Panairi i Librit në Frankfurt i cili ka nis sot më datë 10 tetor, është ngjarja më e madhe botuese në botë, duke mbledhur së bashku më shumë se 7,000 ekspozues nga më shumë se 100 vende të botës.
Kësisoj në këtë ngjarje të madhe të librit merr pjesë edhe Kosova me të gjithë botuesit që janë: Akademia e Shkencave të Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë, Buzuku, Dukagjini, Artini, Koha, Pema, Faik Konica, Libri Shkollorë, Piramida, Dija, Titanik, Mendimi pozitiv, Albas Kosovë, SHB Drita…
Një gjë të tillë e ka treguar për KultPlus, Besian Zeneli nga Shtëpia Botuese ‘Buzuku’, i cili ka dhënë detaje të shumta për këtë ngjarje të madhe, pjesë e së cilës është edhe Kosova.
“Edhe sivjet do të marrim pjesë në Panairin e Librit në Frankfurk, ku prezantohemi si Kosovë. Sivjet i kemi afërsisht 120 tituj të rinj dhe mbi 200 tituj të viteve të kaluara që do t’i prezantojmë”, ka thënë fillimisht për KultPlus, Besian Zeneli.
Kosova në Panairin e Librit në Frankfrut i cili u hap sot nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane Angela Merkel, do të mbajë edhe aktivitete të tjera. Është dita e shtunë me fillim nga ora 10:00 ku do të ketë disa promovime të librave.
“Do të kemi disa aktivitet siç janë të shtunën promovimi i librave të Çun Lajqit ‘Përgjime e fjalë”, Klara Buda ‘Kosova mon amour’, Ismail Sula ‘Atdheu im i ngrysur’, Nysret Pllana ‘Terrori i Serbisë në Kosovë’ dhe Shoqata e Shkrimtarëve në Diasporë me qendër në Frankfurt ka paraparë dy promovime”, pohoi Zeneli.
Rikujtojmë se pasi që panairi i vitit të kaluar u përqendrua në mënyrat se si botuesit të përdorin teknologji të reja, si realiteti virtual dhe printimi 3D, këtë vit organizatorët po kthehen përsëri në fillimet e botimit duke u dhënë vëmendjen përsëri shkrimtarëve dhe lexuesve të tyre./ KultPlus.com