7Arte sjell programin “Dokument7”, e nis nesër me dokumentarin e Amy Winehouse

7Arte – Qendra alternative kulturore që ofron hapësirë dhe programe sociale e kulturore për të rinjtë, për herë të parë po sjell programin “DOKUMEN7” ku për çdo javë do të shfaqin filma dokumentarë biografik mbi jetën dhe karrierën e artistëve që lanë gjurmë në historinë botërore, përcjell KultPlus.

Këtë program po e fillojnë me dokumentarin e Amy Winehouse, të cilin do e shfaqin nesër, më 5 tetor, prej ora 20:00, në 7Arte. / KultPlus.com

Rona Nishliu me koncert premierë në Mitrovicë, si homazh për traditën e vendlindjes

Më shumë se 40 vite kanë shkuar, por fryma JAZZ që i papërsëritshmi, Big Band i Mitrovicës solli për herë të parë në vendin tonë, jeton në kujtimet e pashlyeshme të ngulitura thellë në zemrat e dashamirëve të muzikës në mbarë Kosovën.

Si tribut për magjinë e netëve të paharruara kur Mitrovica ishte jo vetëm zëri por edhe tingulli i Kosovës së re që po lindte, tashmë do të mbahet koncerti premierë i kuruar dhe ideuar nga Rona Nishliu si homazh për traditën e vendlindjes, nën shoqërimin e orkestrit të saj të ri, New Big Band.

Rona Nishliu & New Big Band, me programin e aranzhuar nga profesionistët më të shquar nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia, do t’i ngrohin zemrat tona me koncertin e fundit të këtij viti, duke kujtuar me mallëngjim traditën e pasur muzikore të qytetit tonë e duke festuar në frymën e shumë dekadave më parë.

Koncerti do të mbahet më 29 dhjetor 2022, me fillim në orën 20:00, në Qendrën e Kulturës në Mitrovicë.

7Arte me këtë koncert, përmbyll edhe programin vjetor të “Green Fest-12”, i cili është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, si dhe DKRS-Komuna e Mitrovicës. / KultPlus.com

Koncerti “Ethnically Plugged – 18 vjet” mbahet sot në Mitrovicë

Koncerti “Ethnically Plugged – 18 vjet” do të mbahet sot në Muzeun e Qytetit, Mitrovicë, përcjell KultPlus.

Ilir Tolaj e Luan Macula në kitarë, Edon Ramadani në piano dhe Teoman Ukqa në bateri do ta marrin vëmendjen e publikut mitrovicas sonte, duke filluar nga ora 20:00.

“Dasma e fshehtë”, “Po vijnë krushqit”, “Pse jo shqip”, “Kur e percolla ylberin”, “Hapi sytë”, janë disa nga instrumentalet që do të performojë grupi “Ethnically Plugged”.

“Ethnically Plugged” filloi si projekt 18 vite më parë në vitin 2004 si dëshirë për t’i ripërtërirë meloditë e bukura tradicionale shqipe me instrumente të ndryshme në anim kah Jazz/Fusion.

Ky koncert është mbështetur nga DKRS – Mitrovicë. / KultPlus.com

Agona Shporta dhe Tringa Sadiku me koncert në Mitrovicë, sjellin këngë të përpunuara nga folku kosovar dhe ai i Shqipërisë

Të premten vjen koncerti nga Agona Shporta dhe Tringa Sadiku, koncert ky që sipas tyre, i dedikohet të gjithë atyre që ia dinë vlerën shoqërisë, përcjell KultPlus.

Performanca e tyre përfshinë këngë të përpunuara nga folku kosovar dhe ai i Shqipërisë. Disa pika të tjera përfshijnë “Gracias a la Vida” nga Mercedes Sosa (Argjentinë) dhe disa pjesë greke të muzikës Rebetiko dhe ishullit Leros.

Koncerti fillon nga ora 20:00 në 7Arte në Mitrovicë. / KultPlus.com


“Hapësirat Kulturore të Kosovës” vizitë në Slloveni

Nga data 16 e deri më 22 maj është mbajtur vizita e dytë studimore në Slloveni në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës” që mbështetet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Anibar, 7Arte, Lumbardhi dhe Pogon.

Në këtë vizitë nga Kosova kanë marrë pjesë menaxherë kulturor, përfaqësues të rrjeteve lokale dhe nacionale të kulturës, zyrtarë institucional që mbulojnë dikastere të kulturës, punëtor të ndryshëm kulturor, përfaqësues të mediumeve kulturore dhe të organizatave të shoqërisë civile.

Nën emrin “Rrjetet e Qëndrueshme të Kulturës në Kosovë”, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi që në Lubjanë, Koper dhe Maribor të vrojtojnë për së afërmi praktika të partneriteteve publiko-civile dhe të kuptojnë rolin e rrjeteve të kulturës në këto partneritete.

Ndër të tjera, ata kanë kuptuar detajisht mënyrat alternative të menaxhimit të infrastrukturës dhe hapësirave publike, sikundër që janë informuar hollësisht me programet këtyre hapësirave dhe rrjeteve të kulturës. Përgjatë vizitës pjesëmarrësit kanë mësuar më shumë rreth punës së punëtorëve kulturor, organizatave dhe kolektiveve të kulturës përgjatë viteve.

Theks i veçantë është vendosur edhe mbi ndikimet e efektshme të rrjeteve të kulturës në avokimin e të rinjve për përfshirje dhe për politika më të favorshme kulturore. Në fund, pjesëmarrësit kanë parë perspektiva të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm të rrjeteve të kulturës, por edhe forma të ndryshme të përdorimit të rrjeteve sociale në informimin, zhvillimin dhe krijimin e audiencave.

Në Lubjanë, Maribor dhe Koper janë vizituar hapësirat, institucionet, organizatat dhe festivalet: Asociacija, Metelkova, Glej Theater, City of Women, GT22, Pekarna Magdalenske Mreže, StopTrik, Vetrinjski Dvor, Elektrarna, Zavod Bunker, Kino Šiška, PiNA, Španski Borci, Kibla, Zavod Mars dhe Dance Theater Lubjana. Prezentimet janë realizuar nga: Inga Remeta, Miha Satler, Tjaša Puereber, Poček Barbara, Urška Jež, Zoran Petrovič, Miha Sonda, Mojca Jug, Simon Kardum, Borut Jerman, Iztok Kovač, Hana Repše, Miha Horvat, Urška Breznik, Marko Brumen, Živa Kleindienst, Peter Tomaž Dobrila dhe Katja Somrak, ndërsa janë zhvilluar dhjetëra vizita të ndara në hapësira e institucione tjera kulturore.

Ekipi i CSoK është jashtëzakonisht falënderues ndaj Presidentës së Asociacija, Inga Remeta, për koordinimin, krijimin e programve dhe ndihmën e madhe në realizimin e kësaj vizite studimore. Po ashtu, falënderojmë edhe Komunën e Pejës që ka bashkë-financuar këtë ngjarje.

Kjo është vizita e fundit studimore (pas asaj në Kroaci) në kuadër të projektit të sipërpërmendur. Si përfundim, falënderojmë edhe Ambasadorin e Kosovës në Slloveni, z. Valdet Sadiku, për ftesën dhe pritjen që e ka bërë, por edhe për artistët, shoqatat e organizatat e ndryshme që kanë shprehur dëshirë për të na takuar.

Kjo vizitë studimore u mundësua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Komunës së Pejës, në kuadër të projektit “Partneriteti publiko-civil për qeverisje inovative të infrastrukturës publike” i zbatuar nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon. /KultPlus.com

Përmbajtja e kësaj vizite është përgjegjësi e organizatorëve dhe nuk i paraqet domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

7Arte hap thirrjen për mbështetjen e 5 artistëve të rinjë nga fusha të ndryshme të artit

7Arte hapë thirrjen për mbështetjen e 5 artistëve të rinjë nga fusha të ndryshme të artit.

“101 shkallë” është program i promovimit dhe zhvillimit të mëtejshëm profesional për artistët e rinj. Programi përfshinë ofrimin e hapësirës, marketingut, kompenzim për shërbimet e tyre si dhe ofrim të paisjeve të nevojshme për të realizuar performancat dhe projektet e tyre artistike.

Programi synon të përkrahë artistët audio-vizuelë të rajonit të Mitrovicës, me qëllim që të zhvillohen drejt një karriere të qëndrueshme në art.

Afati i fundit për aplikim: 01/05/2022

Linku për aplikim: https://docs.google.com/…/16KNKE2M8c3ZauytpGgGwYrhvtcFi…

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. / KultPlus.com

Filloi zbatimi i projektit “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë”

Projekti synon të zhvillojë një analizë mbi gjendjen aktuale të Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë, e cila do të shërbejë si bazë për draftimin e Planit Komunal për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore.


Projekti “Analizimi dhe Promovimi i Trashëgimisë Kulturore në Mitrovicë” do të mundësoj përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në Mitrovicë të jenë pjesë e proceseve politikë-bërëse, dhe në të njëjtën kohë do të promovojë transparencën e institucioneve lokale me fokus në kulturë.

Të dhënat e dala nga projekti do të publikohen dhe do të dërgohen tek Komuna e Mitrovicës (Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtoria e Integrimeve Evropiane) dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.


Projekti në fjalë do të kontribuojë në arritjen e objektives së katër (4) të Strategjisë për Kulturë dhe Turizëm 2018 – 2022 në Komunën e Mitrovicës, përkatësisht me njërin nga hapat e veprimit “4.2. Promovimi i diversitetit kulturor, respektimi dhe mbrojtja e shprehjes kulturore dhe trashëgimisë kulturore”. Gjithashtu ky projekt i kontribuon arritjes së Objektives 11 të Zhvillimit të Qëndrueshëm: Qytete dhe Komunitete të Qëndrueshme; Targeti: Forcimi i përpjekjeve për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë botërore kulturore dhe natyrore.

Organizata 7Arte i mirëpret të gjitha informatat dhe rekomandimet e juaja. Andaj në rast të dëshirës për të qenë pjesë e këtij procesi, mos hezitoni të na kontaktoni.

Projekt i financuar nga BE-ja, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga IKS, Lens dhe FES./ KultPlus.com