Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Fitore Pacolli ka ftuar të gjitha gratë të bashkohen në një marsh me biçikleta, pasi siç thekson ajo, një grua në biçikletë është një grua e pavarur, e fuqishme dhe e emancipuar, shkruan KultPlus.
‘Të dashura gra dhe vajza, me 8 mars ju ftoj të bëhemi bashkë ta transformojmë shoqërinë e qytetet tona.
Një grua në biçikletë është një grua e pavarur, e fuqishme dhe e emancipuar.
Jemi ne gratë që mund t’i ndryshojmë qytetet tona në qytete të sigurta, më të qasshme e mbi të gjitha më të gjelbra.
Me 8 mars në ora 11:00 takohemi tek Monumenti HEROINAT, Prishtinë
Nëse nuk keni biçikletë ju lutem më shkruani mesazh ose koment. Organizimit tonë do t’i bashkëngjiten edhe gratë nga grupi Kosova Bike. Shtegu që do të përshkojmë është i lehtë’, ka shkruar Pacolli. / KultPlus.com
Një legjendë shumë e famshme tregon se Festa e Gruas është vendosur si datë në vitin 1908, në kujtim të 129 punëtoreve të vdekura në zjarrin që ra në një fabrikë në Nju Jork, fabrika “Cotton”.
Në këtë kohë punëtoret kërkonin kushte më të mira pune dhe me 8 mars pronari i fabrikës bllokoi të gjitha daljet e stabilimentit, në të cilin shpërtheu zjarri dhe vrau shumë prej grave që punonin aty.
Por në të vërtetë bëhet fjalë vetëm për një rrëfenjë që lindi në vitet në vazhdim dhe u tregua sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Zyrtarisht Dita Ndërkombëtare e Gruas u vendos në Shtetet e Bashkuara më 28 shkurt të vitit 1909. E vendosi Partia Socialiste amerikane që atë ditë organizoi një manifestim të madh, në të cilin kërkohej e drejta e grave për të votuar.
Ky ishte një diskutim i hershëm, si në SHBA (janë të famshëm artikujt e socialistes Corinne Broën), si në Kongresin e VII Ndërkombëtar Socialsit (i mbajtur në Shtutgard në vitin 1907).
Demonstratave që kishin si qëllim votimin, shumë shpejt ju bashkuan edhe pretendime të tjera për të drejtat e grave. Nga nëntori i vitit 1908 deri në shkurt 1909 mijëra punëtore në Nju Jork hynë në grevë për ditë të tëra duke kërkuar rritjen e rrogës dhe përmirësim të kushteve të punës.
Në vitin 1910, Kongresi i VIII Ndërkombëtar Socialist propozoi për herë të parë vendosjen e një dite dedikuar grave.
Më 25 mars të vitit 1911 kupa u mbush: në fabrikën “Triangle” në Nju Jork shpërtheu një zjarr dhe 146 punonjëse (gra të reja emigrante), humbën jetën.
Mbase nga kjo ngjarje lindi edhe legjenda e fabrikës “Cotton”, shumë e ngjashme me të. Që nga ky moment manifestimet e grave u shumëfishuan. Në shumë vende, mes të cilëve edhe në Gjermani, Austri dhe Zvicër, lindi dita dedikuar grave.
Data 8 mars u shënua për herë të parë në histori si Festa e Gruas në vitin 1917, kur gratë e Shën Petërburgut dolën në shesh për të kërkuar fundin e luftës, duke i dhënë kështu jetë “Revolucionit rus të shkurtit”.
Ishte kjo ngjarje që frymëzoi delegatet e Konferencës së Dytë Ndërkombëtare të Grave Komuniste në Moskë të vendosnin datën 8 mars si, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.
Në vendet fqinjë me ne, në Itali, Festa e Gruas u përkujtua në vitin 1922 me të njëjtin kuptim politik dhe social. Gjithashtu në Shqipëri, 8 marsi është festuar herë si Dita e Gruas e herë si festa e Nënës.
Më shumë ka qenë kjo e fundit që ka mbizotëruar, ndërsa vitet e fundit, më shumë se një ditë ku gratë duhet të kujtojnë dhe kërkojnë të drejtat e tyre, 8 marsi është shndërruar në një manifestim femëror.
Fundja edhe kështu vlen, mjafton që të paktën një ditë në vit gratë të jenë në qendër të vëmendjes dhe të flitet për to. / KultPlus.com
“…prej harkut të thellë të shpinës, nga dielli i buzëqeshjes sime, përhedhja e gjoksit, a ndoshta, nga hijeshia e stilit. Oh, jam kaq e jashtëzakonshme Një femër e mrekullueshme Jam unë.”
– Maya Angelou
Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis me datë 6 mars, organizon mbrëmjen e poezisë “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 mars”, në librarinë Dukagjini në Prishtinë/Sheshi Nëna Terezë, prej orës 19:00.
Aktivist/e, artist/e e të gjithë qytetarët ftohen për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave këtë vit duke lexuar për fuqinë e grave dhe fuqizimin e tyre. Çdo ditë është 8 mars, çdo ditë jemi këtu e çdo ditë duhet çmuar.
Ejani takohuni me poetët Ilire Zajmi, Shpëtim Selmani & Nora Prekazi; artistet Melihate Qena, Anisa Ismaili, Denis Galushi, Qendresa Kajtazi & Daniela Markaj si dhe muzikantët Driton Berisha – vocalist / kitarë dhe Avni Mustafa – kajon.
Ky aktivitet implementohet nga Artpolis dhe mbështetet nga UNFPA Kosovo dhe cfd– Zvicër. / KultPlus.com
Sot në gjithë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas. Në këtë ditë të veçantë për gratë, vijnë edhe urime nga më të ndryshme të cilat padyshim i japin më shumë hijeshi kësaj dite.
Një urim të fuqishëm sot e ka bërë edhe nëna e këngëtares kosovare më famë botërore Rita Orës, Vera Ora. Vera, ka shkruar në rrjetin e saj Facebook, duke i uruar të gjitha zonjat për ditën e grave.
“Gëzuar Ditën e Gruas për të gjitha zonjat e mia atje. Gjëra të mahnitshme metalike të telit (ari dhe argjendi) janë bërë nga gratë me probleme sociale dhe ekonomike dhe janë të punuar me dorë duke përdorur një metodë tradicionale!”, ka shkruara Vera Ora, teksa ka publikuar një fotografi që i përshtatet mjaft mirë përshkrimit, pasi që, ajo ka një brosh me ngjyrë të argjend e të arit që është punë dore./ KultPlus.com