Fotografi të rralla të cilat tregojnë gjurmët e pashlyeshme të masakrës së Srebrenicës (FOTO)

Më 11 korrik 1995, gati në përfundim të luftës, ushtarët serbo-boshnjakë sulmuan njërin nga vendet i cili ishte përcaktuar si “strehë e sigurt” nga OKB-ja. Ushtarët serbo-boshnjakë mblodhën burra të moshës ushtarake, ku përfshiheshin djem të ri dhe burra të moshuar.

Gjatë ditëve që pasuan, ata i ekzekutuan dhe i hodhën trupat e tyre në gropa të pyjeve përreth. Ekzekutimet ishin të mirë-planifikuara dhe ushtria serbe bëri përpjekje të vazhdueshme për të fshehur gjurmët e këtij aktiviteti e saj.

Ndërsa vrasjet e shumta ndodhën brenda pak ditësh, procesi i gjetjes së trupave mori vite, dhe procesi i identifikimit dhe e varrosjes siç duket vazhdon edhe sot, më shumë se 1,000 persona janë ende të listuar si të zhdukur. Gjykatat ndërkombëtare kanë dhënë një numër dënimesh për gjenocid lidhur me vrasjet e Srebrenicës ndërsa disa gjykime dhe apele janë ende në vazhdim.

KultPlus ju përcjellë përshkrimin dhe 15 fotografi të rralla që lidhen me gjurmët e pashlyeshme që ka lënë kjo masakër në historinë e luftërave.

1. Mejra Djogaz, 66 vjeçare mban në duar një foto të tre djemve dhe burrit të saj në Srebrenicë, Bosnje dhe Herzegovinë, më 4 korrik 2015. Tashmë e vetmuar, kujtimi i vetëm që i ka mbetur nga familja janë disa fotografi.

Kjo foto është shkrepur më 12 korrik të vitit 1995, ku shihen disa nga 20,000 gra muslimane nga enklava lindore boshnjake e Srebrenicës. Ato së bashku më fëmijët e tyre presin për transport, në fshatin Potocari, 5 kilometra në veri të Srebrenicës.

3. Në këtë foto është e paraqitur një grua me nënën e saj, të cilat ishin refugjate nga Srebrenica. Ato derdhin lot pranë njëra-tjetrës , sepse nuk e dinë asgjë lidhur me fatin e pjesës tjetër të familjes së tyre, të cilët ndodheshin një bazë të OKB-së, 12 kilometra në jug të Tuzllës, në Bosnje dhe Herzegovinë, më 13 korrik 1995. Në dorën e gruas më të re shihet një karton që përmban ujë mineral që dhurohej OKB-ja.

4. Në këtë fotografi shihet një grua boshnjake e cili i përkiste besimin islam ndërsa është shfaqur teksa kërkon ndihmë nga ndërkombëtaret në gjetjen e mijëra burrave të humbur nga qyteti i Srebrenicës, që ishin marrë nga forcat serbe të Bosnjës. Prapa saj gjendet një mbishkrim ku shkruan: “Srebrenica. Ku janë burrat, vëllezërit dhe bijtë tanë?”.

5. Një ekspert finlandez i mjekësisë ligjore shikon eshtrat e një prej më shumë se 100 muslimanëve të vrarë në një kodër, thellë në territorin serb të Bosnjës më 2 korrik 1996.

6. Një ekspert finlandez i mjekësisë ligjore vendos një numër tjetër pranë kafkës së një viktime të Srebrenicës që gjendet në kodrat mbi fshatin Kravica, 15 kilometra në veriperëndim të Srebrenicës më 5 korrik 1996.

7. Në këtë fotografi shihen gjurmët e kufomave të paidentifikuara që janë të vendosur afër mureve të një strehimoreje nëntokësore në një morg në Tuzla më 28 mars 1997. Aty janë mbështjellë viktima të cilat janë gjetur në varre masive dhe në zona të pyllëzuara pas masakrës së Srebrenicës më 1995.

8. Aida Civic është një grua boshnjake e refugjatëve myslimanë nga Srebrenica, ajo në këtë foto shihet teka bërtet pasi hyn në një vend ku gjenden rreth 3,500 muslimanëve boshnjakë të vrarë, shumica prej tyre nga ish zona e sigurt e Srebrenicës.

9. Hajra Catic në këtë fotografi shfaqet para imazheve të viktimave të gjenocidit në Tuzla më 11 qershor 2015. Catic është njëra nga mijëra gratë që ende kërkojnë eshtrat e të afërmve të tyre edhe 20 vjet pas masakrës së Srebrenicës. Me ndihmën e Edmin Jakuboviç, i cili ishte personi i fundit që e ka parë djalin e saj të plagosur në terren, Hajra Catic ka qenë vazhdimisht në kërkim të djalit të saj në pyll. Ajo ndihet e frikësuar se nëse nuk arrin t’i gjej eshtrat e tij, do të jetë sikur ai të mos ketë ekzistuar kurrë. E gjitha që i ka mbetur nga djali i saj sot është fotografia e tij.

10. Në këtë fotografi është i mbijetuari i masakrës në Srebrenicë, Nedzad Avdiç, 37 vjeçar, i cili shihet teksa prek emrat e gdhendur të atyre që janë vrarë në një masakër dhe varrosur në Qendrën Përkujtimore në periferinë e Potocarit në Srebrenicë më 27 qershor 2015. Ai ishte 17 vjeç kur u bashkua me një grup njerëzish që u përpoqën të iknin nëpër pyje. Grupi i tij u gjuajtën nga ushtarët serbë dhe më pas u dërguan në një shkollë për ekzekutim.

11. Qendra përkujtimore në Potocari afër Srebrenicës, Bosnje dhe Hercegovinë. Kjo fotografi është bërë më 20 qershor të vitit 2015.

12 Kjo foto paraqet 5 vjeçaren, Ema Hasanoviç e cila në atë kohë ishte një vajzë e vogël muslimane nga Bosnja. Në këtë fotografi ajo shihet teksa bën homazhe pranë arkivolit të xhaxhait të saj, në Qendrën Përkujtimore në Potocari më 9 korrik 2014.

13. Në këtë fotografi shihet një gërmues teksa fshin djersët e tij gjatë kohës sa ishte duke përgatitur varre në një qendër përkujtimore për viktimat e masakrës së Srebrenicës në Potocari, më 5 korrik 2015.

14. Subjekti i kësaj fotografie është një burrë mysliman nga Bosnja i cili po kërkonte varrin e një të afërmit të tij në Srebrenicë më 11 korrik 2014.

15. Kjo fotografi është shkrepur më 4 korrik të vitit 2015. Në fotografi shihet 66 vjeçarja, Hanifa e cila po qëndron në pragun e shtëpisë së saj në Srebrenicë kurse në duart e saj mban një kuti duhani. Këtë kuti ia kishte lënë djali i saj Sabahudin. “Ruaje këtë kuti për mua, kështu që kur unë të kthehem mund të vendos cigaret e mija përsëri këtu”, i kishte thënë i biri. Pas këtij momenti ajo nuk e pa më kurrë të birin. / KultPlus.com

Armend Mehaj: Heshtja është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj sot ka përkujtuar gjenocidin në Srebrenicë nga forcat serbe që masakruan mbi 8 mijë njerëz. Mehaj së bashku me nënat, gratë, bijtë e bijat e mbijetuara të Srebrenicës dhe me zemrat e copëtuara të tyre, përkujtuan viktimat.

Ai tutje është shprehur se mban shpresa për për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat e Krushës së Madhe, Mejës, Izbicës, Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Abrisë, Rezallës, Dubravës, Qyshkut, Reçakut, Makovcit, Suharekës, Kotlinës, Llashticës, e shumë masakra e krime tjera në Kosovë si dhe për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat në Sanxhakun e Nishit, Gjilanit, Karadakut, Drenicës dhe gjithë Kosovën përgjatë një shekulli.

“Bota nuk duhet të heshtë. Ne nuk duhet të heshtim. Heshtja është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm. Heshtja mbetet pastaj krimi i vërtetë kundër njerëzimit”, ka shkruar ai.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Sot, me ftesë zyrtare të organizatorëve, si përfaqësues shtetëror të Republikës së Kosovës, së bashku me zv.kryeministren Rexhepi dhe ministrin Krasniqi, ishim në Memorialin e Gjenocidit në Srebrenicë, ku bashkë me nënat, gratë, bijtë e bijat e mbijetuara të Srebrenicës dhe me zemrat e copëtuara të tyre, përkujtuam mbi 8 mijë burrat dhe djemtë e tyre të rinj boshnjakë myslimanë të cilët para 26 vjetësh u masakruan nga forcat kriminale të Ushtrisë Serbe.

Lutjet tona qofshin bekim i Zotit për shpirtrat e burrave dhe djemve të pafajshëm të Srebrenicës!

Në tokën me eshtrat dhe hirin e tyre, u rritshin e lulëzofshin gjithmonë lulet simbol me petale të bardha!

Aroma e tyre u shpërndaftë kudo në Botë me Shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për Srebrenicën,

Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat e Krushës së Madhe, Mejës, Izbicës, Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Abrisë, Rezallës, Dubravës, Qyshkut, Reçakut, Makovcit, Suharekës, Kotlinës, Llashticës, e shumë masakra e krime tjera në Kosovë;

Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat në Sanxhakun e Nishit, Gjilanit, Karadakut, Drenicës dhe gjithë Kosovën përgjatë një shekulli.

Në bazë të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe Konventës së Gjenevës mbi Krimet e Luftës, krimet e luftës nuk vjetërsohen.

Bota nuk duhet të heshtë.

Ne nuk duhet të heshtim.

Sepse HESHTJA është vrasja e dytë e srebrenicasëve dhe qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm.

Heshtja mbetet pastaj krimi i vërtetë kundër njerëzimit.

Prandaj qendrat e vendimmarrjes së botës demokratike, nuk duhet të dorëzohen.

Ende është dhe duhet të jetë e fuqishme ndërgjegjja njerëzore, sepse gjëma e nënave të viktimave nuk pushon kurrë, e shpirtrat e viktimave nuk qetësohen pa fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës.

Vetëm duke ndjekur penalisht të gjithë autorët serb të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit mund të parandalohen gjakderdhjet në të ardhmen.

Sepse, siç thotë ish- zonja e parë e SHBA-së, Eleanor Roosevelt, “Nuk është e mjaftueshme për të folur për paqen. Duhet besuar në të. Dhe nuk është e mjaftueshme për të besuar në të. Duhet punuar për të.”

Dhe duhet punuar për paqen, sepse ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme.

Ia kemi borxh ndërgjegjes sonë që thirret pa pushim nga viktimat e pafajshme. / KultPlus.com

Osmani: Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se në 26-vjetorin e masakrës ndajnë dhimbjen bashkë me nënat e Srebrenicës.

Ajo ka thënë se askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë.

“Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten”, ka shkruar ajo.

KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:

Sot, bota kujton 26-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, barbarisë së paparë të forcave gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19-të të vrarëve atëkohë (bashkë me mbi 8 mijë boshnjakë të tjerë) sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes!

Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë. Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten.

Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, ditë më parë miratoi Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, me të cilën Kosova e dënon gjenocidin e organizuar dhe të kryer nga forcat gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit.

Ka vetëm një të vërtetë: në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid. Këtë duhet ta pranojë secili, këtë duhet ta themi të gjithë, këtë duhet ta kujtojmë gjithnjë!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për më shumë se 8 mijë të masakruarit në Srebrenicë! / KultPlus.com

26 vjet nga masakra e Srebrenicës, varrosen eshtrat e 19 viktimave

Eshtrat e 19 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë varrosen sot në Qendrën Përkujtimore Potoçari.

Viktima më e re që varroset është Azmir Osmanoviq, i cili ishte 16 vjeç kur u vra. Eshtrat e tij u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan në maj të këtij viti.

Viktima më e vjetër që varroset është Husein Kurbashiq – 63 vjeç në kohën kur u vra.

Bosnje dhe Hercegovina shënon sot 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i hodhën në gropa në pyjet përreth.

Vrasjet ndodhën për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave mori vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

Në Qendrën Përkujtimore Potoçari, deri më tani, janë të varrosura mbi 6,650 viktima – në mesin e tyre mbi 430 të mitur.

Në lokacione të tjera, sipas dëshirës së familjarëve, janë të varrosura mbi 230 viktima, ndërsa kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1,000 të zhdukur.

Masakra e Srebrenicës, e cila ndodhi pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, u cilësua si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë, me të cilën kërkoi falje për masakrën e Srebrenicës. Serbia është dashur të bëjë më shumë për të parandaluar tragjedinë, u tha në tekst.

Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në të gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të veprojnë ngjashëm.

Zona ku ndodhi masakra e Srebrenicës ruhej nga paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara.

Në vitin 2019, një gjykatë holandeze konstatoi se Holanda ishte pjesërisht përgjegjëse për 350 vdekje në masakrën e Srebrenicës. / Koha.net / KultPlus.com

“Nermin hajde, ata nuk do të vrasin”: Thirrja e babait boshnjak që u përjetësua në skulpturë

26 vite më parë, një banor i Srebrenicës po e thërriste të birin me aq zë që kishte, për t’iu dorëzuar ushtarëve serbë sepse, siç citohet të ketë thënë ai, nuk do t’i bënin asgjë.

13 vjet më pas, më 2008 trupi i djalit të Ramos, Nerminit, u gjet së bashku me shumë trupa të tjerë të boshnjakëve të vrarë, në një varrezë masive.

E thirrja e mekur e këtij babai, në 20 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ishte gurëzuar në një skulpturë të punuar nga autori Mensud Keco.

Vepra paraqet thirrjen e Ramos, me plotë shpresë ndaj të birit, ani pse e dinte se po e sillte në duar të ushtarëve serbë.

Kjo ngjarje ka prekur zemrat e të shumtëve, andaj i është kushtuar edhe kjo vepër arti.

Ndryshe, 26 vjet më parë në Srebrenicë forcat serbe kishin ushtruar gjenocidin më të tmerrshëm që nga Lufta e Dytë Botërore në popullatën boshnjake, duke lënë mbi 8 mijë viktima. / gazetametro.net / KultPlus.com

Kurti: I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave, kurrë më mos pastë Ballkani e as bota, shtete me ambicie gjenocidale

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot ka përkujtuar 26 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe të Serbisë ndaj viktimave boshnjake, shkruan KultPlus.

Ai poashtu ka bërë të ditur edhe vendimin e miratuar disa ditë më parë në Kuvendin e Kosovës ku dënohet gjenocidi në Srebrenicë.

Tutje, ai ka folur edhe rreth kërkesave dhe dëshirave të tij mes kombeve në Ballkan duke potencuar se e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet dhe vendosur drejtësinë.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Sot është 26 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë, ushtruar nga forcat serbe e të Serbisë mbi viktimat boshnjake. Institucione të ndryshme ndërkombëtare, ndër të cilat edhe Parlamenti Evropian, e kanë shpallur 11 korrikun datë të përkujtimit të masakrës më mizore që ka njohur Evropa pas Luftës II Botërore.

Disa ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe ftohet Qeveria e Kosovës të nderojë viktimat dhe kujtimin e kësaj date.

Në atë rezolutë pika nr. 5 shkruan se Kuvendi i Kosovës:

“Fton të gjitha shtetet e rajonit, që të bëjnë përpjekje shtesë për t`i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.”

Ndërsa pika nr. 6 vë në pah se kjo rezolutë:

“Shfaq gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe u bën apel shteteve të rajonit për përmirësimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe të bashkëjetesës ndërmjet popujve, me qëllim të përmirësimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik të shteteve të Ballkanit Perëndimor.”

Ne duam paqe, bashkëpunim, dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Por themeli i asaj paqeje është ndëshkimi i kriminelëve. Është e pamendueshme se si, edhe në shekullin XXI, ka politikanë në rajonin tonë, që thonë se ata që kërkojnë ndëshkimin e fajtorëve për gjenocid qenkan kundër dialogut e kundër fqinjësisë së mirë. Përkundrazi, e vetmja fqinjësi e mirë zhvillohet duke dënuar krimet e vendosur drejtësi, dhe i vetmi dialog i mirë ndodh kur palët nuk tremben nga distancimi prej krimeve.

I përjetshëm qoftë kujtimi i viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, kurrë më mos pastë Ballkani, e as bota, pushtete e shtete me ambicie gjenocidale. / KultPlus.com

Sot, 26 vjetori i Srebrenicës, masakra më e rëndë në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore

11 Korriku, tashmë datë që kujton gjenocidin serb në Srebrenicë, ku rënia e Srebrenicës, pasoi me rreth 8 mijë burra dhe djem, të moshës 12 deri 77 vjet, që u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Në mbrëmjen e 11 korrikut, Gjenerali i forcave serbe në Bosnjës Ratko Mlladiç, duke përfshirë formimin e “paraushtarakeve Skorpions”, nën kontrollin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, hyri në Srebrenicë, ku rreth 30 mijë refugjatë mysliman u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandez në Potoçari, në veri të Srebrenicës.

Me pretendimin që “nuk kishte arsye për frikë” Mlladiç u përpoq t’i qetësonte myslimanët boshnjak të grumbulluar në zonën e sigurt të Potoçarit, duke i futur në autobusë, kinse për largimin e tyre, por Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, gjë që krijoj shqetësim për fatin e burrave.

Reth 15 mijë ushtarë dhe civil myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.

Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djem, të moshës 12 deri 77 vjet, u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.

Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varr. / KultPlus.com