Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës hapi dyert për koncertin festiv “Këngët e Vendit Tim”, një homazh artistik me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit dhe 112-vjetorit të Pavarësisë.
Nën udhëheqjen artistike të sopranos Olta Juba dhe dirigjimin e Orges Memës, koncerti ngjiti në skenë disa nga talentet më të spikatura të qytetit që sollën plot freski këngë të mirënjohura të muzikës sonë.
Tingujt e Orkestrës frymore, harmonia e Korit të të rinjve dhe energjia e solistëve dhe e kërcimtarëve morën duartrokitje të shumta nga të pranishmit që u bënë pjesë e koncertit. Interpretimet përçuan atdhedashurinë dhe krenarinë kombëtare.
Koncerti që u organizua nga autoritetet lokale të kulturës dhe arsimit në Durrës, në kuadër të këtyre festave, dhuroi, përmes muzikës, atmosferën kuqezi dhe momente festive që forcojnë përkatësinë dhe krenarinë kombëtare./TopChannel/KultPlus.com
Emrin Flamur ia kanë vendosur prindërit. Por, më shumë me insistim të babit të tij, Hazir Shalës.
Kjo, për shkak se i njëjti ishte i burgosur për idetë e tij politike, e që ishin për flamur, për bashkimin e shqiptarëve e për gjuhë letrare.
Djali i Hazirit, Flamur Shala, i cili është prof.Asoc.Dr, thotë se vendosja e emrit Flamur ishte një lloj proteste, për të plotësuar kërkesën e patjetërsueshme, historike e kombëtare të identitetit kombëtar.
“Unë jam pagëzuar nga prindërit e mi, nga babai, Prof. Hazir Shala. Babai im, Prof. Hazir Shala, është njëri nga ata intelektualë që janë burgosur për idetë e tyre politike: për një flamur, për një gjuhë letrare e për bashkimin e shqiptarëve në një shtet. Ishte bashkëthemelues i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, grupi i të cilit kishte filluar së vepruari fshehtë që në fund të viteve 50-ta të shek XX, sa ishte student. Kjo Lëvizje u zgjerua shumë deri në vitin 1964, deri në arrestimet dhe dënimet e rënda me burgje politike të shumë pjesëtarëve të saj. Lëvizja Kombëtare në Kosovë kishte vazhduar aktivitetet e saj edhe pas burgosjes së anëtarëve të saj, gjatë gjithë viteve 80-ta e 90-ta deri në Luftën e Lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Shala
Nga Agjencia e Statistikave të Kosovës(ASK), kanë dhënë statistika vetëm për 10 vjeteshin e fundit.
“Në 10 vjetshin e fundit në Kosovë, numri i personave me emrin Flamur është 104 persona”, thuhet në përgjigjen e ASK-së.
Kurse, kanë bërë të ditur edhe sa është numri i personave me emrin Vlorë, Valon e Marigona, shkruan Frontonline
“Vlora janë: 52 persona, Valon janë: 79 persona dhe Marigona janë: 139 persona”, kanë thënë nga ASK-ja.
Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
28 Nëntori i vitit 1912 shënoi një kthesë historike për popullin shqiptar, pasi që nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.
Shqipëria këtë vit shënon përvjetorin e 110 të pavarësisë. / KultPlus.com
Një koncert mikpritës i ka paraprirë mbledhjes së përbashkët që mbahet sot në Tiranë mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës për 110-vjetorin e Pavarësisë.
Në koncertin festiv mbajtur mbrëmjen e djeshme në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.
“Rreth flamurit kuqezi të mbarë shqiptarëve dhe atij plot yje të qiellit të lirë të Kosovës festuam bashkë “Dua më shumë Shqipërinë!”, shprehet në një postim në rrjetet sociale ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Ajo thekson se ky koncert solemn kulmoi në Javën Kombëtare me këngët më të bukura patriotike, me zërat më të bukur të solistëve, koreve dhe orkestrave të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Mikpritja jonë për Kuvendin e Kosovës përpara mbledhjes solemne, si 110 vjet më parë, në Shqipërinë e mosvarme”, thekson ministrja./atsh/ KultPlus.com
Dje u festua dita e 28 nëntorit, me atmosferë dhe festë të organizuara në qytete të ndryshme shqiptare.
Figura të rëndësishme publike uruan popullin shqiptarë për 109 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa nuk munguan as ato nga yjet shqiptare të muzikës botërore.
Në mesin e artisteve me famë ndërkombëtare që ka uruar Festën e Flamurit, ishte edhe Rita Ora, e cila ka ndarë disa imazhe në llogarinë e saj në Instagram, në orët e mbrëmjes.
Këngëtarja shqiptare postoi dy imazhe, një nga fëmijëria ku shihet me plis në kokë dhe jelek me flamurin kombëtar. / KultPlus.com
“Jam shumë i gëzuar që këtë 28 Nëntor po e shënojmë me një bashkëpunim kulturor me Shqipërinë si kurrë më herët”, nis njoftimin Ministri për Kulturë Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të tij:
“Jemi kthyer nga Shqipëria me nënshkrimin e disa dokumenteve shumë të rëndësishme, përfshi kalendarin e përbashkët kulturor dhe marrëveshjen për trashëgimi kulturore.
Gjithashtu, në fushën e bashkëpunimit kulturor kemi nënshkruar pesë marrëveshje mes institucioneve tona artistike, bibliotekave, muzeve, parqeve arkeologjike, arkivave shtetërore.
Me rëndësi të veçantë është edhe marrëveshja e bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit, Ansamblit Popullor (TKOBAP) të Republikës të Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës të Kosovës.
Kjo marrëveshje do të krijojë bazë të fortë për bashkëpunim artistik e shkëmbim kulturor, dhe në veçanti do të nxisë konsolidimin e institucionit më të ri, të themeluar këtë vit, atë të Operës së Kosovës.
Besoj shumë që përmes bashkëpunimit kulturor të ndërsjellë, do të tejkalohen edhe kufizimet administrative dhe burokratike. Do të punojmë që vlerat tona kombëtare t’i promovojmë dhe t’i ruajmë gjithmonë me krenari.
Gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, pavarësinë e kombit shqiptar./ KultPlus.com
Të rinjtë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës vizitë në MKRS për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit është organizuar një vizitë 2-ditore me 25 të rinj shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Kjo vizitë është organizuar me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Gjatë këtyre dy ditëve të rinjtë kanë realizuar një punëtori ku kanë ofruar idetë e tyre për bashkëpunimet e ardhshme ndërmjet të rinjve shqiptarë dhe kërkuan më shumë projekte që lidhen me nxitjen dhe inkurajimin e bashkëpunimeve rinore ndërshqiptare. Me këtë rast kanë qëndruar në Prishtinë ku për së afërmi kanë përjetuar edhe festimin e ditës së Festës së 28 Nëntorit në Kosovë.
Në fund kanë vizituar edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ku janë pritur nga Zëvendësministri, z. Sejnur Veshall, këshilltari i Ministrit z. Onur Canhas dhe zyrtari i departamentit të rinisë z. Vedat Jashari ku është disktuar mbi bashkëpunimet, sfidat dhe planet mes MKRS-së dhe komunitetit rinor. / KultPlus.com
Mbi 400 mijë qytetarë gjatë vitit nderuan dëshmorët e familjes Jashari. Numër më i vogël i vizitorëve është parë këtë 28 nëntor në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” dhe për këtë ciceroni Xhevat Imeri thotë se ka ndikuar edhe moti i ftohtë. Edhe këtë përvjetor, Kullat e Jasharëve mbesin në gjendje të rëndë. Qytetarët nga Kosova thonë se kjo është mjerim, ndërkohë u bëjnë thirrje institucioneve që të mos lejojnë shembjen e kullave.
Tash e 22 vjet, Xhevat Imeri është ciceron në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Ai prezanton historinë e kësaj familje para vizitorëve të të gjithë botës.
“Rreth 14 milionë vizitorë e kanë vizituar, por ky Mund të jetë numër më i madh, sepse nuk e kemi një statistikë që tregon një realitet. Por, në bazë të supozimeve, mund të them që është numër më i madh se aq që mund të themi. Ndërsa, gjatë këtij viti i kemi 400 mijë vizitorë, jo vetëm shqiptarë por edhe nga arena ndërkombëtare për të ardhur të vizituar dhe respektuar këtë vend”, thotë Imeri.
Megjithatë, për këtë përvjetor të ditëlindjes së Adem Jasharit dhe pavarësisë së Shqipërisë, pati më pak vizitorë.
“Është koha e cila e bën të vetën. Unë kam pasur fatin të jem të dielën e kaluar, mund të them se diku mbi 24 mijë persona kanë qenë. Sepse koha po e bën të vetën, kur është kohë e mirë, njerëzit marrin fëmijët dhe të moshuarit e sot ndoshta i penalizon koha”, shton ai.
Për çdo 28 nëntor dhe festë tjetër, bashkë me familjarë veshin uniformën e ushtarëve të UÇK-së. Islam Krasniqi thotë se Prekazi është vend heroik dhe shumë i rëndësishëm për historinë e Kosovës.
“Për neve është shumë domethënëse ky vend që të paktën të rinjtë tanë t’i motivojmë dhe të dimë se çka është vlera e ushtrisë, vlera e shtetit dhe të forcohemi bashkarisht”, shprehet ai.
Ai shprehet i zhgënjyer me gjendjen e kullave në Prekaz.
“Kur zbritem thash në fillim qenka dëmtuar shumë. Shpresojmë që do të ndërmarrin diçka qeveritarët dhe të vendosin diçka se kjo duhet të rregullohet mirë, sepse është vlerë e madhe”, shprehet tutje.
Ali Zija ka ardhur nga Tetova për të nderuar sakrificën e dëshmorëve të familjes Jashari.
“Prej Tetovës të vizitojmë kullën e Adem Jasharit… më e madhe nuk ka ku të shkoj, vlera më e fortë”, thotë ai.
Edhe për Xhemil Huguliqin nga Kaçaniku, ky vend është i shenjtë. Në Prekazin heroik ai thekson se është mjerim gjendja e kullave.
“Këtu ja dimë vlerën kësaj lirie. Çdo shqiptar duhet të vizitojë së paku një herë në vit këtë vend. Marrë parasysh çfarë sakrifice ka bërë kjo familje e shenjtë… është në gjendje e mjerueshme, është mjerim me pa kështu”, thekson ai për KosovaPress.
Përmes një vendimi qeveritar, në vitin 2019 ishte planifikuar konservimi i Kullave të Jasharëve.
Sot shqiptarët festojnë 109 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. 28 nëntori shënon edhe 24 vjetorin e daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e Adem Jasharit. / KultPlus.com
Me rastin e 109-vjetorit të pararësisë së Shqipërisë, profesori norvegjez Kenneth Andresen, ka publikuar një fotografi të rrallë të Prishtinës me flamurin Kuq e Zi, më 28 nnëtor të vitit 1999.
Andresen gjatë vitit 1999 kishte pranuar thirrje nga ushtria e shtetit të tij për t’u bërë pjesë e një misioni ushtarak në Kosovë. Njihet që grumbulloi edhe kartolina nga Kosova që nga vitet e 70-ta.
Ndërsa sot ka uruar shqiptarët me një foto të rrallë, të publikuar në Twitter.
Sot 109 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të Vilajeteve shqiptare e shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbledhjen e tij të parë e mbajti u mbaj më 28 nëntor 1912, me aktin s shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit. / KultPlus.com
Nëntori ka hyrë në historinë e popullit shqiptar, duke u bërë një muaj i tërë me përplotë ngjarje që na fisnikrojnë e krenojnë ndër vite, shkruan KultPlus.
Figura të shquara kombëtare përgjatë datave të nëntorit kanë arritur të shënojnë të arritura të mëdha për vendit, të lindin dhe të na bëjnë neve këtë muaj si të veçantë.
Patjetër që e tillë është edhe data 28 Nëntor.
KultPlus ka përmbledhur ngjarjet më të veçanta të historisë përgjatë kësaj date:
1443 – Gjergj Kastriot Skënderbeu, e ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e Krujës.
1793 – Në Shkodër, Lezhë dhe në rrethinat e tyre nisi kryengritja kundër ushtrive osmane. Me humbje të mëdha pashai turk mundi të çante rrethimin, por në Lezhë pësoi goditje dhe humbje të reja, që e detyruan te tërhiqet për në Manastir.
1912 – Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë.
1955 – Ditëlindja e Adem Shaban Jasharit.
1997 – Paraqitja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
1998 – përmes referendumit mbarëpopullor u adoptua Kushtetuta e Shqipërisë. / KultPlus.com
PRISHTINË, 27 Nëntor 2021/ Para 53 vitesh në Prishtinë e qytete tjera kosovare shqiptarët u ngritën në demonstrata në prag të 28 Nëntorit që festohet tradicionalisht në Kosovë edhe si Ditë e Pavarësisë së Shqipërisë, të shpallur në 1912-tën në Vlorë, edhe si Ditë e Flamurit.
Dita e madhe e gjithë shqiptarëve festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me sakrifica, me kufirin e hekurt që ndante Kosovën nga Shqipëria.
Në ato rrethana, shqiptarët në Kosovë e në viset tjera etnike nën ish-Jugosllavi në kërkimin e të drejtave kombëtare në prag të 28 Nëntorit 1968 u ngritën në demonstrata të fuqishme gjithëpopullore.
Demonstrata më e madhe ishte ajo e Prishtinës e filluar në orët e pasditës së 27 Nëntorit dhe zgjati deri në orët e para të së nesërmes – Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, me kërkesat për Kosovën Republikë, Kushtetutë, Universitet, që askush të mos luajë me fatin e shqiptarëve kosovarë, e të tjera.
Njohësit dhe kronistët e zhvillimeve në Kosovë kanë vlerësuar se, më 1968 filloi ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi, me jehonën që paten në botë demonstratat. Shtypi i huaj i dha hapësirë të konsiderueshme ngjarjeve, duke u marrë objektivisht me karakterin thelbësor të tyre, të cilat quheshin shpesh kryengritje shqiptare, ndërsa ishin të ndikuara edhe nga lëvizjet studentore të Evropës.
Në demonstratën në Prishtinë pati një të ri demonstrues të vrarë, ra nxënësi Murat Mehmeti, u plagosën shumë demonstrues, u dënuan mbi 100 veta.
Në Prishtinë, marshi i fillimtarëve të demonstrates, ndër të cilët isha atëherë si nxënës i Shkollës Normale, nisi nga Fakulteti Filozofik (tash Fakulteti Filologjik) dhe në pasditën e mbrëmjen e 27 Nëntorit 1968 mbushi rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës përplot demonstrues, shqiptarë që erdhën dhe u bashkuan nga të gjitha anët.
Historianët kanë shënuar se, në vitin 1968 pas demonstratave të organizuara më 6 Tetor në Prizren, më 8 Tetor në Suharekë dhe më 19 Tetor në Pejë, më 27 Nëntor rinia dhe populli shqiptar demonstruan në Prishtinë, Gjilan, Podujevë e Ferizaj dhe më 22 e 23 Dhjetor në Tetovë.
Parullat qendrore të këtyre demonstratave që nxorën në rrugë qinda mijëra qytetarë ishin: “Republikë-Kushtetutë”, “Vetëvendosje”, “Kosovë-Shqipni, jemi nji”, etj.
Ishin këto kërkesa vizionare dhe drejt realizimit nëpër vite. Kosova Republikë dhe e lirë është vullneti e vendimi i popullit të Kosovës, mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vende tjera nga Evropa e bota liridashëse e demokratike. Tash, në 2021-tën, në 53 vjetorin e demonstratave të vitit 1968 Kosova është më shumë se 13 vjet shtet, me pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Edhe si kërkesë e demonstratave të vitit 1968, Kosova prej vitit 1974 ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.
Pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën në Mars të vitit 1989 dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.
Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.
Prej vitit 2001 deri në vitin 2008 Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.
Para më shumë se 13 viteve, në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Më parë akti më i lartë juridik i shtetit ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë.
Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.
Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë Kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.
Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK-ut.
Në 2021-tën trembëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës u shënua në kohën kur nëpër qytetet kosovare festohej 22 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin historik të vitit 1999, kur forcat shpëtimtare të NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe, filluan të hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria.
Isha në kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s, që hynin në Kosovë dhe për Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë raportoja lajmin e madh për shqiptarët e botën se në Kosovë po ndodhëte liria dhe paqja…
Si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare në 1968-tën, pas një viti Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 Shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 Shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.
Vendi ku nisi marshimi i demonstratës së madhe shqiptare të 27-28 Nëntorit 1968 te Fakulteti i Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) në kompleksin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishina” është emërtuar “Sheshi i demonstratave”…
Në vitin 1968 derisa në Kosovë 28 Nëntori festohej edhe me demonstrata në Prishtinë e qytete tjera me kërkesa për Kosovën Republikë, për Kushtetutë, për Universitet e të tjera për të drejtat e shqiptarëve, në numrin e asaj ditëfeste të gazetës së studentëve “Bota e Re” Ibrahim Rugova, atëherë në vitin e dytë të studimeve, kishte të botuar shkrimin me titull “Pavarësia kombëtare”, me të cilin artikull sikur paralajmëronte nismën e ideve të veta intelektuale e politike, të cilat 20 vjet më vonë, në një kohë shumë të rëndë, do t’i shprehte në mënyrë të qartë dhe konsistente si trinom: Liri, Pavarësi, Demokraci.
Rugova shkruante me rastin e përvjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, dhe pasi e quan një nga ditët më të bardha të historisë sonë, vazhdon: “Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e një trungu në çdo stinë të kohës”. Dhe, në përfundim shprehet: “Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë”.
Në prag të demonstratave shqiptare të para më shumë se gjysëm shekulli, gazeta tradicionale Rilindja, që botohej në Prishtinë e me nisje në Prizren në 12 Shkurt 1945 në frymën e Konferencës së Bujanit, ditën e diel të 6 Tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po niste në Kosovë…
Në demonstratat e para 53 viteve në Kosovë në kërkim të lirisë edhe për ta festuar 28 Nëntorin, flamujt shqiptarë me valëvitje si fluturime shqiponjash mbaheshin lart në duar e ngriheshin edhe mbi kulme…
Për ato demonstrata në 24 vjetorin e tyre “Nata që bënte dritë” ishte titulli i shkrimit tim në gazetën “Bujku” të 28 Nëntorit 1992 – të 80 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë, ku në legjendën e fotografisë theksoja: “Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare…”
“Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valonin edhe për Festën e Flamurit që ishte e ndaluar bashkë me flamurin”, përshkruaja pamjet madhështore…Tregoja edhe se si në 28 Nëntorin 1968 për demonstratat shqiptare në Kosovë dhe për Flamurin Shqiptar në ditën e madhe historike kisha shkruar vargje – vjershën “Himni i Flamurit”, të cilën ma botoi gazeta studentore “Bota e Re”…
Shkruaja kështu në gazetën e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991, pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia të gazetës Rilindja – të vetmes së përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë.
Nga të gjithë shqiptarët, edhe në demonstrata, përkujtohej e edhe sot e përgjithmonë historia jonë shkruan e flet edhe se Heroi Kombëtar, Isa Boletini, në Nëntorin e madh 1912 nga fshati Boletin në rajonin e Mitrovicës – nga Kosova me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në Vlorë, Isa Boletini me bashkëluftëtarët nga Kosova përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë Shqiptare të kryesuar nga Kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i Shtetit Shqiptar, firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.
SHKRIMI IM NË GAZETËN E REZISTENCËS “BUJKU” TË 28 NËNTORIT 1992 – NË FAQEN 5:
NATA QË BËNTE DRITË
Kjo rrëfejzë është autentike dhe pa asnjë ndryshim, e rrëfyer dhe e shkruar para njëzet e katër vjetëve, edhe pse tash mund të ngjajë në shpalim kujtimesh.-Për shkak se atëherë ishte i domosdoshëm konspiracioni, rrëfejza ishte pa emrin e rrëfimtarit, dhe kështu është…
Askujt nuk ia dija emrin dhe askend nuk e njihja me përjashtim të njërit. Madje, mbase nuk do ta dija as sa është data sikur të mos e kisha bluar tërë natën e ditën se çka do të jetë ajo: “Në ora katër pas dite, një ditë para 28 Nëntorit…”
Këtë ma kishte paralajmëruar një natë më parë ai që e njihja, që e njihja mirë dhe më njihte mirë. Atë të marte, në përfundim të ditës së pazarit në Prishtinë, tek kishim “dalë të shëtisim” një rruge nëpër terr kah Xhamia e Llapit, mi tha do fjalë që ishin më shumë pëshpërimë, si të m’i thoshte toka: “Shiko, tash po ndahemi…Nësër në ora katër pas dite takohemi në Fakultetin Filozofik. Do të dalim në demonstratë, në prak të Ditës së Flamurit…Për këtë – askujt asnjë fjalë… Mund t’ia thuash vetëm ndonjë shoku shumë të sigurt…” I mora këto fjalë më vete, disi si ti futja shtatë pash në dhe, që t’i fsheh nga bota, nga ata që ndiçnin edhe ëndërrat e njerzëve, dhe u përshëndetëm me natën e mirë…
Nata më dukej tepër e gjatë dhe ishte krejt pa gjumë. Do ta kërkoja nëpër librat e mi, të klasës së tretë të Shkollës Normale, të mësoj diçka për atë “Ditën e Flamurit”, por e dija se kjo është e ndaluar edhe për librat e shkollës sonë. Madje më duhej ta fikja dritën që të nos pengoja gjumin e cimerëve dhe që drita e ndezur në natën e thellë të mos i binte në sy “gazdës”, në bodrumin e te cilit banonim.
Tërë ntën ai që e njihja më rrinte para sysh si një ëndërr me sy çelë, jo vetëm me paralajmërimin e asaj nate të vjeshtës së vonë, po edhe me atë që e kisha parë me sy fëmije, i shashtisur, në një stinë të largët, përcëlluese…Këmbëzbathur qëndoja si një gur që nuk luan vendi dhe me sy të zgurdulluar e shikoja tek hynte në oborrin e shtëpisë me duar të lidhura, madje edhe i shtrënguar fort për krahësh nga milicët. Oborri u mbush plot milicë. Edhe përreth shtëpisë plot milicë. Me armë të gatshme për zjarr. Bërtisnin, flisnin, kërkonin shumëçka që nuk kuptoja. Bastisnin, groponin nëpër oborr, në dhoma, pleme. Nga dheu nxorrën diçka, diçka të qelqtë, të mbyllur mirë…athua çka, çka ka brenda…E morën. Morën edhe libra. E morën edhe të njohurin tim, me duar të lidhura, dhe shkuan. Pasi shkuan dëgjoja tek flisnin njerëzit e shtëpisë: “Në dhe ishte i fshehur flamuri…” Gratë me lotë e burrat me mërrola të mëdha shikonin udhën kah zdirgjeshin milicët që e çonin në burg djaloshin, flamurin… Ai flamur më rrinte para sysh dhe më bëhej se po çlirohej nga prangat dhe po ngritej për Ditën e Flamurit…Dhe, ashtu më çeli drita e ditës së paralajmëruar. Ishte e mërkurë, 27 Nëntor 1968.
Shkova në shkollë. Në të gjitha orët një pyetje e madhe më siellej në kokë: a t’i them dhe cilit shok t’i them për orën katër? T’i them vetëm ndonjërit më dukej se po u bëj një padrejtësi të madhe të tjerëve…Por, si t’i nxjerrë ato fjalë që duhet ruajtur shtatë pash nën tokë. Me shokët fola vetëm që të dalim në korzo para mbrëmjes dhe nëse luan ndonjë film i mirë dhe nëse kemi mundësi të shkojmë ta shohim. Thash vetë më vete, bile le të gjenden në rrugë kur fillojnë demonstratat dhe sigurisht do të bashkohen…
Ora katër pasdite më gjeti si i mbirë në holin e Fakultetit Filozofik. Deri atëherë më dukej gjithëçka e rëndomtë, nuk kishte shumë njerëz siç paramendoja. Po, në atë orë – si të dilnin njerëzit nga toka. Ndër ta edhe i njohuri im, që pasi kishte dalë nga burgu, edhe pse me moshë të shtyrë me vite që i kishte kaluar nëpër burgje, kishte regjistruar dhe filluar studimet. Të gjithë më
dukeshin shumë të mëdhenj dhe shumë burrërorë, jo vetëm pse unë isha shumë i ri ndër ta, por për shumëçka tjetër. I njohuri im m’u afrua, ma shtërngoi dorën me “ke bërë shumë mirë që erdhe, tash po nisemi…”
Parullat e shkruara sakaq u gjendën nëpër duar, shpërndanë shpejt, ku ta dish ku ishin shkruar e si ishin sjellë, po m’u duk se vetë mbinë në duart e njerëzve. U nisëm në kolonë. Dorën në zemër, ende nuk e dija fort mirë çka është demonstrata. Megjithatë, e dija mirë pse po dalim dhe se nuk është punë e lehtë të dalim…
Se nuk është lehtë u pa vetëm pas nja njëqind e sa metrave. Pasi kaluam sheshin para Fakultetit Filozofik, ende pa dalë mirë të gjithë në rrugën kryesore, se kah u gjend një milic që doli nga ana tjetër e rrugës kur e pa kolonën e demonstruesve, alarmoi me të shtëna në ajër dhe u përpoq të ndalë kolonën, por – thjesht u shkel nga të parët…
Shpejt e mbushën qytetin parullat e shkruara e edhe të brohoritura: “Duam Universitet”, “Vetëvendosje – Kushtetutë”, “Kushtetutë – Republikë”, “Lironai shokët”, “Poshtë borgjezia e kuqe…” Kolona e demonstruesve rritej e rritej, asaj vazhdimisht i bashkoheshin shumë qytetarë, madje edhe njerëzit që kishin shkuar të falen në xhami dolën e iu bashkuan studentëve, rinisë…Dhjetëra mijëra demonstrues mbushën rrugën kryesore të Prishtinës. Ishin demonstrata shumë të mëdha, por të qeta. Marrim vesh se demonstrata po bëhen edhe në qytete të tjera të Kosovës. Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valon edhe për Festën e Flamurit, që ishte e ndaluar bashkë me flamurin. Kolporterët shpërndanin numrin më të ri të gazetës studentore “Bota e Re”, që sapo kishte dalë nga shtypi. Parulla “Kosova Republikë” bëhej gjithnjë e më e zëshme. Forcat policore shtoheshin. Shtoheshin kordonët dhe sulmet e tyre, të shtënat e tyre me armë zjarri. Filluan të shtëna edhe nga dritaret e ballkonet e ndërtesave përreth, gjujtjet me saksi, me shishe… Të lënduar, të plagosur. Ata nxirreshin nga kolona për t’iu dhënë ndihmën mjekësore. E, demonstratat nuk ndaleshin, vazhdonin, vazhdonin, madje sa vinte e rritej numri i demonstruesve. Njerëzit vinin edhe nga fshatrat, sapo kishin dëgjuar lajmin për demonstratat në Prishtinë, që u përhap shpejt. Diku afër Shtëpisë së Armatës, tek demonstruesit ishin drejtuar kah Burgu i Qarkut me parullat “Lironai shokët”, midis krismave të armëve, dëgjova: “Na u vra një shok”… Kudo përshkoi dhembja dhe thirrja – LAVDI! Kolona, si e pafund, e demonstruesve, u kthye përsëri anembanë qendrës së qytetit, tash shumë e pezmatuar dhe e mllefosur. Filluan thyerjet e xhamave, rrotullimi i automjeteve të milicisë e e të tjerave. Kisha përshtypjen se muk mbeti xham i dyqaneve të rrugës kryesore pa u thyer… Gurë kishte mjaft – i nxirrnim nga xhadeja. Demonstratat tashmë nuk ishin të qeta. Ishin të përgjakshme… Prishtina, po edhe tërë Kosova po vihej nën shtetrrethim… Dhe, në fund, demonstruesit u kthyen përsëri para Fakultetit Filozofik. Sheshi i gjerë para tij dukej shumë i ngushtë për të zënë gjithë atë masë njerëzish. Kishte propozime: të vazhdojnë demonstratat apo të hyhet brenda në Fakultet dhe të vazhdohet me grevë. Dikur nga megafoni, nga i cili gjatë tërë kohës dëgjohej fjala e demonstruesve dhe e prijësve të tyre, u dëgjua njoftimi-marrëveshja për shpërndarje…
E, çka të bëhej në atë pikënate? Të shkoj në banesë? Jo, jo! Aty është “Gazda” – “Çika Jova”, si i thoshin të vetët. Për të thuhej se ka qenë një oficer i lartë i UDB-ës famëkeqe, i pensionuar pas Plenumit të Brioneve, po që ende e vazhdonte zanatin e vet të zi. Këto mendime m’i ndërpreu takimi me njerëzit e anës sime, të fshatit tim. Po shkojmë në fshat – më thanë. Ishte rrugë e gjatë,
mbi njëzet kilometra, duhej të ecnim këmbë dhe ishte natë, por u nisëm. Bashkë me dritën e mëngjesit arritëm. Askush nuk kishte fjetur as në shtëpi. Edhe shumë fqinj ishin aty, ishin bërë bashkë dhe po dëgjonin se çka po lajmëron një transistor që gati krejt i ishin shterë bateritë pse kishte ndejtur ndezë gjithë natën.
Kur na panë u gëzuan shumë. “Tashë ta na tregojnë, s’ka çka na duhet më transistori”, thanë, dhe e fikën. Po, gëzimi i tyre kishte një domethënie shumë më të madhe…
Gjumi më kishte zënë duke shkruar do vargje për demonstratat dhe për flamurin. “Himni i flamurit” ishte një vjershë që ma botoi “Bota e Re”, e ky ishte edhe një perjetim imi shumë i madh.
Ja, kjo është rrëfejza, që si kjo, të ngjashme mund ta tregojnë dhjeta mijëra njerëz, prandaj rrëfimtari mbetet pa emër si vetëm njëri nga të gjithë ata…
Behlul JASHARI
Legjenda e fotografisë që ilustronte shkrimin:
Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare (në mungesë të fotografisë autentike nga këto demonstrate po botojmë këtë fotografi nga demonstratat e mëvonshme)
LEGJENDAT E FOTOGRAFIVE:
1-Gazeta Bujku e 28 Nentorit 1992 faqe 1
2-Gazeta Bujku e 28 Nentorit 1992 faqe 5 – shkrimi NATA QË BËNTE DRITË
3-Sheshi i Demonstratave te Universiteti i Prishtinës
4, 5 e 6 -Demonstrata e 27-28 Nëntorit 1968 në Prishtinë – 3 fotografi, mes demonstruesve Behlul Jashari atëherë 15 vjeçar nxënës i klasës së tretë të Shkollës Normale në kryeqytetin e Kosovës. / KultPlus.com
28 nëntori edhe këtë vit, në Shtetet e Bashkuara e Kanada erdhi me një serë aktivitetesh për nder të Ditës së Flamurit – 109 Vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë .
Shqiptarët në zonën e Nju Jorkut, sipas një tradite e nderojnë këtë ngjarje historike me ngritjen flamurit kuq e zi në qytetin e Nju Jorkut, dhe qyteteve të tjera, Çikago, Detroit, Boston, Filadelfia, Stanford dhe Toronto – Kanada, gjatë ceremonive qendrojn dy flamur ai shqiptar dhe amerikan për t’u valëvitur krah njëri tjetrit.
Shqiptarët i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara aleatin e tyre më të ngushtë – që nga mbështetja e Presidentit Woodrow Wilson për pavarësinë e Shqipërisë një shekull më parë, deri tek mbështetja më e fundit amerikane për pavarësinë e Kosovës.
Ngritja e flamurit kuq e zi – krah atij amerikanë në shtyllat e ndriçimit të buluverdave të këtyre qyteteve është për të kremtuar edhe një marrëdhënie të veçantë, si dhe idealet tona të përbashkëta për lirinë dhe demokracinë.
Me këtë rast në rrugët e New Yorkut në qender të qytet-lagjeve (Borough) në Bronx, Brooklyn dhe Staten Island – ku edhe mësë shumti jetojn shqiptarët, zbukurohen për disa ditë me flamurin kuq e zi dhe atë amerikanë.
Brooklyn:
Edhe sivjet Brooklyni – New York , u gdhi me atmosferën e festës së flamurit kuq e zi ku shqiptarët nisën të festojnë Ditën e Flamurit.
Dy bulevardet në qytetin e Brooklynit Bay Parkway dhe Cropsey Ave., deri në zgjatjen e 60th St. u stolisën përsëri nga Shkumbin Hasangjekaj dhe Shkumbin Balidemaj me ndihmën e kompanisë « ABC Builders » me pronar Blendi Bekteshi, të financuara nga Fondacioni Plavë e Guci.
Shkumbin Hasangjekaj, një shqiptar që jeton në New York, ka publikuar fotografi duke e mbushur një hapësirë me flamuj kombëtar.
“Tradita në Brooklyn vazhdon”, ka shkruar ai.
Staten Island:
Edhe në këtë qytet nisën si çdo vjet kremtimet për 28 Nëntorin . Rrugët qytetit ku mendohet se jetojnë 20 mijë shqiptar në Staten Island – New York, janë veshur me flamujt kuq e zi.
“Edhe këtë vit është familja Çoku (Belul Çoku) nga Dibra e Madhe, e cila po sponsorizon flamujt në Staten Island, së bashku me organizatën “Albanian Roots” që të mbushin këto rrugë me krenari shqiptare”, shkruhet në një informacion të publikuar nga “Albanian Roots”.
Bronx:
Edhe, këtë 109 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë vendosja e flamujve kuq e zi është bërë i mundëshëme nga inisiativa disa vjeçare e zotit Mark Gjonaj, kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, dhe njëkohësisht këshilltar i Bashkisë së New York-ut, i cili është dhe sponsorizuesi kryesorë me kontributin financiar edhe me atë të disa veprimtarëve të tjerë të komunitetit.
“Kjo i jep bashkësisë shqiptare, këto ditë feste edhe një ndjenjë tjetër të krenarisë sonë kombëtare, kur këto ditë në prag të festës së madhe Ditës së Flamurit, kemi për të parë këto flamuj kuq e zi – duke u valëvitur, përkrah flamurit amerikan si një faleminderim për atë çkan bërë për ne Shtetet e Bashkuara”, thotë Mark Gjonaj .
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për shqiptarët që të vazhdojnë për të festuar kulturën dhe trashëgiminë e tyre,” ka deklaruar Gjonaj. / KultPlus.com
Me rastin e festave të Nëntorit, është hapur ekspozita me titull “Nga nëntorët vijmë, në nëntorë shkojmë” nga bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Bashkisë së Vlorës.
Ekspozita u çel në Qendrën Historike “TID Vlora” ku morën pjesë drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, drejtori i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli.
Këtu janë ekspozuar disa dokumente të fillesave të kryengritjeve antiosmane para shpalljes së Pavarësisë, njoftime të shpalljeve të Pavarësive të disa qyeteve të Shqipërisë, një histori e shkurtër për Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, imazhe të firmëtarëve të Pavarësisë.
Po ashtu janë paraqitur edhe disa fotografi të festimeve pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe aktivitetet të cilat janë zhvilluar pas vitit 1937 e më tej.
Kjo ekspozitë është çelur vjet në Prishtinë, sot në Vlorë dhe me datën 28 nëntor 2021 do të hapet në Kalanë e Tiranës./KultPlus.com
“Ujëvara e Niagarës, simboli i Kanadasë, i njohur në mbarë botën u ndriçua kuq e zi, me ngjyrat e Flamurit Kombëtar mbrëmjen e 28 nëntorit, në nderim dhe respekt të 108-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë si edhe Muajit të Trashëgimisë Shqiptare në Ontario”.
Kështu u shpreh sot ambasadori i Shqipërisë në Kanada, Ermal Muça, ndërsa ndau pamjet spektakolare të Ujëvarës së Niagarës veshur kuqezi.
Ambasadori shprehu mirënjohjen e sinqertë për autoritetet përkatëse kanadeze për bashkëpunimin dhe gjestin fisnik”.
“Gëzuar Pavarësinë Shqipëri!”, u shpreh ambasadori Muça.
Ditën e djeshme, një urim i veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët në 108-vjetorin e Pavarësisë ka ardhur nga Dubai i Emirateve të Bashkuara Arabe, ku ndërtesa më e lartë në botë, Burj Khalifa është veshur kuqezi për nder të Ditës së Flamurit. /dp/ KultPlus.com
Qeveria e Kosovës tha të premten se ditën e hënë do të punohet dhe nuk do të pushohet për shkak të festës së 28 nëntorit. Por SBASHK’u thotë se e hëna do të jetë ditë pushimi për shkollat.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës së Kosovës, Rrahman Jasharaj, thotë se ata ‘nuk po kundërshtojnë askënd’ por se po zbatojnë kalendarin e Ministrisë së Arsimit’.
“Të premten mësimdhënësit në orët para kanë folur për festën e Flamurit dhe datëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe u kemi thënë nxënësve se e hëna është ditë pushimi”, tha Jasharaj.
“Deklarata e kryeministrit se të hënën do të punohet për t’u solidarizuar me punëtorët shëndetësorë dhe policinë ka ngjallur huti dhe ne kemi dal publikisht dhe jemi përgjigjur duke u thirrur në kalendarin e Ministrisë së Arsimit ku e hëna është ditë pushimi në shenjë respekti për Ditën e Flamurit”, shpjegoi ai për RTV Dukagjini.
“Ne nuk jemi kundër nëse Parlamenti i Kosovës do ta ndryshojë ligjin”, shtoi ai.
Sipas Jasharit nxënësit nuk do t humbin asgjë dhe se mësimit do i kthehen të martën.
“Në kalendarin e Ministrisë e hëna është pushim dhe nxënësit nuk humbin asgjë”, tha Jasharaj. /gazetaexpress/ KultPlus.com
Marigo Pozio është emri i vërtetë i vajzës që qëndisi flamurin kombëtar, sipas një modeli të Dom Mark Vasës, për pajën në rininë e saj.
Ajo e qëndisi flamurin në një copë që e kishte blerë nga një tregtar me mbiemrin Diamanti. Më pas në gjithë dritaret e asaj godine janë valëvitur flamujt e stamposur nga Marigoja me përmasa 70 – 40 cm.
Marigoja ka qenë një nga figurat më të ndritura të periudhës së Rilindjes dhe pavarësisë, por edhe një nga gratë më të shquara të Shqipërisë së kësaj periudhe.
Pas shpalljes të pavarësisë, ajo lufton për krijimin e shoqërive patriotike dhe mirëbërëse dhe ia arrin qëllimit në muajin mars të vitit 1914 duke themeluar shoqërinë “Shpresa Kombëtare”, në të cilën ajo, si gruaja më e ditur e qytetit zgjidhet sekretare.
Lufta e Parë Botërore paralizoi veprimtarinë e shoqatës “Shpresa Kombëtare” dhe 23 janari i vitit 1921 shënoi rifillimin e aktiviteteve, duke pasur në krye Marigo Pozion, e cila kreu detyrën e drejtoreshës të përgjithshme të gazetës së parë të gruas shqiptare “Shpresa e Kombit”, e cila si stemë kishte shqiponjën e flamurit tonë kombëtar, dhe ku qëllimi kryesor ishte të grumbullonte rreth vetes të gjitha gratë dhe vajzat të cilat me bindje e tyre të vinin mbi çdo gjë interesat e atdheut dhe të luftonin për çështjen kombëtare të edukimit të tyre me veprimtarinë patriotike kulturore dhe artistike shkollimin dhe lartësimin e femrës shqiptare.
Në motivacionin e dekorimit të parë më 7 Mars 1960 pohohet pikërisht fakti se ka punuar pa u lodhur për mësimin e gjuhës dhe për çlirimin dhe emancipimin e gruas shqiptare, duke përjetësuar kështu traditat e lavdishme të grave shqiptare. Dekorata është me urdhrin e klasit të dytë dhe është vendosur në stendat e muzeut të pavarësisë në Vlorë. /CEO/ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nëpërmjet një postimi në facebook ka kujtuar komandatin legjendar, Adem Jashari, shkruan KultPlus.
Rama ka shkruar për Jasharin që nga lindja e tij, e që përkon pikërisht me Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, jetës së tij për hir të atdheut si dhe vrasjes së gjithë familjes Jashari, duke lënë pak pasardhës prapa.
KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Edi Ramës:
ADEM JASHARI erdhi në këtë botë mu në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe iku nga kjo botë pasi e la trupin pa jetë si një monument të shtrirë në mesin e shtëpisë ku mbante flamurin kombëtar.
Historia e vdekjes që i dha përjetësinë atij e trungut të prerë të familjes së tij, i tejkalon kufijtë e të besueshmes dhe i ngjan më shumë një versioni të legjendës së Gjergj Elez Alisë, ku plagët në trup janë më shumë se nëntë e janë vetë trupat e njerëzve të gjakut të heroit, copëtuar nga plumbat e një bajlozi të stërmadh sa një ushtri e tërë armike që mësyu mizorisht mbi shtëpinë ku zhvillohet rrëfimi mitologjik.
Sikur ajo shtëpi e sharruar nga zjarri armik të mos ishte ende aty, sikur familjarët e vrarë të Adem Jasharit të mos ishin banorë të asaj shtëpie, që figurojnë një më një, në gjendjen civile të komunës Prekaz dhe sikur vetë Adem Jashari të mos ishte një njeri i gjallë deri në 7 marsin e vitit 1998, i cili figuron edhe si klient në regjistrin e hotelit “Arbëria” në Tiranë, do të ishte realisht e pamundur t’i besohej vërtetësisë së historisë mitike të komandantit legjendar të luftës së Kosovës.
Madje edhe vetë Besarta, shtojzovallja e mbijetuar e asaj masakre të pabesueshme, do të dukej si rrëfimtarja e përhumbur e një përralle, nëse familja Jashari nuk do të kishte qenë aty, mes një komuniteti të tërë shqiptarësh të zakonshëm prej të cilit u nda, e gjitha, menjëherë, në terrin mes dy ditëve të zakonshme mbi pllajën baritore të Prekazit.
Madje madje edhe ajo pllajë, e kthyer sot në një varrezë unikale dëshmorësh me një trung të vetëm familjar, nëse nuk do ishte aty, pjesë reale e gjeografisë së Kosovës, do të dukej si pejsazhi i krijuar nga peneli i imagjinatës për të qenë skena magjike e zhvillimit të gojëdhanës së lashtë, për një kreshnik me emrin Adem Jashari e familjen e tij.
Mirëpo jo, e gjitha është thjesht e vërtetë, e vërteta e pabesueshme e kulmimit epik të Luftës së fundit Çlirimtare në mes të Europës, bash në fund të shekullit XX, ku një popull i mohuar në të drejtën e tij për liri nga një diktaturë e urrejtjes etnike dhe i poshtëruar prej harresës së gjatë të botës demokratike, ngriti krye kundër urrejtjes e harresës dhe triumfoi kundër të gjitha paragjykimeve e parashikimeve.
Adem Jashari lindi në 28 nëntor dhe vdiq për të jetuar përgjithmonë, si legjenda e gjallë e flamurit më të bukur në botë . / KultPlus.com
Për hir të 28 Nëntorit, zëri i njohur shqiptar, Shkurte Fejza ka qenë e pranishme pranë memorialit të kompleksit Adem Jashari në Prekaz, shkruan KultPlus.
Nga vendi i heroizmave të një familje të madhe që dha jetën për lirinë, Shkurte Fejza interpretoi këngën e madhe që na rrëqeth ndër vite “Mora fjalë”.
Ajo ndodhej pranë varreve të Jasharajve dhe pranë shtëpisë së dikurshme të tyre, teksa i jepte zë fjalëve “Çohu Adem”.
Ashtu sikurse dedikimi i kësaj kënge, edhe tingujt e saj do të mbeten përherë një thesar kombëtar që na sjellin emocione të shumta. / KultPlus.com
Nëntori ka hyrë në historinë e popullit shqiptar, duke u bërë një muaj i tërë me përplotë ngjarje që na fisnikrojnë e krenojnë ndër vite, shkruan KultPlus.
Figura të shquara kombëtare përgjatë datave të nëntorit kanë arritur të shënojnë të arritura të mëdha për vendit, të lindin dhe të na bëjnë neve këtë muaj si të veçantë.
Patjetër që e tillë është edhe data 28 Nëntor.
KultPlus ka përmbledhur ngjarjet më të veçanta të historisë përgjatë kësaj date:
1443 – Gjergj Kastriot Skënderbeu, e ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e Krujës.
1793 – Në Shkodër, Lezhë dhe në rrethinat e tyre nisi kryengritja kundër ushtrive osmane. Me humbje të mëdha pashai turk mundi të çante rrethimin, por në Lezhë pësoi goditje dhe humbje të reja, që e detyruan te tërhiqet për në Manastir.
1912 – Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë.
1955 – Ditëlindja e Adem Shaban Jasharit.
1997 – Paraqitja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
1998 – përmes referendumit mbarëpopullor u adoptua Kushtetuta e Shqipërisë. / KultPlus.com
Krahas ndërtesave të Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës në të cilat janë vendosur flamujt kombëtar, edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka marrë një pamje tjetër, shkruan KultPlus.
Dera hyrëse, pemët, shkallët që janë afër kësaj Ministrie tanimë janë mbështejllur me flamurin kuq e zi në pragë të 28 Nëntorit. Kombinimi i dy krenares së bukur me flamurin e Kosovës në këtë institucion ka dëshmuar edhe një herë vëllazërinë mes kombit shqiptar.
Këtë ndërrim të pamjes e ka shpërndarë ministrja për Kulturë, Vlora Dumoshi në profilin e saj në facebook.
KultPlus ua sjell të plotë shkrimin e Dumoshit:
Dita më domethënëse kushtuar lirisë së popullit tonë, sot këndojmë për të gjithë patriotët që mbrojtën Atdheun shqiptar.
Në festën tonë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndriçon nga dy flamujt vëllazëror 🇦🇱🇽🇰.
Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani nëpërmjet një postimi ka bërë të ditur që flamuri kombëtar ka marrë vendin para ndërtesës së Kuvendit dhe Presidencës së Kosovës, shkruan KultPlus.
Krahas flamurit të Kosovës dhe atij të Evropës, tanimë në këto dy institucione të vendit përgjatë festës kombëtare do të qëndroj edhe flamuri kuq e zi.
KultPlus ua sjell shkrimin e Osmanit:
Për nder të Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit, para ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe para zyrës se Presidentit të Republikës, është vendosur flamuri kombëtar shqiptar, krahas atij shtetëror të Republikës së Kosovës.
Flamuri do të qëndrojë aty përgjatë festës së 28 Nëntorit.