Ylli i muzikës pop, aktore e regjisore, por edhe shkrimtare, ajo mbush plot 60 vjeç këtë të enjte.
Emri i saj i plotë është Madonna Louise Veronica Ciccone, njihet shkurt me emrin Madonna dhe në karrierën e saj ka performuar në 10 turne koncertesh, sikurse ka shitur edhe mbi 300 milionë albume, duke u bërë kështu artistja femër me më shumë albume të shitura në të gjitha kohërat, sipas librit të rekordeve botërore “Guinness”.
Por, le t’i hedhim një vështrim të shkurtër karrierës dhe jetës së saj, që nga fillimet e hershme kur nisi të studionte për kërcim në Nju Jork, e deri te suksesi i pamohueshëm, karriera në kinematografi dhe jeta familjare, transmeton tch.
Madonna është rritur në Rochester të Michiganit. Ajo u zhvendos në Nju Jork në vitin 1977, ku studioi për kërcim e punoi si modele. Ajo ka treguar që në moshë në re përkujdesje ndaj pamjes dhe sigurisht edhe zhvillimit të stilit të saj personal.
Në fillimet e karrierës muzikore, Madonna regjistroi disa “demo” me të dashurin e saj Stephen Bray. Një letër refuzimi e momenteve të para, në vitin 1981, u shit në ankand në Nju Jork në vitin 2001, në të cilën një profesioniste e muzikës shkruante: Nuk besoj se është gati, megjithatë vërej tek ajo bazat e një artisteje të madhe.
Por, “demo”-t e saj ranë shumë shpejt në duart e bosit të “Sire Records”, Seymour Stein, në një kohë kur ajo po kurohej në spital. “Holiday” ishte hiti i parë që la gjurmë në karrierën e saj në tregun amerikan, duke hyrë në klasifikime në fundin e vitit 1983 dhe duke u ngjitur deri në vendin e 16 në janar të vitit 1984. Tituj të tjerë të karrierës së hershme janë ato “Like A Virgin” apo “Material Girl”.
Viti 1985 do të ishte historik për këngëtaren e re. Turi i saj muzikor i mbiquajtur “Virgin” korri sukses, u mbështet nga “Beastie Boys”, ndërsa Madonna performoi në një koncert historik “Live Aid”, në përpjekje për të grumbulluar të ardhura për viktimat e urisë në Etiopi.
Madonna mori pjesë edhe në filmin e saj të parë, dramën-komedi “Desperately Seeking Susan”, në vitin 1985, duke marrë vlerësime përgjithësisht pozitive nga kritikët dhe frekuentuesit e kinemave.
Artistja u martua më pas me aktorin Sean Penn në një skaj të Kalifornisë, në vitin 1985, ndërsa media bënte xhirime nga helikopterët, kurse ajo iu përgjigj me një mesazh tejet të fortë. “Nuk duhet ta përsërisni më”, drejtuar fotografëve, por i shkruar në rërën e plazhit.
Çifti luajti gjithashtu në filmin e vitit 1986 “Shanghai Surprise”, i vendosur në kohë në Kinën e pushtuar nga japonezët gjatë vitit 1938.
Por, do të ishte albumi i saj i tretë “True Blue”, i publikuar në 1986-n, ai që do të përcaktonte ngritjen e saj në nivelin e yllit të popit, pasi kapi vendet e para në 12 vende dhe prej atij albumi dolën plot 5 hite.
Njëri prej tyre ishte “Papa Don’t Preach”, një këngë që i dedikohej shtatzënisë në adoleshencë, duke provuar edhe njëherë se Madonna ishte një artiste që nuk trembej të trajtonte çështje kontroverse.
Në vitin 1989, Madonna do të ndahej nga Penn, ndërsa po atë vit do të publikonte këngën “Like A Prayer”, videoklipi i së cilës shfaqje djegien e kryqit dhe këngëtaren teksa puthte një shenjt me ngjyrë. Nuk ishte aspak çudi fakti që ajo provokoi shumë protesta të zhurmshme. Pavarësisht debateve e kundërshtive, albumi kapi menjëherë vendin e parë.
Albumi u përvijua me këngën “Vogue” dhe turin “Blond Ambition”, me një ndryshim të theksuar të imazhit të Madonnës. Këtë herë, në qendër të mesazheve të saj ishin seksualiteti dhe femra.
Në vitin 1992, Madonna nisi të prekte me dorë penën, duke shkaktuar sërish debate. Ajo botoi një libër ilustrativ të titulluar “Sex”, ku shfaqej vet Madonna në një seri pozash tejet të nxehta, disa prej të cilave me personazhe të njohur të modës, si Naomi Campbell dhe Vanilla Ice. Sigurisht, edhe këtë herë reagimet ishin të përziera, disa e kritikonin, ndërsa të tjerë e duartrokisnin për kurajon e saj dhe mesazhin e fuqizimit.
Në vitin 1996, karriera kinematografike e Madonnës do të pasurohej me rolin kryesor të Evitës, Evita Duarte, gruaja e presidentit argjentinas Juan Peron. Vajza e parë e Madonnës, Lourdes, u soll në jetë në vitin 1996, pas lidhjes me trajnerin e fitnesit, Carlos Leon.
Madonna iu rikthye muzikës në viti 1998 me albumin “Ray Of Light”, me një stil dance dhe elektronik, e me tema si fama dhe prindërimi.
Regjisori Guy Ritchie do të ishte personi tjetër që do të hynte në jetën e Madonnës në vitin 1998, pasi u njohën gjatë një feste të zhvilluar nga gruaja e Sting, Trudie Styler. Me Ritchien, Madonna solli në jetë djalin Rocco, i cili u pagëzua më 21 dhjetor të vitit 2000. Ditën tjetër çifti u martua, me ceremoninë martesore të zhvilluar në kështjellën “Skibo” në Inverness të Skocisë. Mes të ftuarve “VIP” ishin Rupert Everett, Stella McCartney dhe Donatella Versace, sikurse edhe aktorja Gëyneth Paltrow, si shoqëruesja e nderit.
Ritchie e përfshiu gruan në filmin “Swept Away” të vitit 2002, ku spikat edhe roli i aktorit italian Adriano Giannini. Filmi tregonte historinë e një personazhi të njohur të bllokuar në një ishull të Mesdheut, me një marinar komunist.
Viti 2003 do të sillte një tjetër gjest të çuditshëm të Madonnës, teksa u puth me gjuhë me Britney Spears dhe Christina Aguilerën në mesin e një performance në “MTV Video Music Awards”, një ngjarje që sigurisht merr shumë vëmendje mediatike.
Madonna e zgjeroi familjen e saj teksa adoptoi foshnjen 13-muajshe David nga Malavi, duke marrë miratimin përfundimtar në vitin 2008. Po atë vit, Madonna e Ritchie do të divorcoheshin, duke i dhënë fund martesës 8-vjeçare.
Në vitin 2012, Madonna u bë e para femër e një finaleje “Super Bowl”-i që rrëmbeu titujt kryesorë të medieve, që kur Janet Jackson pati një “keqfunksionim të veshjes” në vitin 2004. Performanca e saj vendosi një rekord për audiencën më të lartë të shikueshmërisë. Në atë finale ishin edhe Nicki Minaj, Redfoo dhe Skyblu, në stadiumin “Lucas Oil” të Indinapolisit.
Në vitin 2014, Madonna u shfaq në tapetin e kuq me djalin David Banda Mwale Ciccone Ritchie në përvjetorin e 56 të Çmimeve “Grammy”, në Los Angeles të Kalifornisë. Në vitin 2016, Madonna dhe ish-bashkëshorti Ritchie e çuan në gjykatë mosmarrëveshjen për kujdesin e 16-vjeçarit Rocco.
Në vitin 2017, “Forbes” përllogariti pasurinë e Madonnës në 580 milionë dollarë, duke e bërë atë femrën më të pasur artiste në tokën Amerikane. Celine Dion ishte ndjekësja më e afërt me 380 mln dollarë./ KultPlus.com