Shan Pici, 54.000 negativë në xham dhe celuloid

Në kuadër të “Muajit të Fotografisë”, ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka publikuar një foto të Shan Picit, një tjetër mjeshtër shkodran i fotografisë.

Shan Pici njihet si i pari “fotograf turistik”.  Foto e përzgjedhur nga Margariti është realizuar në vitin 1925 dhe tregon një pamje nga kafe “Ajri”.

Shan Pici vinte nga një familje qytetare shkodrane e lidhur me familjet e njohura të Shkodrës si Marubi, Gurakuqi e shumë të tjera. Ai filloi që në moshën 9-vjeçare të mësonte sekretet e fotografisë duke punuar si shegert në studion Marubi.

Më 1924 Shan Pici u shkëput nga studio “Marubi” dhe bashkë me vëllezërit Tefë e Ndrekë, hapën studion e tyre “Fotografia Pici” në Fushën e Çelës.

Krijoi personalitetin e tij në fushën e portretit, peizazhit, dhe në zbulimin e vlerave arkitektonike të qytetit të lindjes dhe të aktiviteteve të ndryshme sociale, politike, sportive. Njihet si autor i peizazheve dhe jetës në Alpet Shqiptare, duke zbuluar bukurinë e thekshme të tyre. Është botues i shumë kartëpostaleve me tematika të ndryshme.

Nga shkurti 1935, në studion e tij në Shkodër filluan të shiteshin aparatet “Voigländer”. Vijoi të merrte pjesë për njëfarë kohe edhe në botimet e revistave të kohës së regjimit si “Ylli”.

Ai la një trashëgimi të pasur në fushën e artit të fotografisë, mbi 54.000 negativë në xham dhe celuloid.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij. / atsh / KultPlus.com