Një koncert madhështor me titull “50 vjet zëri i kombit” do të mbahet në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë, për të shënuar 50 vjetorin e karrierës së artistes Shkurte Fejza, shkruan KultPlus.
Ky koncert është organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”.
Përmes një njoftimi publik ansambli “Shota” ka bërë ftesë për pjesëmarrje për të festuar me zërin që për 50 vite ka përfaqësuar kombin shqiptar:
“Ju ftojmë të merrni pjesë në koncertin madhështor të artistës ikonë të këngës shqipe, znj. Shkurte Fejza me titull “50 vjet zëri i kombit”.
Kjo ngjarje e veçantë muzikore është organizuar nga MKRS-dhe AKKV “Shota”. Mos humbisni mundësinë për të përjetuar një mbrëmje të paharrueshme plot me muzikë, mbamendje dhe emocion.
Bashkohuni me ne për të nderuar dhe festuar trashëgiminë tonë muzikore!”, thuhet në një shkrim të publikuar nga AKKV “Shota”.
Koncerti mbahet më 8 qershor, në ora 20:00, në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com
Lëvizja njerëzore bën të mundur ekzistencën e formave të artit krijues si baleti. Në thelb, baleti ka një ton dramatik, i cili shfaqet para një publiku në një skenë duke përdorur skenografi, kostume dhe ndriçim. Mes tjerash, përmes baletit mund të komunikohet një mesazh ose një ide, ndjenjë ose mënyrë të menduari. Të bërit kërcim balet përfshin pjesën magjepsëse, emocionuese, provokues ose ai mund të jetë ndonjëherë mund të përcjellë edhe emocione të frikshme, shkruan KultPlus.
Baleti Kombëtar i Kosovës shënon 50-vjetorin e themelimit më 9 tetor të këtij viti, ku përgatitjet për këtë përvjetor jubilar janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen në mënyrë të organizuar, pavarësisht problemeve që janë shfaqur në këtë rrugëtim.
Drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, në një intervistë për KultPlus, bën të ditur se shfaqja e përgatitur për këtë ngjarje madhështore është përzgjedhur në mënyrë të natyrshme të jetë pikërisht ajo e “Halilit dhe Hajrisë”, siç njihet edhe si “baleti i parë shqiptar”.
“Baleti Kombëtar i Kosovës, në vazhdimësi përveç veprave të repertorit botërorë, ka promovuar edhe repertorin kombëtarë, prandaj përzgjedhja e baletit “Halili dhe Hajria”, vjen natyrshëm në këtë jubile, jo vetëm për faktin se është baleti i parë shqiptar, por se edhe është një vepër jashtëzakonisht e mirë”.
Gjatë muajve të fundit në llogarinë zyrtare të këtij institucioni është bërë promovimi dhe falënderimi i njerëzve që e zhvilluan dhe e ngritën në maje baletin e Kosovës.
“Sigurisht se e kemi për obligim të njohim meritat e gjithsecilit për këtë gjysmë dekade jetë të Baletit Kombëtar të Kosovës, e sidomos themeltarëve të institucionit të BKK, të cilët para 50 vitesh, nisën këtë storje suksesi për ta vazhduar edhe gjenerata e re e balerinëve. Më vjen mirë që kjo kampanjë ka pas impakt të mirë tek njerëzit dhe sigurisht se ky ka qenë edhe qëllimi që të gjithë ata që kanë kontribuar në forma të ndryshme për BKK, me e pas parasysh se dikush iu njeh meritat dhe kontributin”, thotë Kajtazi.
Ai gjithashtu njofton se janë në fazën finale të përgatitjeve për shënimin e evenimentit të 50-vjetori të BKK-së.
“Mbyllja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar për rinovim, na ka shkaktuar telashe të mëdha. Jemi sistemuar në sallën e AKV Shota, për ushtrimet dhe provat, në ndërkohë kemi siguruar edhe hapësirat e Sallës së Sporteve “1 Tetori” dhe deri në këtë moment, gjithçka duket se po ecë mirë. Përveç premierës së baletit, që do të jetë pjesa kryesore e mbrëmjes së 9 tetorit, sigurisht se do të ketë fjalime e ndarje mirënjohjesh dhe po besoj një befasi të këndshme për audiencën në fund të shfaqjes”.
Kajtazi beson se mbyllja e Teatrit ka kosto të madhe për profesionin e tyre, pasi baleti është art i ndishëm dhe përvec angazhimit të përditshëm, kërkon edhe kushte adekuate.
Në fund, kreu i BKK-së shprehet i bindur që Baleti Kombëtar i Kosovës ka treguar përkushtim e punë të pakompromis.
“Jam i bindur që Baleti Kombëtar i Kosovës, ndër vite ka treguar përkushtim e punë të pakompromis, duke përfaqësuar vlerat e një arti elitarë e universal si në vend, poashtu edhe nëpër Evropë, duke krijuar kështu një respekt të jashtëzakonshëm në komunitetin artistikë ndërkombëtarë”, përfundon ai.
Shfaqjet e baletit, veçanërisht ato klasiket, synojnë t’i tregojnë një histori audiencës. Gjithçka, nga dekorimet e ndërlikuara të skenës deri te kostumet e ndryshme, përfshirë këtu edhe grimin e kërcimtarëve, ndikojnë në përthekimin e duhur të një përralleje baleti dhe efektin e tij të përgjithshëm te audienca. Shfaqjet e baletit janë kulmi i bashkimit të disa elementeve krijuese dhe entuziazmi e emocioni i kërcimtarëve janë qershia në krye. /KultPlus.com
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës paraqitën historikun dhe faktet mbi vendosjen e marrëdhënieve midis dy vendeve para 50 vjetëve.
Përmes kumtesave dhe prezantimeve nga ekspertë zviceranë dhe shqiptarë, historiku i marrëdhënieve diplomatike midis Zvicrës dhe Shqipërisë u shpalos në ambientet e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Konferenca dhe ekspozita “50 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri-Zvicër“ mblodhi përfaqësues të trupit diplomatik, qeverisë, politikës, historisë, diplomacisë, kulturës, dhe besimeve fetare.
“Ky kremtim është shenjë e rëndësisë që ka ky përvjetor për të dy vendet dhe gjithashtu dëshmon lidhjet e hershme mes popujve tanë, bazuar në histori njerëzore e dokumente arkivore, të cilat shkojnë përtej këtij gjysmëshekulli. Ai vjen si një moment reflektimi për atë që është arritur dhe për vijimësinë e bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Zv. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Sokol Dedja. Ai gjithashtu falënderoi Zvicrën që qëndroi përkrah Shqipërisë në momente të vështira për të përballuar pasojat e rënda të tërmetit e pandemisë, duke ofruar kontribute mjaft bujare.
Në videon përshëndetëse Ministri i Jashtëm i Zvicrës Ignazzio Cassis, theksoi se Zvicra është e përkushtuar të vazhdojë të qëndrojë përkrah Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
“Unë ju bashkohem në festimin e këtij përvjetori dhe në reflektimin mbi lidhjet dhe marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Le të vazhdojmë të ndërtojmë dhe të rrisim shkëmbimet tona në dobi të popullit shqiptar dhe atij zviceran”, tha Ministri Cassis.
Ambasadori zviceran në Shqipëri Adrian Maître tha: “50 vjet më parë dy vendet tona firmosën për marrëdhënie formale diplomatike dy-palëshe. Në 50 vitet që pasuan, dy vendet tona kanë intensifikuar shkëmbimet, janë afruar, dhe bashkëpunojnë ngushtë”.
Ambasadori i parë i Shqipërisë post-komuniste në Zvicër, Gazmend Turdiu, ndau kujtimet dhe përshtypjet e tij nga momentet kur dy vendet nisën shkëmbime të reja në fazën pas 1992.
Aktiviteti përfshiu edhe një ekspozitë me dokumente dhe foto të papublikuara deri tani të cilat hedhin dritë mbi evolucionin e marrëdhënieve diplomatike, ekonomike e njerëzore midis dy vendeve.
Zvicra dhe Shqipëria kanë rritur bashkëpunimin në shumë fusha në dekadat e fundit. Zvicra është aktualisht një nga mbështetësit dhe donatorët kryesorë për zhvillim dhe bashkëpunim me Shqipërinë, në nivel dy-palësh dhe shumë-palësh./ KultPlus.com
Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren (ish Instituti për Mbrojtje të Monumenteve) shënoi mbrëmë gjysmë shekulli jete që nga themelimi i këtij institucioni të trashëgimisë, përcjell KultPlus.
Në një ceremoni të organizuar në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës në Prizren u shënua ky jubilar, ku u promovuan edhe katër botime të QRTK-së: “Zejet dhe Artizanatet e Prizrenit në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” të autores Shpresë Siqeca, “Gurët Mbivarrorë në Kompleksin e Teqesë Sinani në Prizren” të Media Fishekqiut, “Katalog me Eksponate nga Rajoni i Prizrenit” dhe “Katalog Araste Vice-Versa”.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili mori pjesë në këtë ngjarje, me këtë rast u shpreh se është një kënaqësi e dyfishtë që po merr pjesë në shënimin e 50 vjetorit të themelimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, në Prizren, apo siç është emërtuar në fillet e themelimit tij si Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren.
“E para për faktin se po e shënoni 50 vjetorin e themelimit të këtij institucioni të veçantë, ku për plotë pesë dekada jeni angazhuar në ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë tonë të çmuar kulturore. E dyta, se nga ky ambient rikonfirmoj faktin se qyteti Prizrenit përveç se është bërë qendër universitare, nga viti ardhshëm do jetë edhe qendra apo selia e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit”, tha ministri Gashi.
Ministri foli për rëndësinë dhe kontributin që ka dhënë QRTK-ja në Prizren e cila ka bërë të mundur që vlerat e shumta e të pakontestueshme të kulturës materiale të krijuara pa ndërprerë, në këtë areal gjeografik të ruhen e të promovohen.
“Pasuria arkeologjike e rajonit të Prizrenit, asetet e shumta të trashëgimisë kulturore, dhe asaj shpirtërore, janë një thesar i çmuar, për të cilin ashtu siç mundi t’i ruajë toka me shekuj, duhet të mbetet obligim i yni që institucionalisht të përkujdesemi për to”, u shpreh ministri, duke e shprehur edhe mirënjohjen për stafin e vyeshëm dhe profesional të QRTK-së por edhe për të gjithë ata, që për dekada, me përkushtim dhanë kontribut të madh në këtë fushë.
“Njërin ndër personalitetet të cilin nuk mund të mos e përkujtojmë sot, është i ndjeri Muhamed Shukriu i cili tërë jetën ia kushtoi trashëgimisë kulturore. Andaj në përputhje me mandatin tim si Ministër me kënaqësi do i ndaj mirënjohjen për ‘Post Mortem’ për kontributin e dhënë në fushën e trashëgimisë kulturore këtij personalitetit të çmuar të vendit tonë”, theksoi për fund ministri Kujtim Gashi, duke i ndarë këtë çmim familjarëve të Shukriut.
Ministri u zotua se do të punojë për një përkrahje edhe më të madhe, për t’u mundësuar institucioneve të trashëgimisë kulturore ta avancojnë këtë fushë.
Kurse Jusuf Xhibo, u.d. drejtori i QRTK-Prizren, foli për historikun e QRTK-së, që nga themelimi në vitin 1967 e deri në sot, për sukseset dhe proceset nëpër të cilat ka kaluar ky institucion./ KultPlus.com