200-vjetori i vdekjes së Lord Bajronit, ASHSH konferencë shkencore: Bajronizmi në botën shqiptare

Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të organizojë në fund të muajit qershor 2024 një konferencë shkencore me temë: Bajronizmi në botën shqiptare.

ASHSH fton të githë të interesuarit të marrin pjesë me punime në konferencën shkencore ndërkombëtare në 200-vjetorin e ikjes nga jeta të poetit romantik G. G. Byron – Lord Bajronit – autor i poemës së mirënjohur “Child Harold Pilgrims” – “Udhëtimet e djaloshit Harold”, një pjesë e së cilës u kushtohet shqiptarëve të shek. XVIII-XIX, kapedanëve arvanitë e suliotë të revolucionit kombëtar grek; bëmave të Ali Pashë Tepelenës, kryerebelit ballkanas ndaj sulltanit perandor e khalif; besnikërisë dhe virtyteve shqiptare “të pacenuara nga qytetërimi industrial”.

Më poshtë jepet e plotë thirrja për pjesëmarrje e bërë nga ASHSH:

Drejtuar studiuesve të letërsisë (specifikisht të ardhjes së romantizmit në botën shqiptare); të historisë kombëtare (me vështrim të posaçëm në burimet e shkruara e të dorëshkruara të udhëpërshkruesve romantikë europianë, të konsujve dhe misionarëve të tjerë); të antropologjisë; të lidhjeve shqiptaro-europiane në letërsi e kulturë; të rolit të romantikëve europianë për promovimin e identitetit shqiptar në Perëndim.

Kjo thirrje u drejtohet posaçërisht studiuesve të këtyre fushave në departamentet e letërsisë, gjuhës, etnologjisë dhe historisë në universitetet publike e jopublike në Shqipëri, në botën arbëreshe (ku romantizmi u shfaq për herë të parë); në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut; në qendrat e albanologjisë në Europë.

Ju ftojmë për pjesëmarrje me një kontribut tuajin në këtë konferencë, që organizohet nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me mbështetjen e ASHAK-ut, në bashkëpunim me institutet e albanologjisë dhe institucionet e kërkimit shkencor në trojet shqipfolëse dhe qendrat albanologjike.

Kjo konferencë, që merr shkas nga 200-vjetori i ndarjes nga jeta të G. Byron-it, është parashikuar të mbahet në fund të muajit qershor 2024 dhe do të ketë si linjë themelore çështje të “biografisë shqiptare” të Byron-it (jetës së tij në mjedisin shqiptar) dhe bashkëlidhur me të:

– Receptimin e veprave të tij në disa gjuhë e kultura të Europës;

– Vendin e shqiptarëve në një nga poemat më të njohura të tij;

– Bajronizmin si prirje dhe dukuri, konceptuar si një nga dukuritë më të hershme të mitit të traditës dhe dukurinë e osianizmit;

– Njohjen e veprave të Byron-it në variante të shqipëruara e të përfshira në studimet mbi letërsinë e huaj të përkthyer në gjuhën shqipe;

– Trajtimin e veprave që kanë pasur shtysë nga vepra e këtij autori anglez (nga letërsia arbëreshe deri tek “Alipashiada” e Shehretit të Delvinës);

– Vendin e Shqipërisë në rrëfimet e peregrinëve, udhëpërshkruesve të huaj, të konsujve dhe misionarëve të huaj në shekujt që lidhen me romantizmin si dukuri.

Në konferencë do të trajtohen edhe:

– Çështje të periudhës më të hershme të romantizmit (pararilindja arbëreshe);

– Të fillimeve të idesë së shqiptarësisë (“l’albanesità”);

– Të utopisë kombëtare të Rilindjes;

– Të lidhjeve të poetëve romantikë shqiptarë me më të shquarit e kohës në Europë (Jetonim De Rada dhe Alphonse de Lamartine, Victor Hugo, Frédéric Mistral); të qasjes romantike europiane në letërsi e dije ndaj protagonistëve të atij shekulli në hapësirën shqiptare (Victor Hugo, A. Dumas);

– Të urave të hershme mbiadriatike ndërmjet shqiptarëve dhe arbëreshëve.

Ka vend për kumtime rreth vëmendjes europiane për shqiptarët për shkak të ekzotikës dhe të kultit të Orientit (“Lux ex Orientae”); rreth fillimeve të romantizmit gjuhësor si paraprirës i romantizmit kombëtar; rreth ndikimit të receptimit të parë të vlerave etnodalluese shqiptare (besa, nderi, mikpritja) në përfytyrimin e mëvonshëm të tyre përgjatë dy shekujve.

Mirëpresim propozimin tuaj për pjesëmarrje me kumtim bashkë me një abstrakt sintetik prej 300 fjalësh deri në datat 22-23 maj 2024.

Tema e propozuar bashkë me abstraktin përkatës do të dërgohet në adresat elektronike:

[email protected][email protected]/atsh/KultPlus.com

200 vjet më parë u vra Ali Pashë Tepelena

Sot bëhen 200 vjet që nga vrasja e sunduesit dhe feudalit më të fuqishëm të Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, Ali Pashë Tepelena.

I njohur si “Luani i Janinës”, Ali Pashë Tepelena, në historiografinë shqiptare njihet si themelues i Pashallëkut autonom të Janinës, si dhe si një kryengritës kundër pushtimit osman.

“Luani i Janinës”, kishte lindur rreth viteve 1740-1750 në Tepelenën e Labërisë dhe kishte vdekur më 24 Janar 1822, duke mbrojtur trojet shqiptare të Epirit nga forcat osmane. Ali Pasha më 1784 kishte gradën e Pashait, si komandant ushtarak pranë Valiut të Rumelisë në Sofje. Po këtë vit ai kishte siguruar me luftë qeverisjen e sanxhakut të Delvinës.

Në vitet 1786-88 ishte bërë derbendpashë dhe qeveritar i Sanxhakut të Tërhallës (Thesali) dhe shtiu në dorë, sidomos me përkrahjen e borgjezisë zejtare-tregtare të vendit, qeverisjen e sanxhakut të rëndësishëm të Janinës, duke shtrirë kështu pushtetin e vet mbi Epirin dhe një pjesë të trojeve jugore shqiptare. Rreth 1787, ishte i thirrur në Kostandinopojë Tepelenë Dervenci Ali-Pasha për gjithë e Thesalisë.

Si pronar i madh tokash, sipërmarrës i taksave shtetërore, si pjesëmarrës aktiv në veprimtari tregtare dhe duke mbrojtur interesat e çifligarëve të rinj po dhe të borgjezisë tregtare, të cilën e bëri për vete me një politikë tolerance të gjere fetare, Ali Pashë Tepelena i kishte mënjanuar përkrahësit e pushtetit qendror osman dhe “tiranët e vegjël” si shkaktarë të anarkisë feudale në vend.

Ai i shndërroi kështu trevat e përfshira nën sundimin e tij në një formacion shtetëror autonom, që dallonte nga viset e tjera të perandorisë për nga rregulli, qetësia dhe zhvillimi ekonomik e kulturor. Janina u bë një qytet nga më të rëndësishmit dhe më të begatë në viset Perëndimore të Ballkanit, qendër e tregut ndërkrahinor të Rumelisë Jugore, qe përfshinte edhe një varg krahinash të Shqipërisë, një vatër arsimore dhe kulturore ku filloi të përdorej si gjuhë shkrimi dhe shqipja.

Në vitet 1798-1812, duke nënshtruar me luftë qeveritarët rivalë të sanxhaqeve fqinjë si dhe krahinat e vetëqeverisura të Sulit, Himarës, etj. dhe duke shfrytëzuar situatën e vështirë të Perandorisë Osmane në periudhën e luftërave të Napoleon Bonapartit, Ali Pashë Tepelena arriti të zgjeronte e përforconte pushtetin e vet, duke përfshirë trevat që nga gjiri i Prevezës deri afërsisht në lumin Shkumbin. Pashallëku i Janinës ishte bërë një faktor me rëndësi ndërkombëtare në kushtet kur forcat franceze që ishin vendosur në Ishujt Jonianë si dhe Anglia, drejtuan vëmendjen e tyre ndaj sundimtarit të fuqishëm shqiptar dhe krijuan lidhje direkte diplomatike me të, duke kapërcyer Portën.

Ali Pashë Tepelena ishte bërë kështu një sundimtar faktikisht i pavarur, por gjithmonë i kujdesshëm, për të mos krijuar konflikte të parakohshme me pushtetin qendror osman, duke pritur një moment të volitshëm për t’u shkëputur prej këtij. Në vitet 1820 – 1822, Ali Pashë Tepelena kishte filluar luftën për mbrojtjen e vendit nga sulmi i forcave të Perandorisë Osmane dhe me këtë filloi faza më e lartë e veprimtarisë së, sundimtarit shqiptar për të shkëputur zotërimet e veta nga vartësia e Perandorisë.

Ali Pashë Tepelena i kishte bërë ballë rrethimit për një vit e gjysmë dhe bëri një qëndresë këmbëngulëse, deri sa i ngujuar në kalanë e ishullit të Liqenit të Janinës, u vra nga ushtria osmane. Turqit i prenë kokën, e dërguan në Stamboll dhe e ekspozuan në kamaren e Portës së Lartë. / KultPlus.com