Fluks i lartë prurjesh për konkursin e Çmimit Kadare 2025: 22 konkurrentë deri më 5 janar

Konkursi për Çmimin Kadare mirëpret vepra nga letërsia artistike ku përfshihen tregime, novela, skica, romane e dramaturgji. Aplikimet mbyllen në fund të javës së dytë të muajit janar 2025.

Edicioni i njëmbëdhjetë i Çmimit Letrar Kadare ka regjistruar që në nisje prurje të lartë aplikimesh. Dy javë pas çeljes së konkursit kanë mbërritur në adresën e emalit 22 autorë me sinopset e veprave të tyre. Spikatin kryesisht romanet e tregimet, por nuk mungojnë novelat dhe dramat.

Tradita e krijuar në dekadën e parë të jetës së këtij çmimi manifestohet qartë nga aplikimet mjaft interesantë të këtij edicioni. Mes konkurrentëve të deritanishëm ka emra të njohur të letërsisë; ka emra të rinj që vijnë me sprovat e para; ka një numër të lartë autoresh gra; vihet re, gjithashtu, një numër në rritje i shkrimtarëve nga Kosova.

Edicioni i 11-të i Çmimit Kadare vjen me një risi sa i takon jurisë që do të vlerësojë dhe përzgjedhë veprën e autorin fitues: ajo do të përbehet nga tre autorë fitues të Çmimit Kadare ndër vite.

Juria e Çmimit Kadare 2025 përbëhet nga kryetarja Vera Bekteshi dhe anëtarët Loer Kume e Dionis Prifti, si përfaqësues të tre brezave të ndryshëm të letërsisë moderne shqipe. Takimin e parë ata e zhvilluan më 23 dhjetor 2024, në çelje të këtij edicioni, ndërsa do të mblidhet sërish pas mbylljes së fazës së aplikmeve, në mes të muajit janar. Pas kësaj juria do të bëjë vlerësimin duke përzgjedhur pesë dorëshkrimet më të mira. Në javën e tretë të muajit shkurt, gjatë aktivitetit “Shkolla Dimërore e Humaniteteve”, që mbahet në Llogora, do të shpallet fituesi për vitin 2025.

Konkursi për Çmimin Kadare mirëpret vepra nga letërsia artistike ku përfshihen tregime, novela, skica, romane e dramaturgji deri në fund të javës së dytë të janarit 2025. Të gjithë të interesuarit duhet të nisin sinposin dhe një ekstrakt prej jo më pak se 15 faqesh të dorëshkrimit në adresën e dedikuar të e-mailit: [email protected]
Vlera totale e këtij çmimi vlerësohet të jetë 10 mijë euro ku krahas pjesës monetare, fituesit i sigurohet botimi i veprës nga shtëpia botuese UET PRESS dhe promovimi i saj përmes turesh e takimesh me lexuesit në të gjithë Shqipërinë.

Prej vitit 2014, kur edhe u themelua Çmimi Letrar Kadare, nga Instituti Europian Pashko, kanë konkurruar më shumë se 400 vepra në prozë, të pabotuara më parë, duke e shndërruar kështu në një nxitje të rëndësishme krijimtarie për shkrimtarët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut.

Fituesit ndër vite janë: Rudolf Marku me romanin e tij “Tre divorcet e zotit Viktor N.” (2015); Shkëlqim Çela me përmbledhjen me tregime “Embriologji” (2016); Virgjil Muçi me “Piramida e Shpirtrave” (2017); autori nga Kosova Musa Ramadani me “Profeti nga Praga” (2018); Loer Kume me “Amigdala Mandala” (2019); Gani Mehmetaj, një tjetër autor nga Kosova, me romanin “Zogjtë e Qyqes” (2021); shkrimtarja Vera Bekteshi me romanin “Pusulla të Verdha” (2022); poetja e re nga Maqedonia e Veriut, Nurie Emrullai, me romanin “Duhet të jetë dashuri” (2023); prozatori i ri Dionis Prifti me romanin “Dy javë nën balonë” (2024). /Liberale.al/ KultPlus.com

Buxheti i Akademisë së Shkencave për 2025-ën, Tole: Kërkojmë fonde të plota për tre projekte albanologjike

Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, Vasil Tole prezantoi sot para anëtarëve të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik projektbuxhetin e këtij institucioni për vitin 2025, ku edhe kërkoi mbështetje financiare për tre projekte shumë të rëndësishme që janë në proces në fushën e albanologjisë, “Historia e shqiptarëve”, “Fjalori i gjuhës shqipe” dhe “Historia e Shqiptarëve”.

Tole kërkoi mbështetje për një grup zërash të buxhetit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe instituteve, të cilat, sipas tij, kërkojnë vëmendjen dhe kujdesin e komisionit. “Pikërisht atë kujdes dhe vëmendje që na keni dhënë sa herë kemi ardhur këtu dhe kemi diskutuar punën dhe veprimtarinë e institucionit”, tha Tole.

“E theksoj këtë gjë pasi mosplotësimi i këtyre kërkesave shtesë për vitin 2025 do të sjellë kufizim të projekteve shkencore, ngadalësi dhe vonesë në publikimin e kërkimeve dhe studimeve të reja, mundësi të kufizuara për të organizuar aktivitete të rëndësishme dhe sigurisht kufizime në mirëmbajtjen e zgjerimin e infrastrukturës së akademisë, e cila është e vjetër, e dëmtuar dhe e papërshtatshme për vijimin normal të punës”, nënvizoi Tole.

Zv.kryetari i ASHSH u shpreh se “sa i përket draftbuxhetit për vitin 2025 kemi mangësi në këto zëra: tre projekte albanologjike nga kërkesa jonë prej 82 milionë e 220 mijë lekë na janë aprovuar 60 milionë lekë dhe insistojmë në plotësimin e plotë të shumës së kërkuar të cilës i janë mangët 22 milionë e 220 mijë lekë”, tha Tole.

“Falë mbështetjes së deritanishme financiare nga buxheti i shtetit dy projektet e para “Historia e shqiptarëve” dhe “Fjalori i gjuhës shqipe” po shkojnë drejt finalizimit me sukses. Ka përfunduar shkrimi i dy volumeve të para të “Historisë së Shqiptarëve” që janë në proces redaktimi dhe ricensimi dhe në 22 nëntor, e shpallur “Dita e alfabetit të gjuhës shqipe”, ASHSH në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit do të paraqesë përmbylljen e fazës më të rëndësishme të fjalorit të madh të gjuhës shqipe që është ajo e prezantimit të fjalësit të tij. Një demonstrim virtual i punës do të paraqesë sa volum i madh pune është bërë nga shkencëtarët e gjuhës për pasur një fjalor të madh të gjuhës sonë me 120 mijë fjalë”, nënvizoi Tole.

Zv.kryetari i Akademisë së Shkencave tha se “ndërsa puna për këto mbështetje po shkon drejt finalizimit jemi në rritje të kërkesave tona buxhetore për hartimin e “Enciklopedisë shqiptare”. Deri tani falë bashkëpunimit me Akademinë e Shkencave dhe Artit të Kosovës redaksia qendrore, dy redaksitë vendore dhe 55 redaksi të fushave të ngritura në Shqipëri e Kosovë të mbështetur në një metodologji bashkëkohore dhe mbështetur në dhjetëra akte ndihmëse pas një pune jo te lehtë kemi ardhur në një fazë ku fjalësi me mijëra fjalë i “Enciklopedisë shqiptare” është gati dhe kërkohet financimi që për këtë vit në mënyrë që ASHSH përmes Qendrës së Botimeve Enciklopedike e ngritur posaçërisht pranë saj të nënshkruajë kontratë me autorët që do të hartojë zërat e saj. Bëhet fjalë për 600 shkencëtarë nga të gjitha fushat e shkencës që do të përfshihen në hartimin e zërave”.

Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa theksoi në fjalën e saj se “ne nuk kemi qartësinë si komision që ju i shpenzoni këto para në mënyrë të drejtë dhe jo abuzuese. Ne sot kemi një kontroll auditi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që thotë të kundërtën. Doja të dija a i ka marrë në analizë ASHSH këto të dhëna nga KLSH dhe a ngarkohet ndokush me ndjekje penale?”.

Tole iu përgjigj se “kontrolli i parë nga KLSH lidhej me kontrollin financiar që është detyrim për të gjitha institucionet që të auditohen nga KLSH sa i përket përdorimit të parave publike dhe kontrolli i dytë pa përfunduar i pari ishte kontroll i performancës së projekteve kërkimore shkencore. Nga komunikimi që kemi me KLSH e kemi mirëkuptuar dhe konsideruar si një ndihmesë në punën tonë auditimin e financave publike dhe sesi ASH përdor financat publike. Ajo që them me përgjegjësi është që nuk ka dëm ekonomik ose persona të caktuar me përgjegjësi penale nga raporti i KLSH sa i përket kontrollit të auditit financiar. Aty ka gjetje konstatime, ka përmendje personash, të cilët duhet të përmirësojnë punën e tyre, por nuk ka deri në nivelin që ju e përmendët”./atsh/ KultPlus.com

Përcaktohen kriteret që përzgjedhin ‘Poetin Laureat 2023-2025’, përzgjidhen kandidatët potencial

Sot, në një konferenë për media, Alda Bardhyli, Sibel Halimi dhe Arlinda Dudaj kanë ndarë informacione mbi kritetet për zgjedhjen e Poetit Laureat 2023-2025, shkruan KultPlus.

Parimet kryesore që përzgjedhin Poetin e dytë Laureat shqiptar janë vlerat e poezisë së mirë dhe pastërtia e figurës.

Duke pasur parasysh rrezikun që po kanoset nga intelegjenca artificiale, letërsia mendohet të jetë shpëtimi i vetëm.

“Po jetojmë në një kohë kur inteligjenca artificiale po e zëvendëson njeriun, duke e shndërruar mbase edhe vet këtë të fundit në një makineri që njeh veç iluzionin virtual, larg realitetit, shpirtërores.

Në këtë rend të ri shoqëror e kulturor, letërsia është shpëtimi i vetëm. “Poeti Laureat” do të shërbejë jo veç si promotor i poezisë si zhanër letrar por edhe si urë lidhëse e letërsisë me gjeneratat e reja”, ka thënë Alda Bardhyli.

Ndërsa Sibel Halimi nën cilësinë e Kryetares së Jurisë së “Poetit Laureat”, tha se ishte kënaqësi që sot njoftuan adhuruesit e poezisë për parimet bazë, që do të ndiqen gjatë procesit për ndarjen e këtij titulli, më të rëndësishmit në fushën e poezisë “Poeti Laureat”.

“Kënaqësi që sot në konferencën për media, në Tiranë në cilësinë e Kryetares së Jurisë së “Poetit Laureat”, bashkë me Drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli dhe anëtaren e jurisë Arlinda Dudaj njoftuam adhuruesit e poezisë për parimet bazë që do të ndiqen gjatë procesit për ndarjen e këtij titulli më të rëndësishmit në fushën e poezisë “Poeti Laureat””, ka shkruar Halimi.

Komisioni për titullin “Poeti Laureat” i kryesuar nga poetja Sibel Halimi dhe anëtarë të tjerë; Poeti i parë Laureat Rudolf Marku, botuesja Arlinda Dudaj, gazetarja e kulturës Arta Marku dhe shkrimtari Ylljet Aliçkaj përzgjodhi sot 10 kandidatët për titullin “Poet Laureat” për dy vjeçarin 2023-2025.

Kandidatët:

Luljeta Lleshanaku

Ervin Hatibi

Natasha Lako

Flutura Açka

Sadik Bejko

Rita Petro

Arian Leka

Preç Zogaj

Ilirian Zhupa

Entela Tabaku

“Poeti Laureat” 2, do të shpallet në një ceremoni të posaçme në fillim të muajit Tetor./KultPlus.com

‘Coldplay’ njofton se nuk do të bëjnë më muzikë së shpejti

Lajme jo të mira për të gjithë fansat e “Coldplay”. Grupi britanik planifkion të mos bëjë muzikë të re pas vitit 2025.

Gjatë një interviste, vokalisti Chris Martin njoftoi se grupi po planifikon të publikojë një album të ri në studio, por ky do të shënojë herën e fundit që ata regjistrojnë së bashku si grup.

Njoftimi i madh vjen pak më shumë se dy muaj pasi “Coldplay” publikoi albumin e tyre të nëntë në studio, “Music Of The Spheres”, i cili u prodhua nga Max Martin, i cili është një producent i ri në diskografinë e grupit.

Ndërsa albumi i dhjetë në studio do të shënojë fundin e karrierës së regjistrimit të Coldplay si grup, kjo nuk do të thotë se ata do të ndahen fare.

Rezulton se ata ende po planifikojnë të luajnë shfaqje të drejtpërdrejta në të ardhmen e parashikueshme.

“E di që mund t’ju them se regjistrimi ynë i fundit i duhur do të dalë në vitin 2025 dhe pas kësaj mendoj se do të bëjmë vetëm turne”, tha Martin për Jo Gavay në “BBC Radio 2”.

“Ndoshta do të bëjmë disa gjëra bashkëpunuese, por katalogu i Coldplay, si të thuash, përfundon atëherë”, shtoi ai.

Duke u formuar në Londër, Angli në vitin 1996, Coldplay publikoi albumin e tyre debutues në studio, “Parachutes”, në vitin 2000, duke krijuar këngët “Shiver”, “Yellow”, “Truble” dhe “Don’t Panic”.

Debutimi ishte një sukses kritik dhe komercial pas komenteve pozitive. I certifikuar 9 herë platin në Britani dhe 2 herë platin në SHBA, “Parachutes” fitoi çmimin “Grammy” për albumin më të mirë të muzikës alternative në 2002. /KultPlus.com

Chris Martin confirms Coldplay will stop making music in 2025