Një 6-vjeçar nga Las Vegasi është bërë sensacioni më i madh në internet pasi refuzoi të hiqte maskën për të bërë fotografi në shkollë.
Djali ia bëri të qartë të gjithëve se nëna i kishte thënë të mos hiqte maskën nga fytyra, përveç momentit që do të konsumonte ushqim.
Këmbëngulja e Mason për të dëgjuar fjalën e nënës së tij po përgëzohet në rrjete sociale, ku janë dhuruar më shumë se 18 mijë dollar për kolegjin e tij. Mason mund të ketë marrë shumë seriozisht këshillat e nënës së tij pasi do të hynte në klasën e parë dhe do të ishte një ambient i ri për të.
Kur duhet të bëhej fotografia e portretit të tij, fotografi u habit pasi djali me mirësjellje refuzoi që të largonte maskën nga fytyra.
“Mami më tha ta mbaj gjatë gjithë kohës përveç momentit kur do të ha dhe duhet të jem larg të gjithëve”, i tha fotografit.
Nëna e Mason tregoi historinë me anë të një postimi në Facebook duke thënë se ndihet krenare që djali i saj ka zbatuar me përpikëri këshillat./KultPlus.com