Është hapur në Tiranë edicioni i 25-të i Panairit të Librit. Këtë vit ky panair do të ketë si objekt kryesor prezantimin e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim vitet e fundit.
Ceremonia e hapjes nisi në orën 11:00 në Hollin e Pallatit të Kongreseve, ku ishin të pranishëm botues, shkrimtarë, ministrja Kushi e Margariti, kryebashkiaku Veliaj si dhe një numër i madh vizitorësh.
Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri.
Në këtë panair janë gjithsej 97 stenda ku marrin pjesë 100 shtëpi botuese. Ashtu si vitin e kaluar, do të ketë një kënd dedikuar intervistave, i njohur si “Sofaja e librit”. Programi i “Sofasë” do të presë çdo ditë njerëz të librit, shkrimtarë, përkthyes, botues, ilustrues, redaktorë etj. Intervistat e tyre do të transmetohen online.
Një hapësirë e veçantë u është rezervuar edhe trevave shqipfolëse. Kosova vjen e përfaqësuar me tre stenda kryesore: me stendën e Institutit Albanologjik të Kosovës, me Shoqatën e Botuesve të Kosovës, si stendë më vete, dhe me “Dukagjinin”. Secila ka marrëveshje me shtëpi të ndryshme botuese në Kosovë.
Maqedonia e Veriut ka një stendë më vete. “Logos” është shtëpi botuese e Shkupit, por sjell edhe botimet shqipe nga Tetova. Mali i Zi përfaqësohet me një stendë tjetër që është ajo e Podgoricës, por vijnë edhe pak tituj të botuar në Tuz. Tuzi pritet të jetë i pranishëm me autobusë lexuesish që vijnë në mënyrë të organizuar dhe do të kenë edhe takime për librin shqip.
Në panair do të ketë edhe një shtëpi botuese italiane. Ajo është “Besa Muci”, e cila kryesisht ka në fokus botimin e letërsisë shqipe në italisht.
Që në hapje të panairit është vënë re një numër i madh vizitorësh të vegjël. Të tjera vizita të organizuara fëmijësh priten ditët në vazhdim, edhe nga trojet shqipfolëse përtej kufirit.
Panairi i Librit 2022 do të qëndrojë i hapur 4 ditët për vizitorët në Pallatin e Kongreseve. /atsh /KultPlus.com