ruajtjes dhe përcjelljes me plot dashuri të trashëgimisë shpirtërore si një nga pasuritë më të mëdha të kulturës jo materiale të zonës” shkroi Bashkia Selenicë në faqen e saj online.
Bashkia falenderoi të gjitha grupet pjesëmarrëse ( konkurues e të ftuar) të cilët me performancat e tyre treguan seriozitet në përgatitje por edhe vlera të qenësishme në këngët e interpretuara. Gjithashtu vlerësoi edhe artëdashësit e zonës, banorët e Kotës sidomos, të cilët për tri mbrëmje ndoqën me shumë kërshëri festivalin duke e kthyer qendrën e Kotës në një mjedis të vërtetë festiv.
Në realizimin me sukses të aktivitetit ndihmuan Qarku Vlorë, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore si dhe Regione Pulia, Itali.
Juria e festivalit e përbërë nga prof. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”, Kristo Çipa, ” Mjeshtër i Madh” dhe Bexhet Mahmuti, këngëtar i shquar i Qarkut Vlorë, ndau këto çmime:
- Çmimi i Parë – Grupi Polifonik i Sevasterit
- Çmimi i Dytë – Grupi Polifonik i Lubonjës
- Çmimi i Tretë – Grupi “10 Shqiponjat e Tërbaçit”
- Çmimi i Tretë – Grupi i Vllahëve , Selenicë/ atsh/ KultPlus.com