75-vjetori i krijimit të Liceut Artistik “Jordan Misja” u përkujtua mbrëmjen e djeshme me një koncert me pjesëmarrjen e artistëve të njohur të skenës shqiptare dhe nxënësve të kësaj shkolle.
Në koncertin e organizuar në sallën “Tonin Harapi” ishte e pranishme edhe sopranoja e njohur shqiptare Inva Mula, e cila me interpretimet e saj përcolli emocione dhe duartrokitje për artdashësit kryeqyetas.
Pjesë e koncertit ishin edhe mësues dhe nxënës të Liceut Artistik, të cilët interpretuan në instrumentet muzikore si dhe pjesë operistike.Liceu Artistik “Jordan Misja” është krijuar në janar të vitit 1946. Ai ka nxjerrë emra të njohur në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Që në fillim të veprimtarisë së tij, me punën dhe angazhimin tregoi se është një qendër e rëndësishme edukative dhe arsimore për përgatitjen e artistëve të rinj në gjini të ndryshme të artit. Liceu artistik “Jordan Misja” për disa dekada ishte e vetmja shkollë e mesme artistike në Shqipëri. Aktualisht aty mësojnë rreth 900 nxënës të profilizuar në degët e arteve figurative dhe muzikore, si dhe klasat e përgjithshme.Për disa dekada Liceu Artistik ishte e vetmja shkollë e mesme artistike në Shqipëri. Për themelimin dhe ngritjen e këtij liceu kontribuuan pedagogët dhe artistët e mëdhenj shqiptarë, skulptorët: Odhise Paskali, Janaq Paço, Kristina Hoshi, (e para grua skulptore, shqiptare), Andrea Mano, etj; piktorët Foto Stamo, Abdurrahim Buza, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi, Guri Madhi, etj. Në dramë Mihal Popi, Zina Andri (Pano), Naim Frashëri, Kadri Roshi, etj. Në muzikë kompozitorët Çesk Zadeja, Tish Daija, Avni Mula, Kozma Laro, Feim Ibrahimi, Simon Gjoni; dirigjentët: Mustafa Krantja, Rifat Teqja, violinisti Ludovik Naraçi, artistë të vokalit Marie Kraja, Nina Mula, Gjoni Thanasi, Jorgjie Truja, Shpresa Nishani, muzikologu Ramadan Sokoli etj.
Në koreografi kontribuan Perkunji (rus), Panajot Kanaçi, Xhemil Simitçiu, Ganimete Vendresha, Zoica Haxho, Agron Aliaj, Petrit Vorpsi, etj. Drejtori i parë ishte kompozitori Konstandin Trako./atsh/KultPlus.com