33-vjetori i Pavarësisë së Ukrainës, AGK-ja pret gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, sot me rastin e 33 vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës ka organizuar një pritje për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë”.

Në njoftimin e AGK-së, është bërë e ditur se në këtë ngjarje të pranishëm ishin ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rhode, zëdhënësja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Lindsay Jagla, si dhe bashkëpunëtorët e AGK-së, që ndihmojnë në zbatimin e këtij programi.

AGK-ja nga prilli i vitit 2022, ka zbatuar programin që u mundëson gazetarëve ukrainas që kanë ikur nga lufta, të vazhdojnë punën e tyre si gazetarë në Kosovë.

“Ata bëjnë një punë të jashtëzakonshme duke raportuar në baza ditore nga Kosova, për Kosovën e Ukrainën, atdheun e tyre”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

” Gazetarët në Rezidencë – Kosovë, është program i iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, në kuadër të programit mbështetës, Voices of Ukraine, zbatohet nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, dhe mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si dhe iniciativa Hannah Arendt e Qeverisë së Gjermanisë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

33 vjet nga bashkimi i Gjermanisë

Gjermania sot shënon 33 vjetorin e bashkimit.

Më 3 tetor të vitit 1990, Gjermania zyrtarisht u bashkua, me synimin që dy pjesët e vendit të jenë të zhvilluara.

Në kujtesën e popullit gjerman më shumë është ngulitur data e 9 nëntorit 1989, kur ra muri i Berlinit, simboli i ndarjes së Gjermanisë dhe i ndarjes së tërë botës në dy blloqe, e që ishte praktikisht edhe fundi i Republikës Demokratike të Gjermanisë, raporton RTKlive.

Gjermania vuajti ndarjen e saj në dy pjesë, njëra pjesë u kontrollua nga aleanca perëndimore dhe pjesa lindore e Gjermanisë u pushtua nga trupat ruse.

Për më shumë vite popullit gjerman iu ndalua lëvizja e lirë, ndërsa për ta bërë edhe më të ashpër ndarjen, ish-BRSS ndërtoi murin në Berlin, që e ndante qytetin në mes, i cili u rrënua në nëntor të vitit 1989, për t’ia hapur rrugën bashkimit të vendit.

Për këtë Ambasada Gjermane në Prishtinë sot do të organizojë një pritje me rastin e “Ditës së Bashkimit të Gjermanisë”./rtk/KultPlus.com