Shfaqja “55 Shades of Gay” me tekst të Jeton Neziraj e regji të Blerta Neziraj është futur në listën e shfaqjeve më të rekomanduara nga BBC Radio Playwriting Competition 2018, shkruan KultPlus.
Shfaqja “55 shades of gay” e autorit Jeton Neziraj, në regji të Blerta Nezirajt, ka pasur premierën këtë shtator 2017, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Në shfaqje luajnë aktorët: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj, Luan Durmishi (vokal). Skenografia dhe kostumet: Sebastian Ellrich, muzika: Irena Popovic, koreografia: Florian Bilbao.
55 shades of gay është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve, ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë.
Në shfaqje, një çift gay bën kërkesë për kurorëzim në një qytet provincial konservativ dhe thellësisht homofob. Kërkesa bëhet në kohën kur shoqata italiane Don Bosco ka nisur në qytet ndërtimin e një fabrike për prodhimin e prezervativëve, një projekt ky që është përkrahur financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe që synon zvogëlimin e papunësisë në atë qytet ku papunësia shkon deri në 90%. Intelektualë, artistë, politikanë, përfaqësues të fesë e bombahedhës profesionistë angazhohen që kjo martesë të mos ndodhë, pavarësisht se martesa e çifteve të së njëjtës gjini lejohet me kushtetutën e vendit, të cilën kryeministri e ka nënshkruar simbasudhëzimeve të BE-së.
Kjo shfaqje është financuar nga The Olof Palme International Center dhe Goethe Institut. Qendra Multimedia financohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Menaxhere e skenës: Lendita Idrizi / Ass. e produksionit: Verona Koxha / Drejtor teknik: Denis Berisha / Ndriçimi: Mursel Bekteshi. / KultPlus.com