21 marsi, Dita e Poezisë – ‘Hivzi Sulejmani’ do ta shënojë me ngjarje të shumta poetike

Në krejt botën, 21 Marsi festohet si Dita Botërore e Poezisë, ditë kjo e shpallur nga UNESCO që nga viti 1999.

Dita Botërore e Poezisë është rasti për të nderuar poetët, për të ringjallur traditat, për të promovuar leximin, shkrimin e mësimin e poezisë…

Edhe në Prishtinë kjo ditë do të festohet. Biblioteka “Hivzi Sulejmani” do ta shënojë me ngjarje të shumta poetike.

“Gjatë gjithë javës do të zhvillohen takime me krijues të poezisë, tema rreth artit poetik, ndërsa janë paralajmëruar nga donatorë dhe shkolla një varg dhurime librash”, thuhet në njoftimin e kësaj Biblioteke.

Ngjarja qendrore do të zhvillohet më 21 mars në orën 12 në mjediset e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Dardani, ku do të ketë lexime letrare nga poetët, do të lexohen krijime poetike nga letërsia botërore dhe nga letërsia shqipe dhe do të bëhen homazhe për poetët që kanë ndërruar jetë në mes të dy ngjarjeve.

21 marsi, dita e parë e pranverës

Data 21 mars përkon me ditën e parë të stinës së Pranverës në vendin tonë, ardhja e së cilës përcaktohet me ndjekjen e qendrës së Diellit sipas ekliptikës.

Me 21 mars dita e parë e pranverës konsiderohet si ditë e barabartë, që nënkupton se gjatësia e ditës dhe natës është e njëjtë, apo me fjalë të tjera nga momenti i lindjes deri në momentin e perëndimit të Diellit, kanë kaluar 12 orë.

Pranvera do të zgjasë deri më 21 qershor, kur fillon stina e verës. Sipas fenologjisë pranvera fillon me lulëzimin e disa llojeve të bimëve pranverore, specifike këto për vende të ndryshme.

Me fillimin astronomik të verës më 21 qershor pranvera përfundon gjithnjë në të njëjtën ditë.

Gjithashtu, data 21 mars lidhet gjithmonë me ekuinoksin që u përcaktua në Këshillin e Nices në vitin 325 për të përllogaritur Pashkët e krishtera. Ai ishte çasti që u zhvilluan edhe sistemimet e fundit në kalendarin gregorian, që përdorim edhe sot.

Por këto rregullime nuk ishin perfekte. Kalendari përllogarit 365 ditë për një vit, rreth një çerek dite më pak nga sa i duhen Tokës për të kompletuar xhiron rreth Diellit (365 ditë, 5 orë, 48 minuta dhe 49 sekonda). Kjo do të thotë që mbledhim vonesa për tre vite dhe rekuperojmë gjithçka duke shtuar një ditë çdo katër vite. / KultPlus.com

Dita Botërore e Poezisë i kushtohet poetit Basri Çapriqi

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Poezisë, studentët e Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në bashkëpunim me mësimdhënësit e tyre, organizojnë aktivitetin kulturor të pagëzuar Mesdita poetike.

Ky aktivitet do t’i kushtohet poetit, studiuesit dhe profesorit Basri Çapriqi, i cili në muajin janar të këtij viti iku në amshim. Me këtë rast, duke e nderuar jetën dhe veprën e poetit, do të lexohen pjesë nga krijimtaria e tij letrare, si dhe poezi përkushtimi për të.Gjithashtu, studentët do t’i lexojnë krijimet e tyre.

Takimi letrar do të mbahet më 21 mars 2018, në orën 12.00, në ambientet e Fakultetit të Filologjisë./ KultPlus.com