Festimet e 112-vjetorit të pavarësisë, Tirana pret mbi 10 mijë pjesëmarrës në “Paradën Shqiptare”

Kryeqyteti shqiptar feston sot 112-vjetorin e pavarësisë.

Bashkia e Tiranës ka parashikuar edhe një kalendar të pasur me aktivitete dhe ngjarje kulturore.

Në mesditë, duke nisur nga ora 12:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të zhvillohet “Parada e Shqiptarëve”, ku Tirana pritet të vishet e gjitha kuq e zi. Të pranishëm në paradë pritet të jenë mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë kudo ku flitet shqip. Në paradë do të jenë të pranishme përfaqësues nga 150 qytete, ndërsa llogariten mbi 10 000 të pranishëm.

Pjesëmarrësit dhe grupet artistike do të nisin përgatitjet prej orës 9 me 28 Nëntor për të nisur aktivitetin e Paradës Shqiptare në orën 12 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Parada kuqezi” nis nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës dhe do të përshkojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”. Parada do të realizohet për të dytin vit radhazi, duke i dhënë kryeqytetit rolin e një qendre të përbashkët për kremtimin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë.

Parada Shqiptare për festat e Nëntorit synon të rikthejë vëmendjen tek vlerat e kostumeve popullore, riteve, traditave por dhe trashëgiminë e historisë së kombit te brezat e rinj.

Pas paradës do të zhvillohet dhe ceremonia e ngritjes së flamurit, e parashikuar në orën 13:40.

Paralelsiht me zhvillimet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera si Panairi i Artizanëve, që do të zhvillohet te Pazari i ri, zona e Markatës së Gjelbër.

“Festivali i Artizanatit dhe Qeramikës” do të shfaqë dhe mbështesë diversitetin dhe aftësitë e jashtëzakonshme të artizanëve lokalë në disiplina të ndryshme artizanale. Ky festival synon të krijojë një treg plot jetë ku artistët, zejtarët dhe krijuesit mund të shfaqin punën e tyre, të angazhohen me publikun dhe të nxisin vlerësimin për mallrat e punuar me dorë.

Festivali do të shfaqë një shumëllojshmëri produktesh të punuar me dorë, duke përfshirë qeramikë, bizhuteri, tekstile, punime druri, punime metalike, artikuj lëkure dhe më shumë. Çdo artizan do të ketë një zonë ekspozimi ku vizitorët mund të shikojnë dhe blejnë krijimet e tyre. Tregu do të ofrojë artikuj unikë, të veçantë, duke promovuar idenë e mbështetjes së talenteve vendase mbi produktet e prodhuara në masë.

Në të njëjtën datë, është teatri “Linda” që shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar, ndërsa koncerti “Eloquent Echoes” do të jepet në ambientet e Kishës Katolike në kryeqytet. “Ky projekt synon të paraqesë përpara publikut të kryeqytetit instrumentistë të rinj, si dhe pedagogë në Real Conservatorio Superior de Musica de Madrid, si dhe Korin “Siparantum”, një ndër koret më të mira aktualisht në rajon./atsh/KultPlus.com

Sot festohet 28 Nëntori, kjo është historia e ditës kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë

Sot mbushen 112 vjet nga dita kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.

Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.

Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.

Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, me pushkë dhe me penë.

Dita e Flamurit, 28 Nëntori, shënohet pothuajse kudo që flitet shqip.

Kjo datë në të cilin në vitin 1912 është shpallur pavarësia e shtetit shqiptar në katër vilajetet shqiptare, përbën edhe histori të tjera për shqiptarët.

Me 28 Nëntor është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari dhe data kur UÇK doli për herë të parë publikisht, në vitin 1997 në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Drenicës.

Krejt këto bëjnë që emocionet e shqiptarëve në Kosovë në këto ditë nëntori të jenë të mëdha, dhe pothuajse çdo gjë merr ngjyrën e festës.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008, u vendos që festë zyrtare të jetë 17 Shkurti, dhe 28 Nëntori mbeti vetëm tek festat memoriale. Kjo doli nga pakoja e Ahtisaarit, përmes së cilës edhe u shpall pavarësia.

Derisa 28 Nëntori nuk bënë pjesë në kalendarin zyrtar të festave në Kosovë, aty ka data të tjera që shënohen me festë dhe ditë pushimi, por që konsiderohen si të panevojshme./ KultPlus.com

Bateritë e ‘Tony Drum Studio’ sjellin magjishëm Himnin e Flamurit

Bateristë të shumtë në kuadër të ‘Tony Drum Studio’ për nder të ditës së 28 Nëntorit kanë sjellur perfomancën e tyre më të re, shkruan KultPlus.

Teksa jemi mësuar që vargjet e Himnit të Flamurit të përcjellen me plotë emocione nga interpretues të shumtë, kësaj radhe këta bateristë kanë lënë që melodia të flas vetë.

Instrumentet e shumta muzikore dhe manovrimet me gishtat e performuesve kanë sjellur një version tejet të këndshëm të Himnit të Flamurit.

Një melodi e fuqishme e dalë nga bateritë, e mbështjellur me ndjenjat që përçohen te audienca me Himnin e Flamurit, kanë bërë që ky interpretim të del fantastik.

Kujtojmë që ‘Tony Drum Studio’ herën e kaluar kanë bërë bujë nëpërmjet interpretimit të Bareshës. / KultPlus.com