Shkruan Behlul Jashari.
Para 28 viteve, masat e dhunshme të Serbisë e goditën edhe gazetën tradicionale të Kosovës Rilinda, në ditën e 5 korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës.
Me titull “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i fuqishëm i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 korrikut 1990. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë.
Masat e dhunshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës.
Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”
Pas pak më shumë se një muaji, në 7 gusht 1990 gazeta Rilindja u ndalua natën me forcë në shtypshkronjë nga Serbia që e kishte okupuar Kosovën, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën.
Behlul Jashari
Kryeredaktor i gazetës Rilindja nga fillimi i vitit 2002 kur në 21 shkurt UNMIK e mbylli me dëbim nga Pallati i Rilindjes dhe në vijim i botimeve të jashtëzakonshme-protestuese të kohapaskohëshme deri në numrin e fundit – 30 dhjetor 2008. Në vitin 1990 redaktor.