Krejt Kosova i ka veç 35 inspektorë të punës

Përkundër paralajmërimeve për rritjen e numrit të tyre, aktualisht e gjithë Kosova ka vetëm 35 inspektorë të punës. Në Inspektoratin e Punës thonë se këtë vit planifikohet të rekrutohen inspektorë të rinj. Shtimin e numrit të inspektorëve e kërkojnë edhe nga Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat, që thonë se kjo është e domosdoshme.

Mbi 6300 (gjashtëmijë e treqind) është numri total i inspektimeve që ka realizuar Inspektorati i Punës gjatë gjithë vitit 2022. Nga këto inspektime, 860 u bënë pas ankesës së palëve. Përveç këtyre statistikave, në Raportin vjetor të punës së IP-së, thuhet se vitin e kaluar ishin vetëm 37 inspektorë të punës.

Numri i inspektorëve dhe inspektimeve do të mund të ishte më i madh nëse do të fillonin punën 17 inspektorë të rinj, për çka pati një konkurs.

Ndryshe nga planifikimet, jo të gjitha pozitat u plotësuan, tregon për Radio Kosovën kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi.

“Nga numri i kërkuar për shtimin e inspektorëve të punës, nga ajo që ne kemi bërë shpallje të konkursit, në korrik të vitit 2022, punën e kanë filluar vetëm 8 inspektorë. Pra, nuk është arritur të pranohen inspektorë të punës në numrin e kërkuar. Arsyeja është se nuk ka pasur kandidatë të interesuar, pra nuk kanë konkurruar. Por, ju njoftojmë se fazën e rekrutimeve të reja për inspektorë të punës do ta fillojmë shpejt, pasi ka mbetur që Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë i MPB t’i bëjë disa përgatitje”, tha ai.

Tutje, Nikçi tha se aktualisht janë 35 inspektorë të Punës. Ndërkohë, në Raportin e punës së IP-së për vitin 2022 thuhet se “janë planifikuar dhe buxhetuar 100 inspektorë të rinj të punës për vitin 2023”.

I shqetësuar me trajtimin e punëtorëve shprehet kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi. Ai i tha Radio Kosovës se urgjentisht duhet rritur numri i inspektorëve, në mënyrë që shkeljet e të drejtave të punëtorëve të pakësohen.

“Neglizhenca, mospuna, por edhe numri i vogël i inspektorëve të punës, po bëjnë që gjithë këtë barrë mbi kurriz të tyre të bartin punëtorët e sektorit privat, të cilët trajtohen keq me paga, trajtohen keq me Ligjin mbi sigurinë dhe shëndetin në punë. Po ashtu edhe për sa i përket zbatimit të Ligjit të punës. Shteti, me këtë numër të inspektorëve, pronave të kompanive ua ka lanë duart e lira që të bëjnë gjithçka që dëshirojnë me punëtorët”, tha ai.

Për shtimin e  numrit të inspektorëve të punës  ka folur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili më herët kishte thënë se gjatë mandatit të tij synon pesëfishimin e inspektorëve, me qëllim të garantimit të të drejtave të punëtorëve dhe përmirësimit të kushteve të punës. / KultPlus.com