BKK në prag të 80-të vjetorit, drejtoresha Blerina Rogova- Gaxha paralajmëron program të veçantë për përvjetor jubilar

Vjollca Duraku

Institucioni më i madh bibliotekar në Kosovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” e cila është edhe një ndër objektet më ikonike në vend këtë fund nëntor organizon një festë të veçantë, me rastin e 80-të vjetorit të themelimit të saj, shkruan KultPlus.

25 Nëntori është Dita e Bibliotekës, dhe për këtë përvjetor jubilar ky institucion arsimor e kulturor i rëndësishëm për komunitetin shqipfolës në rajon po organizon një festë të madhe, në kuadër të së cilës do të bëhet edhe përurimi i Platformës së Bibliotekës Digjitale dhe web-faqes së re të institucionit.

Biblioteka e parë e Kosovës është themeluar në vitin 1944, kurse “Pjetër Bogdani” është hapur në vitin 1982. Njihet për stilin unik të ndërtesës të dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovic, dhe paraqet një shprehje autentike arkitekturore kombëtare, e cila është projektuar në vitin 1971. Kupolat e saj e kategorizojnë atë në monument kulmor të arkitekturës sonë.

Lidhur me organizimet e kësaj feste mediumi KultPlus ka realizuar një intervistë me drejtoreshën e Bibliotekës, Blerina Rogova- Gaxha, e cila ka njoftuar se në këtë ditë të shënuar do të promovohet edhe Platforma Digjitale e Bibliotekës Kombëtare.

“80 Vjetori i themelimit, Bibliotekën e gjen me Qendrën e Digjitalizimit, si një ndër të arriturat kryesore në proceset transformuese të Bibliotekës. Në synimet tona për përmbushjen e objektivave strategjike, një ndër aktivitetet tona më të rëndësishme që është realizuar në vitin e fundit është edhe zhvillimi i Platformës së Bibliotekës Digjitale” ka thënë Rogova- Gaxha, e cila është emëruar drejtoreshë e institucionit në korrik të këtij viti.

Drejtoresha e Bibliotekës gjithashtu ka njoftuar se në këtë ditë do të përurohet edhe Web-faqja e re e BKK-së, e cila pritet të lehtësojë qasjen dhe punën për këtë institucion me peshë të madhe për qytetarët e vendit.

“Aktivitet tjetër në shënimin e 80 Vjetorit të themelimit Bibliotekës është Përurimi i Platformës së Bibliotekës Digjitale, e cila, nga Dita e Bibliotekës do të ofrojë qasje të lehtë dhe të shpejtë në objekte digjitale, përmes teknologjive të avancuara të informacionit duke respektuar standardet dhe normat ligjore”.

Ceremonia solemne do të nisë pasdite në orën 17.00,dhe të gjitha aktivitetet kryesore për këtë festë janë përfshirë në këtë ditë. Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në 80 vjetorin e themelimit të saj, gjithashtu është duke përgatitur ekspozitë me një përzgjedhje të koleksioneve të veçanta të fondit të saj. Antologjia e koleksioneve, përfshin botime të shtypura, dorëshkrime dhe materiale origjinale nga fondi i BKK-së.

Drejtoresha Rogova- Gaxha, në këtë intervistë për KultPlus ka bërë të ditur se përgatitja e Ekspozitës është duke u realizuar në bashkëpunim me Hana Halilaj, kuratoren e Galerisë së Arteve të Kosovës dhe arkitektin Okan Xhemajli.

Një koncert i veçantë artistik festiv do të jepet nga Filharmonia e Kosovës në Hollin e bukur të Bibliotekës, mozaiku i të cili për vite me radhë ka shërbyer si vend me një enterier të jashtëzakonshëm, të përshtatshëm për dhjetëra mijëra ngjarje intelektuale dhe kulturore.

Për këtë përvjetor jubilar drejtoresha Rogova- Gaxha është përkujdesur që festa të ketë edhe llogo të veçantë me sipirale të cilat gjenden sipër hollit të Bibliotekës, domethënia e të cilave lidhet kohën e neolitit të vonë.

“Inspiruar nga arti shkëmbor i Vlashnjes, spiralet të cilat thuhet se janë punuar midis neolitit të vonë (rreth 3600 pes) dhe epokës së hershme të bronzit (rreth 2000 pes). Vlashnja gjindet 6km nga Prizreni. Ka shumë teori se çfarë mund të reprezentonin në kohërat e lashta këto spirale: diellin, lindjen-rritjen-vdekjen-rilindjen dhe botën e përtejshme, pastrimin shpirtëror, etj. Por më së shumti që më ka lënë përshtypje është “rruga drejt iluminizmit”, ka bërë të ditur dizajneri Dardan Luta.

Një dokumentar për Bibliotekën Kombëtare me rastin e 80 vjetorit, i cili i referohet rolit dhe rëndësisë së Bibliotekës në kontekstin kulturor e historik të Kosovës, është duke u përgatitur nga Radio Televizioni i Kosovës-RTK. Në këtë dokumentar figura kontributdhënëse në zhvillimin e BKK-së do të pasqyrojnë zhvillimin e institucionit ndër vite.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka një rol të veçantë kulturor, kërkimor, shkencor dhe arsimor, qëllim kryesor i së cilës është mbledhja dhe ruajtja e trashëgimisë intelektuale në Kosovë./ KultPlus.com

Gonxhja: Hapet konkursi për Logon Kombëtare për 80-vjetorin e Çlirimit

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka çelur konkursin për Logon Kombëtare për 80-vjetorin e Çlirimit të Atdheut.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ftoi sot të gjithë të interesuarit të bashkohen në kremtimin e 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, duke dhënë kontributin e tyre artistik.

Gonxhja theksoi se, për të aplikuar, të interesuarit duhet të dorëzojnë projektin dhe dokumentacionin tek Zyra e Protokollit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si edhe elektronikisht në adresën: [email protected].

Afati i fundit për aplikim ishte 22.03.2024/atsh/ KultPlus.com

80 vite nga lindja e veprimtarit të shquar shqiptar, Jusuf Gërvallës

Sot janë bërë 80 vite nga lindja e veprimtarit të shquar shqiptar, Jusuf Gërvalla.

Jusuf Gërvalla ka lindur në Dubovik, më 1 tetor 1943. Ai ka qenë veprimtar, shkrimtar dhe muzikant shqiptar, si dhe themelues i grupit irredentist Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

Lindi në Burrëmadhi, në komunën e Deçanit. Shkollimi i lartë tij vijoi në Prishtinë e Ljubjanë, më pas punoi si gazetar në Shkup e Prishtinë. Një nacionalist i zëshëm, hyri në radarin e Policisë sekrete jugosllave, duke u shtytur të kërkonte azil në Gjermani ku themeloi Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës që më pas u nda në dy fraksione Lëvizja Popullore e Kosovës dhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, të mbramin e kryesonte Gërvalla.

Më 18 janar 1982, Jusufi bashkë me të vëllanë, Bardhoshin, dhe Kadri Zekën u vranë nga shërbimi sekret Jugosllave në lokalitetin Untergruppenbach pranë Shtutgartit në Gjermaninë Perëndimore asokohe.

Disa prej veprave letrare të tij të cilat janë të botuara: Fluturojnë e bien (1975), Kanjushë e verdhë (1978), Shtëpia në kornizë, Skena nga jeta e fshatit, Shenjat e shenjta (1979), Jusuf Gërvalla: Vepra Letrare, Prishtinë: Ora, 1992/KultPlus.com

Ekspozitë në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtares Helena Kadare

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtares Helena Kadare, hapi një ekspozitë me kontributin e saj si shkrimtare, përkthyese dhe redaktore.

Në këtë ekspozitë u prezantuan disa materiale, duke nisur nga novela e saj e parë “Shuaje dritën Vera” botuar në vitin 1966, për të vijuar më tej me romanet “Një lindje e vështirë” (1970); “Nusja dhe shtetrrethimi” (1978); “Bashkëshortët” (1981); “Një grua në Tiranë” (1994); “Zëri i njeriut të humbur” (1994) dhe “Kohë e pamjaftueshme” (2011).

Krahas krijimtarisë së saj, janë ekspozuar edhe përkthimet e disa veprave të Isaac Bashevis Singer, Yasushi Inoue, Junichiro Tanizaki, Anna G. Dostoevskaâ, Christopher Andersen etj.

Një vend të veçantë zë edhe kontributi i Helena Kadaresë si redaktore e një sërë monografish dhe botimesh të rëndësishme.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSh-së. / KultPlus.com

Lidhja e Dytë e Prizrenit shënon 80 vjetorin, një mori aktivitetesh në këtë përvjetor

Lidhja e Dytë e Prizrenit po shënon 80 vjetorin dhe në përkujtim të kësaj ngjarje, Komuna e Prizrenit ka organizuar një mori aktivitetesh që do të nisin më date 16 shtator në ora 10:00 në Shtëpinë e Bardhë në Prizren.

Lidhja e Dytë e Prizrenit – me nismën e Xhafer Devës, Musa Shehut, Sheh Hasanit, Lukë Simon Mjedës, Qazim Bllacës dhe Pjetër Vuçajt, më 11 shtator në Bujan te Malesise se Gjakoves / Tropoje u organizua një mbledhje për të shqyrtuar situatën e krijuar pas kapitullimit të Italisë dhe nevojën e ngutshme të ngritjes së një ndërlidhjeje e marrëveshjeje midis krahinave të ndryshme të ish Jugosllavisë, ku jetonte popullsia shqiptare dhe myslimane. Këtë qëllim kishte thirrja e një mbledhjeje të përgjithshme me përfaqësues të viseve të Kosovës, Dibrës, Strugës, Tuzit, Ulqinit dhe anëve tjera. 

Mbledhje u organizua në shkallë kuvendi ( në frymën e Lidhjes së Parë të Prizrenit) dhe zhvilloi punimet në Prizren më 16 – 20 shtator 1943 në praninë e 42 delegatëve që përfaqësonin Prizrenin, Dragashin, Suharekën, Rahovecin, Gjakovën, Pejën, Plavën, Vuthajn, Rozhajën, Novi Pazarin, Senicën, Prishtinën, Gjilanin, Mitrovicën, Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Dibrën, Ohrin dhe Ulqinin.

Kuvendi u mbledh në Prizren, nga data 16 deri më 20 shtator 1943. Në të morën pjesë 45 delegatë të zgjedhur nga Kosova dhe trevat e tjera shqiptare. Kongresin e udhëhoqi Komiteti Ekyekutiv, me në krye Musa Shehu, i shoqëruar prej: Z.Z, Asllan Boletini, Shefqet Shkupi, Qazim Bllaca, Tahir Zajmi, Pjetër Vuçaj, Sheh Hasnai, Qemajl Balila, Hivzi Meraku, Luk Simoni, Haxhi Fahrija, dhe Sokol Dobroshi. / KultPlus.com