Ish-bashkëshortja e Elvis Presley dhe vajza e tyre iu bashkuan mijëra fansave të tij në rezidencën “Graceland” në Memphis – Tennessee gjatë mesnatës të ditës së martës, për të kujtuar 40-vjetorin e vdekjes së tij.
Priscilla Presley, sot 72 vjeç, është parë teksa përshëndeste fansat përpara se të niste ceremonia e së martës, në momentin kur ata mbërritën në ish-pronën e këngëtarit.
Ndërsa Lisa Marie Presley, 49 vjeç, ndezi qirinjtë për të pranishmit, që sipas organizatorëve, i kaluan 50 mijë fansa për të përkujtuar mbretin e “Rock ‘n’ Roll”-it. Ceremonia vijoi deri në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Kjo ceremoni zhvillohet çdo vit në ditën e përvjetorit të vdekjes së Presleyt. Por këtë vit pati edhe disa shqetësime, pasi vizitorët duhej të paguanin 28.75 dollarë për të marrë pjesë në ceremoni, hera e parë që paguhet për një ngjarje të tillë, pasi zakonisht pjesëmarrja ka qenë falas.
“Në mënyrë që të siguronim qetësinë, sigurinë dhe kënaqësinë e kujtdo nga të pranishmi, ne bashkëpunuam me autoritetet lokale të sigurisë, ato shtetërore dhe federale, për të implementuar procedura të reja që janë parë të zbatohen anembanë Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga organizatorët.
Disa fansa e kundërshtuan vendimin për të paguar për hyrjen në një ceremoni të tillë, duke thënë se kjo mund të ishte një ofezë për ta. Por fakti që numri i të pranishmëve ishte kaq i lartë nënkupton se shumë të tjerë nuk e vranë mendjen për shumën e paguar.
Priscilla dhe Lisa Marie falënderuan më pas turmën për dashurinë dhe dedikimet ndaj ish-legjendës së muzikës “Rock and Roll”.
Priscilla u martua me Elvisin në vitin 1967, përpara se të divorcohej në vitin 1973. Lisa Marie, vajza e tyre, u lind në vitin 1968. Elvis Presley ndërroi jetë pas një ataku kardiak më 16 gusht të vitit 1977, në “Graceland”, në moshën 42-vjeçare./ KultPlus.com