22 vjet nga çlirimi i Kosovës

22 vjet më parë në Kosovë u vendosën 50 mijë ushtarë të NATO-s dhe bashkë me ta edhe administrata e përkohshme e Kombeve të Bashkuara.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

E vlerësuar nga ata që e përjetuan si ditë e çlirimit dhe si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 qershori, ndonëse jo e njohur edhe si festë zyrtare, është një ditë kur nga ushtarakë dhe diplomatë botërorë do të mbahet mend si një ditë gati konfrontimi midis Perëndimit dhe Rusisë, një ditë siç thuhej, ‘që do të mund të niste Luftën e Tretë Botërore.’

Ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës.

Hyrja e NATO-s ktheu në Kosovë mbi një milionë shqiptarë.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi një milionë shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.

Deri tash kanë shërbyer në Kosovë afër 500 mijë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të shumë vendeve, kryesisht atyre perëndimore, duke qenë larg familjeve dhe më të dashurve të tyre dhe duke sakrifikuar edhe nga një pjesë të jetës për lirinë, sigurinë dhe paqen në Kosovë. / KultPlus.com

22 vjet nga masakra e familjes Gërxhaliu në Studime, në mesin e tyre edhe tetë fëmijë

Sot bëhen 22 vjet nga masakra në familjen Gërxhaliu në fshatin Studime të Vushtrrisë.

Forcat ushtarake dhe policore serbe vranë 12 anëtarë të familjes së Selatin Gërxhaliut, duke mos kursyer persona nga 85 vjeç deri në 5 vjeç. Sipas dëshmitarëve, policët serbë kishin zënë peng Xhemajl, Selatin dhe Shaban Gërxhaliun, të cilët i detyruan të qëndrojnë në një dhomë. Para syve të tyre, paramilitarët serbë do të ekzekutonin barbarisht familjarët e tyre.

Pas kësaj, kriminelët serbë i kishin larguar tri pengjet rreth 500 metra larg shtëpisë së tyre, përkatësisht te vendi i quajtur ‘Hambari i Gumnishtës’, me ç’rast i kishin ekzekutuar edhe ata. 12 të vrarët e familjes Gërxhaliu janë: Sala Gërxhaliu (85 vjeç), Xhemajl Gërxhaliu (63 vjeç), Selatin Gërxhliu (50 vjeç), Fexhrije Gërxhaliu (40 vjeç), Sofie Gërxhaliu (30 vjeç), Shaban Gërxhaliu (16 vjeç), Muharrem Gërxhaliu (13 vjeç), Mexhid Gërxhaliu (12 vjeç), Avdurrahman Gërxhaliu (9 vjeç), Safer Gërxhaliu (6 vjeç) dhe Sabahudin Gërxhaliu (5 vjeç). / KultPlus.com

Sot bëhen 22 vjet nga masakra në Poklek dhe Çikatovë të Drenasit

Sot bëhen 22 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.

Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.

Me këtë rast presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca do të bëjnë homazhe për të kujtuar jetën dhe veprën e tyre. / KultPlus.com

22 vjet nga masakra në Izbicë

Sot bëhen 22 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

Sot 22 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.

Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, do të organizojë sot homazhe për nder të 22 vjetorit të masakrës së Izbicës. / KultPlus.com

22 vjet nga masakra e Lybeniqit

Sot mbushen 22 vjet kur më 25 maj 1998, forcat serbe hynë në Lybeniq të Pejës, duke vrarë e masakruan nëntë banorë të Lybeniqit, e më vonë edhe burrat e tjerë të fshatit.

Gjenocidi i kryer në këtë vendbanim ndaj popullsisë se pafajshme shqiptare më 25 maj 1998 dhe më 1 e 7 prill 1999, është njëri nga krimet me të mëdha që kanë kryer forcat policore, ushtarake e para ushtarake serbe në Kosovë.

Drejtuesi i Departamentit të Historisë Bashkëkohore në Institutin e Historisë, Shkodran Imeraj, ka thënë kohë më parë se drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare kanë dështuar në ndjekjen dhe dënimin e autorëve të masakrave që u kryen në Lybeniq gjatë viteve 1998-1999.

Sipas Imerajt, gjenocidi që kryen forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe kundër banorëve shqiptarë të Lybeniqit, është gjenocidi më i madh që është kryer kundër popullsisë shqiptare në historinë e fshatit Lybeniq. / KultPlus.com