Nga 24 gushti, artistë nga e gjithë bota do të udhëtojnë drejt Tiranës për artin e magjishëm të ngjyrave murale.
Lajmin e mirë e ka dhënë vetë kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj përmes një postimi në rrjete sociale.
“Mural Fest Tirana vjen edhe këtë vit! Nga 24 gushti, artistë nga e gjithë bota udhëtojnë drejt Tiranës për artin e magjishëm të ngjyrave murale”, shkruan Veliaj.
Pjesë e Mural Fest priten të jenë artistë urbanë me famë ndërkombëtare nga Gjermania, Italia, Spanja, Greqia, Indonezia, etj. Ky event i kthyer tashmë në një traditë të bukur për kryeqytetin, është një festival ngjyrash, ku vepra shkrihet me fasadën përkatëse në varësi të hapësirës urbane që do të zërë.
Festivali synon t’i japë një imazh të ri hapësirave të qytetit duke sjellë një energji shumë të bukur e duke lënë një muze të hapur në natyrë.
Jeta e përditshme, rruga dhe historitë e saj janë të ndërthurura, duke u rritur në mure dhe reinventuar në një përzierje të gjuhëve në një mënyrë për të krijuar identitetin dhe ridizajnimin e hapësirës urbane, duke synuar ndërtimin e një historie të re. Ky shkëmbim kulturor ka kaluar kufijtë dhe ka krijuar në Tiranë një pikë të ngrohtë pritëse të artit. / KultPlus.com