‘Linja e jetës’ qendra telefonike për parandalimin e vetëvrasjes ku çdo thirrje është plotësisht anonime dhe trajtohet pa gjykime, sot në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, ka vendosur 36 lule për të gjithë personat e prekur nga vetëvrasja në vitin 2020 dhe jo vetëm, përcjellë KultPlus.
“36 lule për të gjithë personat e prekur nga vetëvrasja, për të gjithë ata që janë duke e lexuar këtë shkrim dhe që janë duke kaluar periudha të vështira e që nuk janë ende të gatshëm të kërkojnë ndihmë, për të gjithë ata që në mungesë të një sistemi të duhur mbështetës nuk kanë mundësi ta lexojnë këtë shkrim, për të gjithë ata që duan të kërkojnë ndihmë por frikësohen se do të paragjykohen nga shoqëria, për të gjitha ata që sot kujtojnë dikë që nuk e kanë më pranë, për të gjithë ata që nuk janë të informuar se si ta ndihmojnë dikë që e kanë pranë e që ka nevojë për ndihmë, për të gjithë ata që janë duke kërkuar arsye për të vazhduar, për të gjithë ata që janë duke kaluar në procesin e shërimit, për të gjithë ata, për ty.
Nëse ndonjëherë ke nevojë të flasësh me dikë, telefono në 0800 12345“, thuhet në postimin e tyre në rrjetet sociale. / KultPlus.com