Parku natyror “Syri i kaltër” vazhdon të jetë një nga destinacionet më të preferuara edhe për këtë vit, ku një numër gjithnjë e më i lartë vizitorësh kanë aksesuar këtë park.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga ky park, që befason me bukurinë e tij turistët vendas e të huaj.
Kumbaro tha se përgjatë gjithë muajit gusht parku natyror “Syri i Kaltër” ka mirëpritur mbi 78 mijë vizitorë.
Syri i Kaltër i konsideruar si një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perlë të turizmit veror gjendet pranë fshatit Muzinë, pranë Rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda.
Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore. Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellëta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.
“Syri i Kaltër” tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota./atsh/KultPlus.com