“Parajsa Artificiale” është libri i fundit nga Ben Blushi. Ajo që mes dialogëve ngjason si një histori dashuri, ka brenda edhe një projektim të së ardhmes, natyrisht nën ndikimin e Inteligjencës Artificiale. Teksa debati për Inteligjencën Artificiale është tashmë global, Blushi shprehet se nuk ka asnjë frikë, pasi është vetëm në shërbim të njerëzimit. Në intervistën e tij dhënë ekskluzivisht për Gazetën Panorama, Ben Blushi zbulon sesi parajsa në të ardhmen do të kalojë nëpërmjet teknologjisë, duke e ‘zhveshur’ njeriun nga punët fizike dhe ndjesitë negative.
Më tej autori rrëfen se edhe besimi në Zot do të ndryshojë me kalimin e kohës, pikërisht nga pushteti që teknologjia do t’i japë njeriut. I ndarë mes ferrit dhe parajsës, Blushi shprehet se më shumë hapësirë i ka dedikuar ferrit në këtë libër, pasi shumicën e jetës e kalojmë në ferr. Simon Shuter është një personazh i krijuar prej Blushit, por duket se edhe vetë autori ia ka “zili” kurajën dhe mënyrën sesi e jeton jetën. Ndaj edhe nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të shijojë sukseset e tij…
“Parajsa Artificiale”, si doli nga Panairi i Librit? A i arritët pritshmëritë tuaja?
Panairi i Librit është dyqani më i madh i librave në Shqipëri, në kushtet kur libraritë pothuajse janë zhdukur nga shumicat e qyteteve tona. Kështu që tri palët që marrin pjesë çdo vit në Panair e shfrytëzojnë këtë aktivitetet sipas interesave të tyre. Botuesit shesin, lexuesit blejnë, ndërsa shkrimtarët negociojnë me të parët dhe bisedojnë me të dytët. Kështu bëj edhe unë dhe prandaj këtë vit u kënaqa me lexuesit e mi, që nuk më tradhtuan dhe erdhën siç i prisja, me kuriozitetin entuziast të librit të ri dhe me shijen e mirë të librit të fundit. Megjithëse organizatorët nuk e bënë publike, sipas traditës, “Parajsa Artificiale” ishte libri më i shitur edhe këtë vit, siç ndodhi edhe vjet me romanin tim “Komploti”. Dhe ndoshta prandaj shifrat e shitjeve nuk u publikuan, sepse Panairi nuk bën të njëjtin gabim dy herë.
Cilat janë pyetjet më të çuditshme që ju janë bërë për këtë libër?
Më janë bërë shumë pyetje, por dikush që kishte lexuar librin më shkroi se nga e dija unë se një ditë robotët humanoidë do të gatuajnë speca të mbushur. Unë e kam shkruar vërtet këtë fjali dhe besoj se një ditë do të ndodhë që robotët e pajisur me inteligjencë artificiale do jenë kuzhinierët, kamerierët, babysiterat, shoferët dhe mësuesit e fëmijëve tanë. Flasim për ndoshta një shekull më vonë ose edhe më shumë.
Ndoshta shija e specave të mbushur nga robotët nuk do jetë si ajo e gjysheve tona, por që robotët do të mësojnë të mbushin specat me oriz, apo të bëjnë një sanduiç me djathë, kjo nuk diskutohet dhe nuk është fare për t’u çuditur. Nëse robotët do arrijnë të hapin aortat tona për t’i zgjeruar nga bllokimet që shkaktojnë infarkte, pse nuk do mbushin dot një spec pasi ta qërojnë? Zemra dhe speci nuk kanë ndonjë ndryshim të madh dhe mund të hapen njëlloj nga një tru artificial, që përdor duar metalike në mënyrë të përpiktë dhe pa asnjë gabim si ata që bën njeriu.
Ku ngjason Simon Shuter me Ben Blushin? Keni pika ku ndaheni dhe takoheni me personazhin tuaj?
Shumica e pyetjeve që kam marrë këtë vit kanë qenë për Simon Shuterin, një personazh të cilin unë e kam në tri libra, te “Kandidati”, “Komploti” dhe “Parajsa Artificiale”. Në të tria rastet ai bën gjëra të ndryshme, që pothuajse janë të pamundura. Pikërisht se arrin gjëra të pamundura, ai nuk ngjan me mua. Në një rast ai djeg një qytet si Elbasani, rrëzon aty bustin e bashkëpunëtorit të nazistëve Lef Nosi, ndryshon rezultatin e zgjedhjeve dhe zgjedh kryetar bashkie një kandidat që kishte vdekur dy javë para zgjedhjeve. Unë kam qenë deputet në Elbasan dhe megjithëse kam dashur t’i bëj të gjitha këto, nuk ia kam dalë dot, kështu që nuk ngjaj fare me Simon Shuterin.
Duke mos hequr dorë nga këto kapriço, në librin “Komploti”, Simon Shuteri sajon një konflikt mes shqiptarëve dhe afganëve, legalizon eutanazinë, pastaj pushton Kavajën, e çliron atë pasi mbyll të gjitha pikat e naftës në Shqipëri dhe në fund sajon një referendum, ku shqiptarët ftohen të zgjedhin mes Amerikës dhe Rusisë. Unë nuk do të doja t’i bëja të gjitha këto, por edhe nëse do të doja, natyrisht nuk do i arrija dot kurrë. Prandaj nuk ngjaj dot me Simon Shuterin, i cili është më i guximshëm se unë, më elastik dhe shumë më dinak. Ai shpëton nga situata në të cilat unë do kisha rënë në kurth.
Për shkak të Inteligjencës Artificiale – keni thënë ju – do të përjetojmë parajsën, pa pasur nevojë të vdesim. Një fjali që ngjall shumë debat, por sipas jush, cili është koncepti i parajsës që na pret në të ardhmen?
Kur kam shkruar këtë fjali, kam pasur parasysh dogmën e krijuar bashkë me Zotin, sipas së cilës e vetmja rrugë për të shkuar në parajsë është vdekja. Pra, librat e shenjtë, profetët dhe vetë Zoti na kanë mësuar se njerëzit e mirë shkojnë në parajsë, njerëzit këqij shkojnë në ferr. Ky premtim ka qenë një mundësi për të bindur njerëzit që të mos bëjnë keq, të mos vjedhin, të mos vrasin, të mos gënjejnë, të mos mashtrojnë, sepse shpërblimi i tyre do të jetë parajsa. Mirëpo ky premtim i Zotit nuk ka funksionuar. Shumë pak njerëz e kanë besuar dhe shumë më pak i janë bindur. Pra, parajsa e premtuar nuk i ka bërë njerëzit më të mirë.
Luftërat dhe grykësia vazhdojnë. Urrejtja është shtuar. Atëherë duhet të ketë një rrugë tjetër për të shkuar në parajsë para se të vdesësh, dhe kjo rrugë ndoshta kalon nga teknologjia. Nga shkenca. Ditën kur teknologjia do e përmirësojë njeriun duke e zhveshur nga interesat materiale, nga paraja, prona dhe puna fizike, njeriu do të jetojë vetëm për të kënaqur shpirtin e tij dhe kjo shoqëri njerëzore do t’i ngjajë parajsës më shumë se çdo gjë tjetër që kemi njohur. Pra, me pak fjalë, një ditë njerëzimi do të ketë mundësi ta ndërtojë dhe shijojë parajsën në tokë, pa pasur nevojë të vdesë paraprakisht. Prandaj them se rruga për në parajsë nuk kalon nga Zoti, por nga përmirësimi i racës sonë.
Inteligjenca Artificiale a po shfuqizon njeriun, jo vetëm në aspektin fizik?
Ne jemi shumë herët për ta parashikuar fuqinë dhe dobinë e Inteligjencës Artificiale, por unë mendoj se nëse ajo do ta zëvendësojë njeriun në shumë punë, do ishte diçka e mrekullueshme. Njeriu bën keq apo shumë keq shumë gjëra, që IA mund t’i bëjë shumë mirë, shumë shpejt dhe pa shpërblim. Pra, më mirë një polic artificial se një polic njerëzor dhe pa dyshim, më mirë një gjyqtar artificial sesa një gjyqtar që jep drejtësi emocionale apo me interes.
Bota do jetë më e mirë kur IA të marrë në dorë të gjithë burokracinë, përfshi shërbimet, bankat, mjekësinë e deri te marketingu, ndërtimi, arsimi dhe transporti. Nëse do më pyesni ç’do të bëjnë njerëzit, mund t’ju them se do bëjnë mamin dhe babin dhe do t’i kushtohen leximit, artit, pasurimit të shpirtit, shpikjeve, udhëtimeve dhe dashurisë. Kush ankohet pse në vend të peshkatarëve që rropaten nëpër dete, peshqit do t’i kapin ca robotë që nuk lodhen, nuk nxihen dhe nuk mbyten, jeton në të shkuarën. Ata do të kapin më shumë peshk se Jezu Krishti që iu desh të bënte një magji për të ushqyer të varfrit. Inteligjenca Artificiale do e bëjë këtë çdo ditë pa kërkuar adhurim. Kjo punë nuk do jetë një magji, por një detyrë.
“Profetët parashikojnë vetëm gjëra të këqija” – thotë Simon Shuter, mos ndoshta në libër ka edhe një “përplasje” mes fesë dhe teknologjisë?
Një “përplasje” që ndoshta qëndron që në titull? Simon Shuteri beson se pas disa shekujsh, njerëzimi do ketë perëndi të tjera dhe profetë të tjerë, pasi këta që kemi, e kanë kryer misionin e tyre dhe kanë dështuar. Bota nuk është më e mirë, luftërat nuk kanë reshtur, egërsia e njeriut nuk është fashitur, uria nuk është zhdukur. Kështu ka ndodhur disa herë në historinë e njerëzimit. Profetët dhe perënditë janë zëvendësuar shpesh. Para Krishtit dhe Mohamedit njerëzit besonin në gjëra të tjera më bazike dhe më pak mistike. Këta të dy krijuan dy histori fantastike dhe ndryshuan rrjedhën e historisë. Por 1000 vjet më vonë, ata do të jenë pjesë e librave dhe legjendave, siç janë sot Zeusi dhe Poseidoni apo Zarahustra tek të cilët nuk beson më askush.
Pra, si çdo gjë tjetër, edhe profetët, edhe besimi në Zot është i përkohshëm dhe sa më shumë dije të fitojë njerëzimi dhe sa më shumë pushtet të marrë për shkak të teknologjisë, aq më pak do besojë në gjërat që beson sot. Megjithatë, raporti i njeriut me besimin është i paparashikueshëm. Zoti humb kur njeriu është i lumtur. Vetëm kur është i dëshpëruar, njeriu shkon te Zoti. Unë nuk e parashikoj dot të ardhmen, megjithëse kam krijuar një maket të saj te romani “Parajsa Artificiale”, duke besuar se e ardhmja do jetë më e mirë se sotmja, siç është e sotmja më e mirë se e djeshmja.
Një roman që ka edhe dashuri brenda, në çfarë proporcioni qëndrojnë bashkë, ferri, parajsa dhe Inteligjenca Artificiale në këtë histori dashurie?
Përderisa shumë njerëz besojnë se jeta i ngjan më shumë ferrit se parajsës, do të thotë që ne e njohim ferrin më mirë dhe shumë më pak e njohim parajsën. Shumë njerëz besojnë se jeta i ngjan më shumë ferrit se parajsës, do të thotë që ne e njohim ferrin më mirë dhe shumë më pak e njohim parajsën. Dhe meqë shumicën e jetës e kalojmë në ferr, edhe në romanin tim vendin më të madh e zë ferri sesa parajsa. Një shkrimtar tjetër që e kishte bërë këtë llogari më tha se në këtë roman unë i kam kushtuar 89 faqe ferrit dhe 49 faqe parajsës.
Kur më pyeti nëse ky raport joproporcional ka ndonjë domethënie, i thashë se nuk ka, por ai tregon se unë, si të gjithë ne, e njoh më shumë ferrin se parajsën dhe prandaj kam shkruar më gjatë për të parin dhe më shkurt për të dytin.
Po dashurinë, si do ta ndryshojë Inteligjenca Artificiale?
Personazhi im thotë se dashuria në kohën e Inteligjencës Artificiale, pra shumë kohë më vonë, do jetë më e pastër, shumë më e bukur dhe njeriu do t’i kushtojë asaj gjithë jetën e vet. Imagjinoni sikur dashuria të jetë e çliruar nga xhelozia, pasiguria, tradhtia, lodhja, varfëria, pabarazia, plakja dhe shëmtia, se si do jetë. Imagjinoni si mund të jetë dashuria nëse njeriu gëzon një rini të përjetshme duke mundur plakjen.
Nëse Inteligjenca Artificiale na e zgjat jetën, na ndihmon të jetojmë pa sëmundje të rënda, na bën njerëz më të mirë, na heq nevojën për të gënjyer, për të vrarë dhe për të rrëmbyer atë që nuk na takon, atëherë përfituesi më i madh do jetë dashuria, sepse njeriu do të jetë plotësisht në funksion të saj. Dashuria është nevoja për të bërë mirë. Atëherë njeriu që nuk bën keq apo do ketë harruar të bëjë keq, do jetojë për të dashuruar njerëzit e tjerë, natyrën dhe artin. Kështu, njeriu mund të jetë një krijesë perfekte, pothuajse po aq e përkryer sa Zoti që ka krijuar vetë. Ka shumë njerëz që kur i pyesin çfarë është Zoti, thonë se Zoti është dashuri. Atëherë pse të mos jetë edhe njeriu dashuri përderisa ai ecën në gjurmët e Zotit?
Keni folur për të mirat që AI sjell për njerëzit, por a ka sot Ben Blushi një frikë për Inteligjencën Artificiale, diçka që mund të shkojë keq në të ardhmen?
Unë nuk kam asnjë frikë nga Inteligjenca Artificiale sepse besoj se ajo nuk ka asnjë arsye t’i bëjë keq njeriut. Inteligjenca Artificiale jeton për të shërbyer. Ajo nuk do pasuri, nuk do pushtet, nuk kërkon shpërblim, nuk kërkon rrogë, nuk kërkon të shkojë me pushime, nuk kërkon të martohet, nuk ka fëmijë, nuk ka frikë nga vdekja, nuk beson në Zot dhe prandaj nuk bën keq. Atëherë pse duhet të kem frikë nga një makinë që i ngjan njeriut duke e tejkaluar në shpejtësi dhe që nuk e përdor trurin e vetë special për të përfituar
Ben Blushi si gazetar, si shkrimtar dhe politikan, kë mendoni se bëni më mirë nga këto tri profesione? Ku gjendeni më komod?
Unë jetoj për të shkruar dhe kjo më shijon më shumë se çdo punë që kam bërë më parë në jetë.
Çfarë iu frymëzon të shkruani zakonisht? Ka një ndodhi, një zhvillim, apo një gjendje që iu shërben si muzë?
Vjen një moment kur nuk ke nevojë as për muzë dhe as për frymëzim të caktuar, por vetëm për qetësi. Nëse truri yt është i qetë dhe nuk kërcen në gjëra të tjera, mund të jesh një shkrimtar i mirë. Të jesh në një gjendje qetësie për të menduar nuk është shumë e lehtë në ditët tona dhe nuk varet shumë nga ty, sidomos në rastin tim kur personazhet që kam pasur nëpër disa libra, nganjëherë dalin që aty, marrin rrugët dhe mikrofonat dhe më sulmojnë me sa kanë fuqi. Atëherë unë duhet të mbrohem dhe të shkëputem përkohësisht nga shkrimi, derisa t’i mund apo të më mundin siç ka ndodhur jo rrallë. Kështu që në rastin tim, qetësia e të shkruarit nuk është asnjëherë e garantuar, sepse jetët që kam bërë më parë, kanë qenë të mbushura me shumë dallgë, të cilat më lagin akoma.
Simon Shuter krijoi një luftë për një grua, cila është çmenduria më e madhe që Ben Blushi ka bërë për një grua?
Siç të thashë, unë nuk barazohem dot me Simon Shuter. Ai më mund në çdo aspekt, përfshi edhe në mënyrën si e shijon dhe e administron jetën e vet private. Ai është shumë kurajoz dhe nuk ka frikë t’i tregojë historitë e veta. Unë jam më i varfër në këtë drejtim dhe prandaj shumë më i heshtur. Unë shijoj sukseset e tij të vjetra dhe të reja dhe kjo më mjafton./Panorama/ KultPlus.com