Albumi “30” nga Adele ishte më i shituri në Britani të Madhe gjatë vitit 2021

Lansimi i fundit muzikor i këngëtares Adele, “30”, ishte albumi më i shitur i vitit 2021 në Britani të Madhe dhe ky sukses u arrit vetëm gjashtë javë pas daljes në treg.

Albumi, këngët e së cilit janë inspiruar nga shkurorëzimi i kantautores britanike dhe i cili është vlerësuar lartë nga kritikët, i ka shitur më shumë se 600 mijë kopje. 80 për qind e tyre ishin shitje të CD-ve çka është e kundërta e trendit të fundit për ta matur suksesin e një artisti bazuar në shitjet online.

Kështu, Adele bëhet sërish artistja më e suksesshme e vitit që e lamë pas duke i mundur yjet e tillë si, Olivia Rodrigo, Elton John dhe grupi “ABBA”. Globalisht, albumi “30” renditet në vendin e vendin e parë në 36 shtete të ndryshme.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, projekti i fundit muzikor i Adeles i ka shitur gjithsej 839 mijë kopje, vetëm në javën e parë të lansimit.

“30” po ashtu u bë LP albumi me shitjen më të madhe si dhe albumi i parë i vitit 2021 që i ka shitur më shumë se 1 milion kopje. Konkurrenti i saj më i madh në tregun e muzikës në Amerikë ishte, Morgan Wallen, këngëtari i zhanrit country i cili në fillim të vitit që e lamë pas u bë lajm në media për përdorimin e fjalëve raciste, dhe më pas i kryesoi toplistat muzikore për dhjetë javë rresht.

Siç u theksua nga televizioni BBC, në Britaninë e Madhe shitjet e incizimit të fundit të këngëtares shumë të dashur nga publiku, megjithëkëtë janë më të ulëta krahasuar me albumin e parafundit me titull, “25”.

Transmetimi përmes platformave online tani është forca dominuese e padiskutueshme në muzikë, duke zënë rreth 83 për qind të konsumit të audiencës.

Koncertet e planifikuara të këngëtares në Las Vegas, pritet të fillojnë më 21 janar dhe do të vazhdojnë deri më 16 prill të këtij viti. Besohet se për një shou në qytetin e dritave, Adele do të paguhet rreth 2 milionë dollarë.

Ylli i hitit “Someone Like You” në këtë mënyrë i bashkohet listës së legjendave të muzikës që kanë performuar për fansat në Las Vegas të tillë si, Sir Elton John, Mariah Carey dhe Lady Gaga.

Adele konsiderohet një nga artistet më fitimprurëse dhe shquhet për baladat muzikore të shndërruara në hite anembanë botës. / KultPlus.com

Adele pushton vendet e para të klasifikimeve britanike

Këngëtarja britanike Adele arriti ka arritur një dyshe të rrallë në klasifikimet në Britaninë e Madhe, duke kryesuar ato për albumet dhe këngët më të shitura, me albumin e saj të shumëpritur “30”, i publikuar më 19 nëntor dhe këngën e saj kryesore “Easy on Me”.

Kompania Official Charts njoftoi se albumi “30”, albumi i parë i divës pop në gjashtë vjet, arriti në 261 000 shitje këtë javë, duke u bërë albumi më i shitur në 2021 brenda javës së publikimit të tij.

Prandaj, “30” është albumi i katërt i yllit, që zë vendin e parë të klasifikimeve britanike.

Të mëparshmit, “25”, “21” dhe “19”, kanë bërë një rikthim edhe këtë javë në klasifikim, duke u ngjitur përkatësisht në vendin e 15-të, 18-të dhe 31-të.

Kantautorja 33-vjeçare mbajti, gjithashtu, vendin e parë në listën e këngëve për të gjashtën javë radhazi me këngën e saj “Easy On Me”, duke thyer rekordin e saj personal të vendosur me këngën “Someone Like You”, që qëndroi në krye të renditjes për pesë javë.

Nga 12 këngët që përbëjnë “30”, dy të tjera janë shfaqur këtë javë në top listat e këngëve, “Oh My God”, në vendin e dytë dhe “I Drink Wine” në vendin e katërt. / KultPlus.com

‘30’ i Adele më i shituri, rënditet para ‘Voyage’ të ABBA-s

Albumi “30” i artistes Adele është bërë albumi më i shitur i vitit deri më tani.

Deri më tani janë regjistruar 261,000 shitje vetëm në javën e parë, duke kaluar kështu edhe albumin debutues që shënoi rikthimin e grupit muzikor “ABBA”, me 204.000 shitje.

Megjithatë, shifrat e shitjeve të ”30” janë dukshëm më të ulëta se ato të albumit të saj të mëparshëm “25”, të publikuar në vitin 2015.

Ai album, i treti i saj, u hap me 800,000 shitje në javën e parë, që do të thotë se “30” ka shitur 32% të paraardhësit të tij.

Rënia mund të shpjegohet pjesërisht me rritjen e madhe të transmetimit në gjashtë vitet e fundit. Përveç kësaj, pati një nxitje më të madhe për fansat për të blerë “25”, pasi u mbajt jashtë platformave të transmetimit për gjashtë muajt e parë të publikimit./KultPlus.com