Presidentja Osmani nga Samiti për Ukrainën: Do ta ndajmë tregimin e Kosovës – nga zero në model të demokracisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, po merr pjesë në Samitin e Paqes që po mbahet në Zvicër që po mbahet në në Bürgenstock, afër Lucernit.

Nga atje, Osmani u paraqit përmes një lidhjeje direkte në llogarinë e saj në “Facebook”, kur tha se Kosova i bashkohet thirrjeve të të gjithë atyre të cilët shtyjnë përpara konceptin e paqes së drejtë, atë të ndërlidhur me drejtësinë me viktimat që kanë vuajtur gjatë luftës.

“Siç e dimë nga përvoja e jonë e hidhur në Kosovë, nuk mjafton që thjeshtë paqen ta shohim si koncept të izoluar, pasi ajo në masë të madhe varet edhe nga drejtësia, drejtësia për viktimat, për ata që kanë vuajtur më së shumti gjatë luftës”.

“Si Kosovë, besoj se jemi në pozicion me të gjithë të tjerët që marrin pjesë në këtë Samit që të ndajmë storjen tonë, tregimin e Kosovës si një shtet që është ndërtuar nga zero, si një shtet që ka vuajtur e sakrifikuar shumë. Megjithatë, jemi shndërruar në një model të demokracisë dhe aleancave të fuqishme”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

Më tej, e para e shtetit tha se njësoj siç kanë qenë të domosdoshme aleancat që të shpëtohet Kosova nga regjimi gjenocidal, njësoj, sipas saj, është po aq e rëndësishme që tani kur po rrezikohet e gjithë arkitektura e sigurisë në Evropë nëpërmjet agresion rus, të qëndrojnë të gjitha vendet bashkë në njëjtat vlera e për t’i mbrojtur të njëjtat parime siç, sipas saj, janë mbrojtur në vitet e ’90-ta në Kosovë.

“Përgjatë samitit që do të fillojë me seancën plenare shumë shpejt, ne do të diskutojmë për tri dimensione kryesore. E para, që do të udhëhiqet nga shtetet më të fuqishme është siguria nukleare. E dyta, do të jenë dimensionet e tjera të sigurisë, siç është siguria ushqimore”.

“Kurse, i treti është dimensioni human, ku do të kontribuojmë më së shumti sepse kemi ndërtuar një sistem pas luftës që shpesh merret edhe si model se si ndërtohet një demokraci e qëndrueshme edhe pas shkatërrimeve që i shkakton lufta”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

Tutje, Osmani foli edhe për takimin që pati me presidenten e Zvicrës, Viola Amherd, me të cilën tha se diskutuan për mënyrat se si të rritet bashkëpunimi mes të dy vendeve, sidomos në fushën e mbrojtjes.

‘Diskutuam se si ta rrisim bashkëpunimin edhe në fushën e mbrojtjes, sidomos në edukim dhe trajnim të brezave të rinj të FSK-së. Diskutuam po ashtu për marrëveshjen EFTA, e cila do të mundësojë bashkëpunim më të madh tregtar dhe ekonomik ndërmjet shteteve tona. Kosova është e fortë, kur ajo ecën përpara me aleatë”, tha ajo.

Kryeministri Kurti: 203 policë sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja Osmani

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar lidhur me debatin për pagat e Policisë së Kosovës.

Kryeministri Kurti ka thënë se të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare, sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj.

Përmes një postimi në facebook ka thënë se janë 203 policë të Kosovës, që sivjet kanë pasur të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Kryeministrit Kurti në facebook:

Paga mesatare në sektorin privat në Kosovë është 470 euro, ndërkaq në atë publik është 700 euro. Të punësuar në sektorin privat janë rreth 340 mijë qytetarë, kurse në atë publik rreth 80 mijë qytetarë.

Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro. Të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat). Tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdon kjo situatë në veri të vendit, e që është niveli më i lartë i kësaj shtese. Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023).

Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro. E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI).

Ju falemnderit pjesëtarëve të NjSI-së për shërbimin ndaj atdheut dhe zbatimin e ligjit./KultPlus.com