Sot shënohet 50-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës, ku për të nderuar gjysmë shekulli jetë të këtij Universiteti, mbajti fjalim edhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Më poshtë KultPlus ju sjell një pjesë nga fjalimi i Osmanit.
‘Të dashur miq të dijes dhe të arsimit është krenari të jem sot në mesin tuaj. Ne sot kremtojmë 50 vjetorin e jetës së UP/
Ndoshta 50 vjet jetë nuk janë edhe shumë, por për një institucion nismtëar të arsimit të lartë, të parit në vend e të dytit në hapësirat shqiptare, 50 vjet jetë janë 50 vjet përkushtimi, përjetësim të rilindësve tanë për arsimim e dije, janë 50 vjet të jetesës së një institucioni i cili e ka bartur barrën e rëndë që jo vetëm të përgatisë kuadro të arsimuara por edhe ta mbajë gjallë vetëdijen për kombin e për shoqërinë duke qenë jo rrallë prijëtare e ideve për lirinë tonë.
Të dashur miq të universitetit, në këtë ditë të shënuar për Universitetin por edhe për gjithë popullin e Kosovës, duam që të kujtojmë themeluesit dhe anëtarët e parë të këtij Universiteti, të cilët në një kohë të pakohë thuajse ju përkushtuan krijimit të hapësriave të arsimimit të të rinjve tanë, që ishin fort të bindur që kështu po u shërbenin dyfish atyre, duke hapur shtigje drejt arsimimit më të mirë dhe ppashtu duke u krijuar një hapësirë në të cilën fjala e lirë, mendimi kritik e gjykimi i lirë zhvillohen e promovojnë liri individuale e kolektive në këtë hapësirë.
Kujtojmë rektorin e parë Dervish Rozhaja si gje gjithë atë brez të dijetarëve të shquar të cilët i vunë themelet e këtij institucioni të arsimit të lartë në Kosovë.
Kujtojmë atë brez të jashtëzakonshëm të studentëve, të pedagogëve, administratorëve e menagjerëve të këtij institucioni të cilët iu bashkuan thirrjes për të mos u dorëzuar kurrë para presionit dhe të cilët në emër të lirisë organizuan sistemin paralel të arsimit si shtylla themelore e shtetit dhe shtetësisë sonë brenda lëvizjes së madhe të vitetve të 90′, për pavarësi e liri të udhëhequr nga presidenti ynë historik, Ubrahim Rugova.’ / KultPlus.com