Nis nga nesër për 5 ditë radhazi Panairi i Librit. Kreu i Shoqatës së Botuesve Petrit Ymeri dha detaje lidhur me organizimin e këtij edicioni të 26-të, disa prej të ftuarve, por edhe nevojën për më shumë mbështetje institucionale kundrejt sfidës së tkurrjes së numrit të lexuesve.
Nën moton “Libri na bashkon të gjithëve”, edicioni i 26-të i Panairit të Librit, nis këtë të mërkurë në Pallatin e Kongreseve.
“Ky është Panairi i 26-të, është aktiviteti më i madh kulturor në Shqipëri, jo vetëm libror. Kostoja e këtij Panairi për këtë vit është 200 milionë lekë. Ne stimulojmë që gjatë këtyre ditëve të ketë ulje të paktën në 20 për qind”, shprehet Ymeri.
Në një bisedë për medien, kreu i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë që është edhe organizatorja e ngjarjes më të madhe vjetore të Librit, dha detaje lidhur me disa nga të ftuarit specialë përgjatë 5 ditëve të Panairit.
“Do të kemi shumë shkrimtarë nga Shqipëria, Kosova…, por do të kemi edhe të huaj. Nga këta të fundit më i shquari është Lilian Thuramin (nesër në orën 19.00 në Sofanë e Librit) , futbollist i jashtëzakonshëm, por ai këtë radhë vjen në kostumin e shkrimtarit. Pastaj vlen të përmendet Ilide Carmignani, një personalitet i letërsisë, jo vetëm italian por edhe evropian”, tregon më tej Ymeri.
Do të jenë të pranishëm 95 ekspozues, ku botuesi Petrit Ymeri foli për përfshirjen e shtëpive botuese nga trevat e tjera shqiptare.
“Në radhë të parë nga Kosova, është “Logos”, Maqedonia e Veriut është thuajse inekzistente, ndërsa nga Mali i Zi do të jetë e pranishme një shtëpi botuese me tekste shkollore dhe nja dy librari”, thotë Ymeri.
Rritja e numrit të lexuesve mbetet një sfidë sipas tij, që kërkon angazhim maksimal të institucioneve.
Panairi do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh promovuese, ndërsa në 19 nëntor do të ndahen edhe 4 Çmimet e përvitshme, të përzgjedhura nga juria e kryesuar nga gazetarja Arta Marku./Shqiptarja.com/KultPlus.com