​26 vjet nga masakra në Mejë

Para 26 vitesh, më 27 prill 1999 forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës. Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i meshkujve në grupe nga mosha 15-60 vjeçare filloi në orët e hershme të mëngjesit, në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës duke i ekzekutuar të gjithë meshkujt shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Millosheviqit më 27 prill 1992.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja.

Pas luftës, gjatë viteve 1999-2001 një pjesë e tyre është gjetur në varreza të ndryshme masive në Kosovë dhe për të tjerët janë marrë informata se gjenden në Serbi.

26 vite nga rënia heroike e Mujë Krasniqit

Sot bëhen 26 vite nga rënia heroike e Komandant “Kapuçit”, Mujë Krasniqit.

Mujë Krasniqi (6 Qershor 1967 – 14 Dhjetor 1998) i njohur si Komandant Kapuçi ishte njëri nga komandantët dhe luftëtarët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).

Lindi më 6 qershor 1967 në fshatin Çabiq të Klinës dhe ra dëshmorë më 14 dhjetor 1998 së bashku me 41 ushtarët e tij në kufirin Kosovë–Shqipëri, pasi ranë në një pritë të organizuar nga forcat ushtarake serbe.

Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës. Mujë Krasniqi ishte njëri ndër projektuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftëtar i radhëve të para të kësaj ushtrie, koordinues i veprimeve luftarake dhe ndihmës reciprok në mes të Drenicës, Dukagjinit e Pashtrikut, në etapën e parë të zgjerimit të veprimeve të fshehta kundër pushtuesit serb. Ai ishte edhe shoku i luftës i legjendarit Adem Jashari dhe komandant emblematik i luftës për liri. Ai i përket bërthamës së parë çlirimtare të trimave të komandantit legjendar Adem Jashari./ KultPlus.com