Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica
Një koncert krejtësisisht ndryshe nga ata që zakonisht i sjell Filharmonia, u dhurua të marten mbrëma nga institucioni më i lartë i muzikës në vend, për nderë të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, përmes Orkestrës së Filharmonisë, dj. Derrick May dhe pianistit Francesco Tristano, nën drejtimin e dirigjentit Dzijan Emin, shkruan KultPlus.
Kjo mbrëmje magjike e cila kishte mbledhur një publik masiv në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë, qe një projekt unik hibrid, që jashtëzakonisht bukur arriti të bashkoj muzikën elektronike me atë klasike, si diçka të paparë deri tash nga audienca vendore.
Radhitja e Orkestrës së Filharmonisë së bashku me interpretuesit tjerë të mbrëmjes në errësirë, shoqëruar me drita të shumëta të cilat vinin në pah performuesit, i dhanë sallës jo adekuate më shumë shije. Ndërsa tingujt e parë të emetuar në këtë ambient të veçantë morën zemrën e publikut deri në fund të koncertit duke i dhuruar një përvojë unike, një një përvjetor jubilar, si ky i 25-vjetorit të çlirimit.
Mënyra e drejtimit të dirigjentit Dzijan Emin, i cili vallëzonte krahas publikut, interpretimi në këmbë i pianistit të shquar, Francesco Tristano dhe muzika e jashtëzakonshme e ikonës së muzikës tekno dj. Derrick May, të cilat bashkohesheshin me tingujt e Orkestrës së Filharmonisë, të interpretuar në një mënyrë më të lirshme se sa në seriozitetin e koncerteve e zakonshme nga instrumentistët, publikut i dhuruan mbrëmje të paharrueshme.
Tingujt e dhuruar në sallë nga harkorët, të gërshetuar aq bukur me tinguj të muzikës elektronike, përthitheshin krejt natyrshëm me audiencën, një pjesë e së cilës qëndronte në këmbë duke vallëzuar, përderisa një pjesë e tyre qëndronin ulur në skajin e majtë dhe të djathtë të sallës, duke e shikuar performancën mahnitëse nga lartë. Ovacionet e tyre përgjatë dhe në fund të mbrëmjes ishin treguesit dhe vlerësuesit më të mirë të performancës.
Krejt në fund të koncertit, në një prononcim për KultPlus, dirigjenti i mbrëmjes Dzijan Emin tha se pati përshtypje shumë të mira për koncertin me Filharmoninë e Kosovës, me të cilët ka pasur përvojë interpretimi edhe në të kaluarën.
“Kam përshtypje me të vërtetetë të jashtëzakonshme për këtë interpretim. Unë kam luajtur me Filharmoninë e Kosovës edhe 15 vite ma parë. Shumicën e muzikantëve i njoh dhe kjo të jep një ndjesi sikur kur luan me shokët e tu. Prandaj realizimi i këtij koncerti ka qenë diçka shumë, shumë më e lehtë, sepse ne e kuptojmë njëri-tjetrin shumë më mirë” ka thënë dirigjenti Emin duke potencuar se ndihet i impresionuar për përparimin e Filharmonisë përgjatë këtyre 15 viteve.
“Ky projekt është pak i komplikuar, sepse teksturat ritmike dhe elementet tjera brenda janë pak të komplikuara për t’i bashkuar të gjitha së bashku pa ritmet elektronike. Ne filluam duke e njohur muzikën mirë dhe më pas vendosëm muzikën elektronike. Ne punuam për një javë çdo ditë. Ishte vërtet punë e vështirë. Por unë jam vërtet i impresionuar për përparimin e Orkestrës së Filharmonisë të bërë në 10-15 vitet e fundit. Unë kam luajtur këtë program me shumë orkestra në mbarë botën, dhe duhet të them që kjo është me të vërtetë një nga shfaqjet e mia më të preferuara deri më tani. Orkestra ishte vërtet e mrekullueshme dhe gjithashtu edhe energjia e publikut, kështuqë jam shumë falënderues për këtë mbrëmje” ka thënë dirigjenti Emin.
Ndërsa, Dj. Derrick May në një prononcim për media ka vlerësuar aspektin muzikor të vendit, i cili sipas tij flet shumë edhe për të ardhmen.
“Në aspektin kulturor të jem i ftuar në Kosovë ishte shumë e rëndësishme për komunitetin këtu dhe po ashtu edhe për mua. Është e rëndësishme pasi Kosova ka arritur muzikalisht. Është e hapur për shumë ide dhe për atë që po ndodh. Kjo tregon për të ardhmen e këtij vendi. Të shoshësh entuziazmin këtu është gjë tejet e bukur” ka thënë dj. May duke treguar diçka edhe për stilin e tij krejt të veçantë interpretues.
“Çfarë bëj unë është stil i lirë. Nuk mbaj para vetes ndonjë partiturë. Unë vendosi çfarë të luaj në skenë. Është çmenduri apo jo? Gjenerata ime e DJ-ve dallon shumë nga pasardhëset. Kemi punuar shumë për t’i bërë njerëzit për vete për të sjellë risi. Tash DJ-të punojnë vetëm për të mbajtur njerëzit përreth tyre”, ka thënë ai.
Kurse ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Filharmonisë, Dardan Selimaj, tha se sjellja e një projekti të tillë hibrid përveç muzikës së veçantë është një mundësi shumë e mirë që një publik i përmasave të tilla të bëhej më kurioz edhe koncertet e muzikës klasike.
“Filharmonia e ka audiencën e vet. Ne jemi shumë të kënaqur me audiencën tonë, pasi janë shumë mbështetës, i përcjellin të gjitha koncertet në ato mundësi dhe kushte që kemi, me ato kapacitete që janë. Por megjithatë në përvjetorin e Çlirimit të Kosovës, në këtë jubile të rëndësishëm e kishim menduar bashkë me instrumentistët që ndoshta do të ishte mirë që ta sillnim një projekt që do t’i ofroj njerëzit më shumë me orkestrën, njerëz që ndoshta hezitojnë të ndjekin aktivitetin e muzikës klasike por që një projekt si ky hibrid do t’i bënte ata më kureshtar edhe për projektet në të ardhmen, por në të njëjtën kohë për ta krijuar një ngjarje e cila është përjetim i veçantë për instrumentistët, për orkestrën dhe për të gjithë së bashku”, ka thënë drejtori Selimaj.
Drejtori Selimaj ka thënë se një koncert i tillë ishte menduar të sillej në vitin 2020.
“Para 10 vitesh unë e kam parë muzikën e Derrick May me projektet e tij që realizohen me orkestrën simfonike. Në atë kohë e kam parë duke performuar në disa vende të botës, në Detroid, Londër, Paris, etj dhe gjithmonë e kam menduar si mundësi për ta sjellë edhe në Prishtinë. Tentativa e parë ka qenë në vitin 2020, meqë ishim në kohë pandemie ky projekt nuk është sjellë në skenë nga ajo kohë deri tash. Ky është rikthim i këtij projekti dhe më vjen mirë që kjo ka ndodhur në Prishtinë” është shprehur më tej Selimaj duke e falënderuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen e këtij koncerti, i cili u dhurua pa paguesë për audiencën në këtë përvjetor jubilar.
Ndërsa për vetë violinistin Visar Kuqi mbrëmja e cila i kishte sfiduar me një interpretim të parealizuar deri tash, kishte qenë diçka e jashtëzakonshme me një super audiencë.
“Nata e sotme është një prej atyre rasteve ku muzika pa publikun nuk ka kuptim, e sidomos në këtë projekt që ishim para një audence të tillë, ku gjithçka mori tjetër kuptim për ne që bashkë e shijuam shumë këtë lojë dhe këtë muzikë sepse ishte e punuar mjeshtërisht prej Derrick May dhe Dzijan Emin që është dirigjent i cili ka shkrur extra pjesë për këtë performancë, për t’i ka aranzhuar më pas për orkestër”ka thënë violinisti Kuqi.
Ai më tej ka zbuluar diçka edhe nga provat dhe bashkëpunimi me artistët e mbrëmjes.
“Me thënë të drejtën gjatë provave nuk ka qenë edhe shumë e lehtë, sepse ka qenë krejt ndryshe prej asaj çka bëjmë ne zakonisht. Ka pasur momente që kemi qenë të stresuar se si ka për të dalë koncerti ose a ka për të dal mirë, por në fund gjithçka doli shumë mirë dhe jemi shumë shumë të kënaqur me këtë performancë”, ka përfunduar violinisti Kuqi.
Koncerti i ardhshëm i Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 19 qershor, në Kishën Katolike “Shën Ndou”, në orën 20:00./ KultPlus.com