Arlinda Hajdaraj
Kompozitor e muzikantë, duke përfshirë nacionalitete të huaja dhe në mesin e tyre edhe shqiptarë, u mblodhën mbrëmë në Prishtinë për të performuar veprat e tyre, përpara një publiku të gjerë, shkruan KultPlus.
Përpara se të nis koncerti i magjishëm nga këta 12 muzikantë të rinjë, fjalën hyrëse e mori profesoresha e muzikës dhe drejtoresha e Chopin Piano Fest, Besa Luzha e cila foli më tepër për koncertin që pritej të nistë për pak çaste, duke dhënë detaje më të thella se si arriti deri tek realizimi i tij.
“Kompozitorët janë zgjedhur me short se në cilat qytete do ta kenë rezidencën artistike. Dy kompozitorët tanë Ardian Halimi dhe Kreshnik Aliçkaj, kanë pasur rezidencat në dy qendra të ndryshme, njëri në Dubrovnik dhe tjetri në Tiranë. Ndërkaq, tek ne në Prishtinë kanë qenë dy kompozitor të rinjë, Timotej Kosovinc, i cili do të luajë edhe sonte me kitarë dhe Mira Milosavljevicqë e cila vjen nga Beogradi”, u shpreh Luzha.
Ndërkaq, Luzha tregoi që të gjitha këto kompozime janë zhvilluar në gjashtë qytete të ndryshme të botës, duke përfshirë Kotorin, Dubrovnikun, Trebinjën, Tiranën, Prishtinën dhe Lubjanën, dhe se secila qendër ka caktuar se cilat tema do trajtohen brenda koncertit.
“Prej 16 korrikut ky grup ka filluar turneun nëpër të gjitha këto gjashtë qendra. Dhe pas përfundimit të punës së tyre artistike dhe kompozimeve, çdo qytet është dashur të caktojë tema dhe të inspirohet nga to. Në Prishtinë, ne i kemi caktuar dy tema, diversitetin dhe lirinë, mbi të cilat kompozitorët kanë krijuar veprat”, përfundoi Luzha.
Luzha tha se çdo gjë është realizuar me short dhe se në mesin e këtyre muzicientëve janë përzgjedhur për të përformuar katër shqiptarë.
Rezidencën artistike, kompozitorët Timotej Kosovinc dhe Mira Milosavljevicq, e patën në Kosovë. Kosovinc, ishte kompozues i këngës ‘Unheard story’ të cilën e solli mbrëmë në mënyrën më të mirë të mundshme duke u kapur gjer në detajet më të imëta. Ndërsa, vepra e Mira Milosavjevic, do të dalë sot në po të njëjtën skenë, me performim nga po të njëjtit muzikantë.
Mbrëmë, publiku ishte i padurueshëm në aspektin e pritjes, ku çdonjëri priste me ngulm fillimin e kësaj performance. Me të hyrë në skenë grupi i parë i muzicientëve, publiku u çua në këmbë duke dhënë emocione të forta nga vetja, me duartrokitjet më të mëdha dhe me mbështetjen entuziaste karshi tyre.
Kjo ngjalli energjinë më të madhe tek performuesit, duke nxitur ata të japin qoftë edhe copëzën më të vogël prej vetes.
Kënga ‘Air’ e kompozuar nga Milivoje Picuric, nisi të luhet nga katër muzicientët e huaj, Dusan Obrenovic dhe Andrijana Durmisevic me violinë, Marija Bozic me violë dhe Teodora Uskokovic me violonçel.
Edhe pse performimi i këngës së parë nuk zgjati shumë, ajo magjepsi të gjithë të pranishmit me paraqitjen e saj. Ndjenjë qetësie, energji të mirë dhe emocione të forta ishin ato çka u përçuan tek publiku me anë të kësaj kënge.
Kompozitorja e këngës, Milivoje Picuric, foli në për këngën ‘Air’ në detaje.
“Ajri është një përzierje e shumë gazeve dhe grimcave të vogla të pluhurit. Është gazi i pastër në të cilin gjallesat jetojnë dhe marrin frymë. Ka formë dhe vëllim të pacaktuar. Ka masë dhe peshë sepse është materie”, përfundon Picuric.
Kënga e radhës ishte me kompozim të shqiptarit, Ardian Halimi, këngë, e cila tek publiku ngjalli atë ndjenjën prej shqiptari. Drithërima, entuziazëm, e kënaqësi u panë në fytyrat e secilit pjesëmarrës.
‘On the Edge of Silence’ u luajt në mënyrë profesionale nga Tereza Horakova me të tre muzicientët shqiptarë, Entela Qarkagjija, Egli Prifti, dhe Arian Zherkën.
‘Në buzë të heshtjes’ është përshkruesja më e mirë e tingujve që vijnë nga qetësia e largët të cilat zhduken përsëri në errësirë. Ashtu ndodhi edhe në performimin e kësaj kënge, ku edhe zhurmat më të thella shkonin duke zvogëluar ritmin e tyre, duke u asgjësuar në fund. Në mbarim të këngës, me zhdukjen e tingujve, mbetën vetëm siluetat e tyre të cilat ndjeheshin ende në qetësi.
Jo gjithmonë ka nevojë për fjalë për të shpalosur diçka, e këtë më së miri e vërtetuan mbrëmë ky grup i performuesve, ku e vetmja gjë që bënte zhurmë ishin veglat muzikore në duart e tyre.
Fuqia e botës së artit është e tillë, jep mesazh edhe pa zë, jep forcë edhe pa bërtitur e shpërndanë emocione pa pasur nevojë të prekë zemrat.
Përpos këtyre dy këngëve, përpara publikut të Prishtinës u paraqitën edhe katër këngët e tjera si ‘Encounters’, ‘Big Ship Full of Joy and Crap’, ‘Kuartet pianistic’ dhe ‘Unheard Story’. Secila këngë, me veçantinë e vet dha më të mirën nga vetja.
Me këto gjashtë vepra artistike të kompozuara me profesionalizëm e të performuara magjishëm, u bë edhe përmbyllja e koncertit të parë të ‘Synergy’, ndërsa koncerti i dytë do të mbahet sonte në ora 20:00.
Milivoje Picuric, Ardian Halimi, Nina Perovic, Matija Krecic, Kreshnik Alickaj dhe Timotej Kosovinc, ishin gjashtë kompozuesit e veprave të shfaqura mbrëmë. Ndërkaq, performuesit e natës së mbrëmshme janë: Dusan Obrenovic, Andrijana Durmisevic, Marija Bozic, Teodora Uskokovic, Egli Prifti, Teresa Horakova, Entela Qarkagjija, Arian Zherka, Alenka Bogataj, Leufat Bucuku, Milena Petkovic, Marija Ticl, Andi Duraku, Miljana Nikolic, Cristina Basili, Timtej Kosovinc dhe Tim Jancar.
Kujtojmë që ky rrugëtim me performim të këtyre veprave ka nisur më datë 16 korrik dhe do të zgjasë deri më 2 gusht. Performuesit udhëtuan në gjashtë vende, duke përfshirë, Kotorin, Dubrovnikun, Trebinjen, Beogradin, Ljubljanen dhe Tiranën e Prishtinën. / KultPlus.com