Historia e trishtë e 8 Marsit, kur 129 gra u dogjën për së gjalli

Një legjendë shumë e famshme tregon se Festa e Gruas është vendosur si datë në vitin 1908, në kujtim të 129 punëtoreve të vdekura në zjarrin që ra në një fabrikë në Nju Jork, fabrika “Cotton”.

Në këtë kohë punëtoret kërkonin kushte më të mira pune dhe me 8 mars pronari i fabrikës bllokoi të gjitha daljet e stabilimentit, në të cilin shpërtheu zjarri dhe vrau shumë prej grave që punonin aty.

Por në të vërtetë bëhet fjalë vetëm për një rrëfenjë që lindi në vitet në vazhdim dhe u tregua sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Zyrtarisht Dita Ndërkombëtare e Gruas u vendos në Shtetet e Bashkuara më 28 shkurt të vitit 1909. E vendosi Partia Socialiste amerikane që atë ditë organizoi një manifestim të madh, në të cilin kërkohej e drejta e grave për të votuar.

Ky ishte një diskutim i hershëm, si në SHBA (janë të famshëm artikujt e socialistes Corinne Broën), si në Kongresin e VII Ndërkombëtar Socialsit (i mbajtur në Shtutgard në vitin 1907).

Demonstratave që kishin si qëllim votimin, shumë shpejt ju bashkuan edhe pretendime të tjera për të drejtat e grave. Nga nëntori i vitit 1908 deri në shkurt 1909 mijëra punëtore në Nju Jork hynë në grevë për ditë të tëra duke kërkuar rritjen e rrogës dhe përmirësim të kushteve të punës.

Në vitin 1910, Kongresi i VIII Ndërkombëtar Socialist propozoi për herë të parë vendosjen e një dite dedikuar grave.

Më 25 mars të vitit 1911 kupa u mbush: në fabrikën “Triangle” në Nju Jork shpërtheu një zjarr dhe 146 punonjëse (gra të reja emigrante), humbën jetën.

Mbase nga kjo ngjarje lindi edhe legjenda e fabrikës “Cotton”, shumë e ngjashme me të. Që nga ky moment manifestimet e grave u shumëfishuan. Në shumë vende, mes të cilëve edhe në Gjermani, Austri dhe Zvicër, lindi dita dedikuar grave.

Data 8 mars u shënua për herë të parë në histori si Festa e Gruas në vitin 1917, kur gratë e Shën Petërburgut dolën në shesh për të kërkuar fundin e luftës, duke i dhënë kështu jetë “Revolucionit rus të shkurtit”.

Ishte kjo ngjarje që frymëzoi delegatet e Konferencës së Dytë Ndërkombëtare të Grave Komuniste në Moskë të vendosnin datën 8 mars si, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Në vendet fqinjë me ne, në Itali, Festa e Gruas u përkujtua në vitin 1922 me të njëjtin kuptim politik dhe social. Gjithashtu në Shqipëri, 8 marsi është festuar herë si Dita e Gruas e herë si festa e Nënës.

Më shumë ka qenë kjo e fundit që ka mbizotëruar, ndërsa vitet e fundit, më shumë se një ditë ku gratë duhet të kujtojnë dhe kërkojnë të drejtat e tyre, 8 marsi është shndërruar në një manifestim femëror.

Fundja edhe kështu vlen, mjafton që të paktën një ditë në vit gratë të jenë në qendër të vëmendjes dhe të flitet për to. / KultPlus.com

Vajzat dhe gratë e Kosovës që shkëlqyen në botë – Uta Ibrahimi

KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.

Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.

Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.

Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.

Në vazhdim, KultPlus iu sjell alpinisten, Uta Ibrahimi, e cila ka një karrierë të jashtëzakonshem dhe sukseset nuk i mungojnë asnjëherë.

Së fundmi është realizuar edhe një dokumentar për të me emër “Uta – The Climb for Kosovo”, ku edhe ka fituar disa çmime ndërkombëtare dhe emri i Ibrahimit është jehuar kudo nëpër botë. /KultPlus.com

Me instalacionin ‘Këpucët e kuqe’, vajzat e Shqipërisë marshojnë për drejtësi

Gratë dhe vajzat në të gjithë botën më ”8 Mars” përpiqen të japin mesazhe në mënyra të ndryshme për brazinë gjinore, kundër dhunës, shkollimit apo karrierës.

Instalacioni  “Këpucët e kuqe” e artistes meksikane Elina është pozicionuar në sheshin “Skënderbej” në  Tiranë.

Këpucët simbolizojnë gratë e vrara, kurse ngjyra e kuqe, gjakun e derdhur.

Studentet e fakultetit të Shkencave sociale po marshojnë këtë 8 Mars drejt Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar barazi gjinore.

Tetë orë në këmbë, student dhe punëtor, a të fle gjumë, a t’shkoj në shkollë. Dua liri, të drejta unë dua, ba-ra-zi, mes burrit dhe gruas

Bukë dhe trëndafila, bukë dhe trëndafila, djem edhe vajza, së bashku protestojmë, në rrugë do të dalim të drejtat të kërkojmë, është një nga thirrjet e tyre”, janë një pjesë e thirrjeve të tyre.

Emrat e rrugëve të kryeqytetit një prej mbrëmjeve të janarit u zëvendësuan në mënyrë simbolike me emrat e 20 grave të cilat përgjatë vitit që lamë pas ishin viktima të dhunës së bashkëshortëve të tyre, nismë e ndërmarrë nga një grup aktivistësh.

Viti 2021 u mbyll me një bilanc tragjik grash të vrara, ndërsa u pasua sërish me ngjarje të tjera gjatë 2022-shit. /KultPlus.com

Cineplexx organizon event për 8 Mars me një super ofertë

Cineplexx organizon eventin “Women’s Day” për nder të Ditës së Grave ku ka bërë një super-ofertë me filmat më të shikuar në kinemanë në Prishtinë dhe Prizren.

Më 8 Mars, mund ta kaloni Ditën Ndërkombëtare të Grave nën shoqërinë e filmave më të shikuara të gjinisë femëror në Cineplexx. Dy filmat të cilët do të shfaqen këtë ditë janë, Zgjoi, një dramë e suksesshme vendore e cila ka thyer rekorde te shikueshmërisë dhe Marry Me, një komedi/romancë nga mbretëresha e këtij zhanri, Jennifer Lopez. Duke e shikuar njërin nga këta filmat ju mund te përfitoni nga super-oferta: 1 biletë, 1 Popcorn M, 1 pije 0.5L për vetëm 5.90€.

Zgjoi

Filmi përcjellë Fahrijen (Yllka Gashi) e cila është në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë. Ajo fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes së saj në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë përpos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj saj. Në rrugëtimin e saj për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me veten për të jetuar në një situatë të re për të.

Marry Me

Ngjarja e filmit zhvillohet rreth yllit të muzikës, Kat Valdez (Jennifer Lopez) e cila bashkë me Bastian (Maluma) do të martoheshin drejtpërdrejtë përpara një audience botërore fansash. Por kur Kat mëson shumë pak sekonda para premtimeve të saj, se Bastian e ka tradhëtuar, ajo vendos të martohet me Charlien (Owen Wilson), një të panjohur prej publikut. Ndërsa rrethanat komplikohen për çiftin e porsamartuar, ata duhet te vendosin nëse dy njerëz nga bota kaq të ndryshme mund ta gjejnë dashurinë e vërtetë së bashku.

Për më tepër informata rreth orareve vizitoni webfaqen e Cineplexx, ndërsa biletat mund t’i bleni përmes aplikacionit Cineplexx KS apo direkt në kinema prej orës 15:00. /KultPlus.com

Më 8 mars do të marshohet në protestë kundër vrasjes së grave

Viti 2022 nisi me femicid. Lirije Qerimajn e vrau burri i saj. Patriarkalizmi i i rrënjosur në familje, shoqëri e shtet, e la Lirijen të pambrojtur nga dhuna e vrasja. Vrasjet e grave janë të normalizuara, ndërmjetësuara dhe të kontrolluara nga institucionet patriarkale publike dhe private. Femicidi – vrasja e grave se janë gra – tregon që secila grua asht e pasigurtë, e pasiguria jonë, do të duhet të jetë urgjencë e shtetit. Prandaj edhe ky 8 mars na gjenë të revoltuara ndaj dhunës sistematike ndaj vajzave e grave dhe vrasjes së tyre.

Edhe këtë 8 mars, “Marshojmë s’festojmë” kanë marrë forcën nga njëra-tjetra dhe me zërat e trupat të grave që të ngriten për t’i kundërshtuar padrejtësitë ndaj çdo vajze a gruaje kudo. Përmes marshit protestues në rrugë, revoltës në punë a shtëpi, gratë do t’i kundërvihen patriarkatit shtypës.

“Ne organizohemi çdo 8 mars e luftojmë çdo ditë për siguri, liri e barazi, që e drejta për jetë të na takojë të gjithave/ëve njëjtë, të kemi barazi ekonomike, të jemi të lira/ë nga racizmi, mizogjenia, seksizmi, homofobia, transfobia e çdo formë tjetër e shtypjes që po na dhunon dhe po na vret. Ne i ftojmë të gjitha/ë në në luftën tonë të përbashkët për çlirim, barazi gjinore e drejtësi shoqërore, dhe në solidaritet gjinor, racor, klasor e ndër-shtetëror”, thuhet në njoftimin e tyre.

Këtë vit marshi në Prishtinë do t’i ketë tri pikëtakime kryesore:

10:00 – Pallati i Drejtësisë, Hajvali, Prishtinë
11:20 – Rrethi i Flamurit, Prishtinë
12:00 – Sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë, për të vazhduar në trajektoren tradicionale deri te Qeveria e Kosovës.

Nisja për në Hajvali bëhet me autobusë të organizuar nga Kolektivi „Marshojmë s’festojmë” tek parkingu pranë TV21 – në ora 9:40.Manifestimi i sivjetëm i 8 marsit nga „Marshojmë s’festojmë“ (deri tani) do të bëhet në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Obiliq, Pejë, Gjilan, Rahovec, Lipjan, Shtime, Vushtrri. /KultPlus.com

Artpolis shënon 8 Marsin me mbrëmjen e poezisë ‘Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars’

Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis organizon Mbrëmjen e poezisë “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars” për të shënuar 8 Marsin-Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Mbrëmja e poezisë“Poezi për Fuqi – çdo ditë është 8 mars”, me datë 08.03.2020, në Teatrin Kombëtar, në Prishtinë prej orës 19:00.

Poete/ë, aktiviste/ë, artiste/ë e të gjithë adhurueset/it e fjalës së shkruar, artit e muzikës, janë të ftuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas që nën tingujt e muzikës të lexojmë dhe t’ia dedikojmë grave vargjet më të bukura fuqizuese të poeteve dhe poetëve të shquar.
Performueset/it në këtë mbrëmje janë:Poetet/i – Arbër Selmani, Flutura Açka, Ilire Zajmi.

Aktivistet: Jehonë Jahaj, Zhaklin Lekatari.

Artistet/ët – Melihate Qena, Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Ismail Kasumi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qëndresa Kajtazi , Zhaneta Xhemajli.

Pianisiti: Alzan Gashi.

Moderohet nga Zana Hoxha.Linkun e ngjarjes: https://bit.ly/2NVSmtA

Ky aktivitet implementohet nga Artpolis dhe mbështetet nga UNFPA Kosovo dhe cfd– Zvicër. / KultPlus.com

“MARShojmë S’festojmë” këtë vit me përmasa më të mëdha

Suada Qorraj

Tashmë janë bërë më shumë se pesë vite prej kur ‘MARShojmë S’festojmë’, çdo tetë mars, bëjnë thirrje për të drejtat e grave dhe vajzave, duke shënuar kështu Ditën Ndërkombëtare të Grave. Ndonëse në kohë pandemie, ‘MARShojmë S’festojmë’, këtë vit do të jehojë zërin e vet në të gjitha komunat e Kosovës, kurse marshin kryesor do ta ketë në sheshet e kryeqytetit, shkruan KultPlus.

‘MARShojmë s’festojmë kundër patriarkatit që vret’, është një nga thirrjet kryesore të marshit të sivjetmë. E një ndër arsyet më të mëdha që nxiti një thirrje të tillë ishte rritja e rasteve të dhunës dhe grave të vrara që nga fillimi i pandemisë, duke e bërë kështu edhe shtëpinë një vend të pasigurtë. Por, thirrja e këtij marshi nuk kufizohet vetëm në dhunën e vitit të fundit, ngase revolta, pakënaqësia kundrejt sistemit familjar, e atij të drejtësisë ka filluar që në kohën kur gratë vriteshin veç pse ishin gra.

Në një intervistë për KultPlus aktivistja e kolektivit të ‘MARShojmë S’festojmë’, Fjolla Muçaj ka thënë se pikërisht pandemia ishte ajo që zgjoi dhe një herë frikën dhe pasigurinë e grave në shtëpinë e tyre, prandaj dhe fokusi i këtij marshi do të jetë pikërisht mendësia e patriarkatit që vret.

“Këtë vit do të jetë temë vetëm kundër patriarkatit, sepse që nga fillimi i pandemisë në Kosovës është rritur numri i vrasjeve. Dhe me rritjen e numrit të vrasjeve krijohet një situatë e atillë ku dhe shtëpia ngjallë një frikë dhe pasiguri për jetën. Pikërisht për këtë marshi do të zgjerohet edhe në komunat e tjera”, pohoi Muçaj.

Tutje ajo ka shtuar se organizimi edhe në komunat e tjera është i rëndësishëm pikërisht për faktin që të shihet edhe nga njerëzit e tjerë, e të përjetohet edhe në vendet e tjera, njëlloj sikurse në kryeqytetin e vendit.

Madje Muçaj thotë se kësaj nisme është e rëndësishme ti bashkohen të gjithë qytetarët, burra, gra e të rijnë në mënyrë që të gjithë të kuptojnë se sa e rëndësishme është jeta e tjetrit.

‘Patriarkati vret’, ‘Poshtë patriarkati’, ‘Vrasja e grave është politike’, ’ Edhe sa jetë të humbura?’, janë vetëm disa nga thirrjet e shumta që do të marrin zë marsin e këtij viti, pikërisht me vendosjen e çarçafëve në ballkonet e shtëpive e zyreve tona.

Krejt në fund aktivistja nga Deçani ndonëse në një komunë të vogël siç është edhe vendi prej nga ajo vjen, shpreson se një nismë e tillë, do të mirëpritet, e përkrahet nga njerëz të shumtë, edhe pse ende ekziston një mendësi e atillë kolektive ku lufta kundrejt patriarkatit, dhunës ndaj grave, por edhe të drejtave të barabarta duhet të heshtet.

Marshi do mbahet në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, në kryeqytetin e vendit me fillim ne orën 12:00. Ndërkaq po në të njëjtën orë thirrja ‘Patriarkati vret’, do te jetë e pranishme në tërë Kosovën./ KultPlus.com

Iniciativa ‘Marshojmë s’festojmë’ këtë vit kujton vajzat dhe gratë e vrara

Iniciativa “Marshojmë s’festojmë” do të vazhdoj edhe këtë vit aktivitetet për përçim të mesazhit në Ditën e Gruas, shkruan KultPlus.

Nën moton e sivjetme “Marshojmë kundër patriarkatit që vret”, do të kujtohen viktimat vajza dhe gra.

“Edhe ky 8 mars na gjen të revoltuara ndaj sistemeve shtypëse që kanë mundësuar përshkallëzimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave gjatë viteve të fundit. Do të dalim nga shtëpitë, universitetet, shkollat, dhomat e gjumit, fabrikat, zyret, spitalet e do të qëndrojmë të bashkuara kundrejt patriarkatit që vret”, thuhet në njoftim.

Tutje, organizatorët theksojnë se edhe organizimi i këtij viti është një rezistencë në vete për patriarkatin, që sipas tyre, vazhdon t’ua marrë jetën grave në Kosovë.

Në anën tjetër, ata kanë bërë thirrje për t’u bashkuar në marshin e 8 Marsit duke filluar nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, teksa është menduar edhe një formë tjetër e ‘protestimit’.

“Ata/o që thirrjes duan t’i bashkohen nga shtëpitë, i ftojmë që në ballkonet e tyre të vendosin mbishkrime në çarçafë ku përshkruajnë luftën e tyre kundër shtypjes që ndodhë brenda dhe jashtë shtëpive”, bëjnë thirrje organizatorët.

“Marshojmë s’festojmë” tanimë është kthyer një revoltë për mbrojtje të të drejtave të grave, në ditën kur festohet dita e tyre. / KultPlus.com

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ua ndalon mësuesve të pranojnë dhurata për 7 dhe 8 mars

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës u është drejtuar mësimdhënësve dhe udhëheqësve të shkollave me një letër ku thuhet se mësuesve u ndalohet të pranojnë dhurata për 7 dhe 8 mars.

Komuna thotë se 7 marsi duhet të kuptohet si ditë reflektimi për mangësitë e evidentuara.

“Dita e Mësuesit duhet të kuptohet si ditë reflektimi për mangësitë e evidentuara në procesin edukativo-arsimor, por edhe si moment vlerësimi për rezultatet e arritura”, thuhet në shkresën e Komunës së Prishtinës.

Në shkresë gjithashtu thuhet se në të kaluarën mësuesit janë pajisur me dhurata të ndryshme nga nxënësit duke e ngarkuar buxhetin modest të prindërve të fëmijëve për 7 dhe 8 mars. Ndërsa sot, pranimi i dhuratave nga fëmijët është jo etike dhe e ndaluar.

“Në të kaluarën, këto dy data të rëndësishme, më shumë janë perceptuar si ditë kur mësimdhënëset e të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar, sidomos edukatorët dhe mësueset e nivelit 0 dhe 1, janë pajisur me dhurata të ndryshme nga nxënësit, duke ngarkuar buxhetin edhe ashtu shumë modest të prindërve të fëmijëve tanë”.

“Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës fton të gjithë prindërit që mos të investojnë në dhurata të ndryshme, përveç luleve dhe paralajmëron drejtorët e shkollave se dukuria e marrjes së dhuratave nga fëmijët është jo etike dhe e ndaluar”, thuhet në shkresën e Komunës.

Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës premtoi se do të angazhohet me të gjitha potencialet për krijimin e vlerës shtesë në arsim.

“Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, uron të gjithë mësimdhënësit e të gjitha niveleve të arsimit parauniversitar për këto dy data të shënuara dhe premton se do të angazhohet me të gjitha potencialet për krijimin e vlerës shtesë në arsim”, përfundon shkresa. / KultPlus.com