Presidentja Osmani në 25 vjetorin e Masakrës së Tusuzit: Vendosja e drejtësisë për viktimat është përkushtim i çdoditshëm i yni

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka përkujtuar viktmat e Masakrës Tusuz (Lagjja e Trimave) në Prizren.

Më 26 maj 1999-të, atje forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, vranë mizorisht 27 banorë.

Kjo ndodhi në pragun e lirisë së Kosovës.

Osmani tha se “kjo lagje shquhet për kontributin e dhënë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës, ndaj vendosja e drejtësisë për viktimat është përkushtim i çdoditshëm i yni”.

“Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët dhe të gjithë të rënët për liri!”, tha Osmani.

25 vjet nga mobilizimi i UÇK-së

Ushtria Çlirimtare e Kosovës më 31 mars 1999 vendosi për një mobilizim të përgjithshëm për përballimin e ofensivës serbe dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, 25 vjet më parë nëpërmjet urdhrit për mobilizim, pati ftuar qytetarët për t’iu përgjigjur më mirë zhvillimeve, si rezultat i veprimtarisë ofensive të forcave serbe.

UÇK-ja ftoi qytetarët për mobilizim të përgjithshëm në Kosovë e jashtë saj për të gjithë popullin e Kosovës për kompletimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili filloi më datën 01.04.1999 dhe vazhdojë si proces.

“Të detyruar për t’u lajmëruar për në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë moshat nga 18-50 vjeç. Lajmërimi për regjistrim prej datës 01.04.1999 deri më 30.04.1999.

Të gjithë kuadrot ushtarake të lajmërohen për të marrë detyrat në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga data 01 deri më 25 prill 1999. Çdo kuadër i inkuadruar i ri, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të marrë urdhrin përkatës të emërimit në detyrën funksional nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantët e njësiteve ushtarake, të marrin në dorë evidentimin e të gjithë të detyruarve për t’u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të mbahen evidenca të sakta e të plota.

Për aftësinë e trupave dhe kuadrove të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ngrihen edhe qendra të reja stërvitore, ku me programe intensive të bëhet aftësimi i trupave para futjes në front. Stërvitja do të zgjasë nga 10-15 ditë.

Për zbatimin e këtij urdhri kur nuk arrihet të gjejë zbatim detyrimi ligjor, Policia Ushtarake të veprojë brenda e jashtë Kosovës, për të detyruar paraqitjen e të gjithë atyre moshave që detyron vendimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ngarkohen me zbatimin e këtij urdhri Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantët e zonave të drejtimeve të njësive dhe Policia Ushtarake.

Ndjek zbatimin e këtij urdhri Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, thuhej në Urdhërin e për mobilizimin e përgjithshëm për përballimin e ofensivës serbe për çlirimin e Kosovës./rtk/KultPlus.com

Kryeministri Kurti bën homazhe në 25- vjetorin e masakrës mbi familjen Muliqi

Në 25- vjetorin e masakrës nga forcat e armatosura serbe mbi familjen Muliqi, në Abri të Epërme të Drenasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe në nderim të jetës së tyre.

Kurti theksoi se ishin sot aty për të treguar solidaritetin institucional e kombëtar, qytetar e njerëzor me familjen Muliqi, me bacën Asllan edhe me familjen Deliu dhe të gjitha familjet e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë, të cilët i dhanë kaq shumë Kosovës për liri e për pavarësi, për çlirim e për bashkim.

Teksa kujtoi edhe vrasjen e 23 të vrarëve nga forcat oserbe, në të njëjtin fshat, në masakrën më 26 shtator 1998, deklaroi se as për këtë masakër, e as për vrasjet në Abri të Epërme më 30 mars 1999, nuk ka asnjë të akuzuar e as të dënuar. Kryeministri ftoi Prokurorinë e Shtetit që me krejt çfarë kanë e dinë, të angazhohen maksimalisht ditë e natë në mënyrë që ata vrasës për të cilët ka edhe dëshmitarë të gjallë, të ndiqen të akuzohen e të dënohen.

Bashkë me kryeministrin Kurti në homazhe ishin edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci si dhe zëvendësministri i MPB-së, Blerim Gashani, njofton ZKM./arbresh.info/KultPlus.com

25 vjet nga Konferenca e Rambujesë

25 vjet më parë, në kështjellën e Rambujesë u diskutua për fatin e Kosovës.

16 përfaqësuesit nga Prishtina udhëtuan drejt vendit në afërsi të Parisit, për të negociuar për herë të parë me palën serbe, me ndërmjetësimin e grupit të kontaktit.

Delegacioni kosovar përbëhej nga anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes së Bashkuar Demokratike dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk shkonin mirë në mes veti.

Por, rrugës pengesat për pjesëtarët e UÇK-së, ishin të mëdha.

Më 5 shkurt autoritetet serbe nuk lejuan që kosovarët të nisen nga aeroporti i Prishtinës. Ky udhëtim u realizua më 6 shkurt të vitit 1999.

Në fakt, atë ditë arritja e përfaqësuesve të UÇK-së, tek dy avionët që bartnin delegacionin kosovar, ishte në pikëpyetje, njofton Klan Kosova.

Megjithatë ekipi u kompletua, ani se qëndrimet brenda tij nuk ishin të njëjta.

16 burrat që kishin në dorë fatin e vendit të tyre, kishin qasje të ndryshme sa i përket procesit.

Pala kosovare pranoi marrëveshjen e propozuar në Rambuje, por jo edhe ajo serbe.

Tashmë, radha ishte që ndërhyrja e NATO-s, të sillte lirinë aq shumë të pritur në Kosovë./KlanKosova/KultPlus.com