Pavarësia nisi të shpallej nga Gjakova, në Plavë e Guci; nga Peja në Ohër dhe Strugë; nga Tetova në Prizren, Mitrovicë e Çamëri, si dhe në kolonitë shqiptare.
Trevat që u shpallën të pavarura u përfaqësuan me delegatë në Vlorë më 28 nëntor 1912, shkruan Jano Brahaj në gazetën “Shqiptarja”.
Nga Kuvendi Kombëtar i 28 nëntorit 1912 u proklamua Pavarësia e tokave Shqiptare, që deri në atë datë ishin nën pushtimin e Perandorisë Otomane dhe u ngrit flamuri Kombëtar Shqiptar. Ky Kuvend, është një akt historik për kombin shqiptar, sepse aty me mandatin e popullit ishin delegatët nga Gjakova, Plava, Gucia, nga Peja, Ohri dhe Struga, nga Tetova, Çamëria, nga Mitrovica dhe sipas disa të dhënave, në këtë Kuvend kishte delegatë dhe nga pakicat kombëtare, që jetonin në trojet shqiptare. Delegatë kishin ardhur dhe nga kolonitë shqiptare, pa përmendur delegatët, që morën pjesë në këtë Kuvend nga viset e Shtetit Shqiptar të pas vitit 1913. Pjesëmarrja e delegatëve nga mbarë trojet shqiptare në Kuvendin Historik të vitit 1912, e saktësoi zyrtarisht vazhdimësinë e Flamurit Kombëtar Shqiptar, ashtu siç ishte pranuar po ky flamur, në Kuvendin e Lezhës me 2 mars 1444, me vendimin që mori për krijimin e Lidhjes Shqiptare të Lezhës me kryekapedan Skënderbeun dhe me flamur prijës të ushtrisë arbërore, flamurin e derës së Kastriotëve. Çdo shtet ka të përcaktuar territorin e tij në të cilin shtrihet juridiksioni i tij.
Kuvendi i Vlorës e formoi shtetin e tij me vullnetin shqiptar, të shprehur nga delegatët dhe me përfshirje të mbarë territoret etnike shqiptare të pushtuara nga Turqia dhe nuk kishte asnjë pretendim për territoret e përfshira në shtetet ballkanike, që ishin formuar para shtetit shqiptar në fillim të shekullit XIX. Kjo ishte e drejtë legjitime e popullit dhe e qeverisë shqiptare. Dihet se administrata dhe forca e pushtetit të qeverisë së Vlorës nuk arriti të shtrihej në pjesën më të madhe të tokave shqiptare. Por solidarizimi dhe mbështetja e mbarë popullit shqiptar është e shfaqur hapur, duke treguar se shpallja e pavarësisë ishte aspiratë dhe vepër e mbarë shqiptarëve. Konka e ngjarjeve në njohjen dhe mbështetjen e Qeverisë së Vlorës është e pasqyruar në dokumente e kronika të kohës.
Bashkimi rreth Flamurit Kombëtar Shqiptar
Siç jemi njohur, edhe para 28 nëntorit 1912, flamuri kombëtar shqiptar ishte lartësuar e praktikuar, por deri më këtë datë ai ishte vetëm shenjë e simbol dallues kombëtar, kurse që nga Kuvendi i Vlorës, ai është simbol kombëtar dhe shtetëror. Lajmi i gëzuar i shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur, u përhap menjëherë në të gjitha krahinat e trojeve shqiptare dhe u prit më gëzim e entuziazëm. Megjithëse tokat shqiptare në pjesën më të madhe ishin të pushtuara nga serbët, malazezët e grekët, shqiptarët u mblodhën në kuvende krahinore, për të përshëndetur vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, dhe këto kuvende morën vendime për të pranuar qeverisjen nga Qeveria Provizore Kombëtare e Vlorës.
Kruja
Nga Kruja u lajmërua Ismail Qemali se është afruar ushtria serbe, dhe armiku kishte dërguar 16 kalorës, që t’u thoshin krutanëve të dorëzohen pa luftë. Krutanët ishin për shpalljen e pavarësisë dhe kishin nisur edhe delegatin e tyre, Mustafa Asim Krujën. Ata ngritën flamurin dhe dërguan një delegacion me flamurin shqiptar në dorë dhe u thanë serbëve: “Zotërinj, luftoni me Turqinë, por edhe ne kemi luftuar dhe po luftojmë kundër Turqisë. Ky flamur që kemi ngritur është i Shqipërisë”. Ata (pararoja serbe), i uruan krutanët dhe ju lutën, që t’ju japin bukë. Të nesërmen, kur erdhën forcat ushtarake serbe, nuk e njohën flamurin e Shqipërisë dhe bënë masakra.”
Durrësi
Në Durrës Hamit Toptani, organizoi kuvendin dhe sipas porosisë së Ismail Qemalit, kur pa se po afrohej ushtria serbe, më 26 nëntor ngriti flamurin.
Shkupi
Megjithëse i pushtuar qyteti i Shkupit, një grup shqiptarësh mblidhen dhe me një ceremoni të organizuar, i drejtojnë një telegram përshëndetjeje dhe solidarizimi Qeverisë Shqiptare të Vlorës, në mesin e dhjetorit 1913. Këtë njoftim e kemi nga gazeta “Shqypnija e Re”, 22 qershor 1913.
Tirana
Tirana e shpalli vetëqeverimin, që me datën 27 nëntor, duke ngritur me një ceremoni flamurin kombëtar. HIMARA Sipas raportit të konsullit austriak Lejhanec në Vlorë, më 28 nëntor 1912, flamuri kombëtar shqiptar u ngrit dhe në Himarë, ku kishte shkuar posaçërisht për këtë qëllim, përfaqësuesi i zgjedhur nga Vlora, Eqrem Bej Vlora. Po sipas këtij konsulli: “Grekët në Himarë… me të parë flamurin shqiptarë e kishin pushuar menjëherë zjarrin e luftës…”. Por, kjo ka ndodhur vetëm përkohësisht, sepse më vonë vazhduan luftimet për mbrojtjen e kësaj zone nga shqiptarët.
Ulqini
Ulqinakët e traditave mijëravjeçare te detarisë, që ishin nën pushtetin e Malit të Zi, gjetën një mënyre origjinale për të shprehur entuziazmin e lajmit të shpalljes se Pavarësisë. Anijet dhe varkat e ulqinakeve ngritën flamurin me shqiponjën dykrenore. Kapiteni i anijes ulqinake Ymer Fasllija, e shpuri anijen e tij me Flamurin Kombëtar Shqiptar ne portin e Tivarit. Për këtë u burgos dhe pagoi edhe një gjobë.
Peja
Në Pejë u kremtua Shpallja e Pavarësisë në fillim të janarit 1913. Një dëshmi e viteve më vonë dëshmon, se ky flamur i vizatuar nga një dorë e pastërvitur, ruhej deri në vitin 1941, si një relike e çmueshme e frymëzues për beteja e përpjekje për liri. Ky flamur u ngrit prapë në vitin 1941 dhe për mbrojtjen që të mos rrëzohej u vranë 5 veta vetëm për pak minuta. Peja, nën pushtuesin serb, lajmin e shpalljes së pavarësisë e priti me gëzim. Kjo krahinë në kuvendin historik kishte nisur përfaqësuesit e saj.
Prizreni
Në Zym (Prizren), në ditët e para të vitit 1913, sapo u larguan ushtritë serbe e malazeze, popullsia, e mbledhur dhe nga fshatrat përreth, me një solemnitet që e drejtoi Pater Pashk Prelaj, ngriti flamurin kombëtar, duke përshëndetur Qeverinë e Vlorës e duke e njohur si të vetmen qeveri të ligjshme të të gjitha tokave shqiptare.
Gjakova
Sipas një dokumenti në Arkivin Qendror të Shtetit Tiranë (F. 71, dok. Nr.11753) njihemi se “Pas luftimesh të rrepta, Gjakova u çlirua nga shqiptarët dhe Prizreni është rrethuar sot…”. PUKA Ngritja e flamurit kombëtar në Pukë u bë në kushtet e pushtimit serb. Me nismën e prifti të ri Gasper Thaçi, malësorët dhe paria e krahinës së Pukës, vendosën, që të mblidhen në kuvend në fshatin Qelëz dhe të shpallin njohjen dhe bashkimin me Qeverinë Shqiptare të Vlorës, dhe ngritën flamurin kombëtar me ceremoni. Ata dërguan një delegacion në komandën ushtarake serbe në Pukë, duke e njoftuar, se nuk i njohin asnjë lloj pushteti, prandaj të largohet.
Mitrovica
Pas shpalljes së pavarësisë kombëtare, njoftimin e parë e kemi nga rrethinat e Mitrovicës. Ky lajm flet, se flamuri, që u a kishte dhënë shumë më përpara malësorëve Hasan Prishtina, ata kur dëgjuan se është shpallur pavarësia shqiptare, megjithëse në luftë me pushtuesit sllavë, ato ditë të dhjetorit 1912, flamurin shqiptar e ngritën në majën e Veskovsit, që gjendet midis Shalës e Llapit. OHRI Më 27 shtator 1913 marrim vesh se në Ohër është ngritur qeveria shqiptare (administrata krahinore) dhe valon flamuri kombëtar shqiptar, (Shqipnija e Re, 28 shtator 1913). Po kjo gazetë lajmëron me datë 5 tetor 1913, se në Ohër është ngritur flamuri shqiptar dhe veprohet sipas administratës shqiptare.
Shkodra
Ismail Qemali, më 2 janar 1913 i dërgoi telegram Esat Pashë Toptanit, ku i kërkon ngritjen e flamurit kombëtar në Shkodrën e rrethuar. “…Meqenëse, në fakt, aspirata e fundit e malësoret është pavarësia e Shqipnisë, duke e parë të ngritur flamurin e kombit, shpëtimi i kombit tonë dhe jeta e tij e amshuar do të jenë të siguruara…”. Revista “Hylli i Dritës” në vitin 1937, na njofton se Hasan Riza Pasha kishte kontaktuar me parinë e Shkodrës dhe kishte rënë dakord, që edhe garnizoni turk të ngrinte flamurin shqiptar. Këtë fakt na e përmend edhe Mithat Frashëri, në shkrimin: “Javët e fundit të sundimit turk në Shqipëri”, që e ka botuar në revistën “Dituria”, Tiranë, 1927, nr. 3, f. 81-85. “Hasan Rizaja mendoi të qitëte flamurin e Shqipërisë indipedente në mënyrë, që malësorët… të drejtojnë fuqinë e tyre drejt mbrojtjes së qytetit.” “Esad Toptani, komandant i redifëve në këtë qytet për rrjedhjen e punës dhe Hasan Rizaj do vritesh pak ditë më vonë, prej një njeriu të Esadit, duke dalë nga shtëpia e tij. Kështu, një veprim që ishte filluar, po ndalesh në mes me një krismë pushke dhe mbaronte krejt me dorëzimin e Shkodrës”. Në Shkodër flamuri kombëtar u ngrit në maj 1913, sipas njoftimit të gazetës “Besa Shqiptare” e dt. 22 maj.
Dibra
Qytetit të Dibrës në ato ditë të pragshpalljes së Pavarësisë po i afrohej ushtria serbe. Për t’i dalë përpara kësaj murtaje, dibranët u mblodhën dhe pleqëruan dhe vendosen e ngritën flamurin kombëtar, por ato, dibranët kishin një flamur të përmasave të vogla për këtë ngjarje. Dërguan dy kalorës deri në Elbasan. Në Elbasan “rrëmbyen” flamurin e tyre dhe u thanë elbasanësve të bëjnë një tjetër, se këtyre po ju afroheshin serbët.
Vau i dejës (Shkoder)
Me nismën e Shtjefën Gjeçovit dhe të Nikoll Sheldisë, megjithëse Shkodra ishte e rrethuar, në vendin historik, tek Kisha e Shën Markut, u ngrit flamuri i kombit me një kuvend e besëlidhje të mbarë krahinës. Ceremonia e ngritjes së flamurit u bë në mbrëmje, ku u shkrehën pushkë e u ndezën zjarre. Nga trashëgimia e Gjeçovit, që ruhet në AQSH, kemi dhe një letër që ky i dërgon Kryetarit të Qeverisë Shqiptare në Vlorë.
Kthella, (Mirditë)
Me të marrë telegramin nga Nikoll Kaçorri, Pal Doda nga Rubiku lajmëron Bajram Currin, i cili këto ditë kishte mbetur i bllokuar në Kthellë. Bajram Curri së bashku me Mikel Lezhjën, më 8 dhjetor, vendosën ta shpallin me një besëlidhje vullnetin e malësore dhe gatishmërinë për t’u bashkuar me Qeverinë e Vlorës. Kuvendi dhe ceremonia u kryen në kishë, nga se moti ishte shumë i ftohtë.
Rubik, Mirditë
Më 2 dhjetor 1912, Pal Doda mori telegramin e shpalljes së pavarësisë nga Vlora. Aty për aty, u zhvillua një ceremoni, ku foli Pal Doda e u shkrehën shumë pushkë. Pas disa ditësh u njoftua gjithë Mirdita dhe u besatuan, për bashkimin me Qeverinë e Vlorës
Arbëreshët e Italisë
Në Siçili me të marrë vesh arbëreshët se u shpall Pavarësia e atdheut mëmë, nga të gjitha fshatrat u mblodhën në Palermo dhe përshëndetën Qeverinë Shqiptare të Vlorës me një telegram vëllazëror: “Përfaqësuesit shqiptarë të kolonive të Siçilisë të mbledhur në Kolegjin Shqiptar të Palermos vërtetojë të drejtat e Shenjta të kombësisë shqiptare dhe i dërgojnë përshëndetje vëllazërore Ismail Qemal Beut”
Mbledhja e Lezhës
Më 4 maji 1913, sipas dokumenteve arkivore, u mblodhën në Lezhë përfaqësuesit e Matit, Pukës, të Malësisë së Madhe (Shkodër), të Kurbinit, të Zadrimës, të Dukagjinit dhe u lidh besa me e njoftë dhe përkrahë pavarësinë e Shqipërisë e përshëndetën flamurin kombëtar shqiptar.
“Qeleshet e bardha u shtrenjtuan në Vlorë”
Në Kuvendin e Junikut, nuk u pranuan të merrnin pjesë ata që mbajnë kësula turke, prandaj ata që mbanin të tilla u detyruan t’i flakin e të marrin qeleshe tradicionale shqiptare. Në një bashkëbisedim telefonik nga Vlora me Elbasanin, më 29 nëntor 1912, Lef Nosi lajmëronte Elbasanin: “Qeleshet e bardha këtu u shtrenjtuan shumë”. Janë këto dy dëshmi, për të treguar se, Shpallja e Pavarësisë Kombëtare shqiptare ishte një hop në vetëndërgjegjësimin popullor e të krenarisë kombëtare/Shqiptarja. / KultPlus.com