Rama: 9 milionë turistë, mundësi e jashtëzakonshme në aspektin ekonomik

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot “deri disa vite përpara do na duhej një kurajo e jashtëzakonshme për të imagjinuar që në 2023 do të arrinim që pa ardhur akoma nëntori dhe dhjetori të kishim 9 milionë turistë dhe me gjasë nëse ritmi do të vazhdojë kështu do t’i afrohemi 10 milionë turistëve”.

Në fjalën e tij në Asamblenë e Zgjeruar e Partisë Socialiste në Pogradec, Rama tha se “10 milionë turistë janë një mundësi e re e jashtëzakonshme në aspektin ekonomik për të gjitha familjet”.

“Ju keni qenë vetë dëshmitarë të këtij viti jo vetëm Korça e Pogradeci, por edhe të gjitha bashkitë e tjera të qarkut kanë pritur shumë më tepër se çdo herë tjetër turistë të huaj”, u shpreh Rama.

“Fakti që turistët ikin me përshtypjet më të mira duhet të na bëjë të mendojmë që të tjerë do të kthehen edhe më të shumtë në numër. Ne jemi një vend shumë i vogël në skenën e madhe të botës, do të kemi mundësinë të presim çdo vit e gjithmonë më shumë turistë që do të thotë më shumë konsumatorë, më shumë njerëz që kanë nevojë të ushqehen, të flenë, të blejnë për të marrë kujtime me vete”, nënvizoi Rama.

E gjitha kjo, vijoi Rama, është një zinxhir i tërë prodhimi e shërbimesh ku të gjithë po të duan mund të përfshihen se nuk ka asnjë cep të Shqipërisë nga bregu i detit deri në majë të maleve që nuk ka fuqi që të tërheqë vizitorë e turistë.

“Kjo do të thotë që për ekonominë familjare në Shqipëri ka lindur një mundësi e re e madhe, për prodhuesit shqiptarë ata që janë në ara, në tokat bujqësore apo ata që përpunojnë prodhimet bujqësore e blegtorale, apo në artizanat apo në të gjithë zinxhirin e shërbimeve ata që bëjnë transport apo që presin në bujtina, hotele apo shtëpi është mundësi për të fituar më shumë e më shumë”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri Rama theksoi se “po mbyllet një vit dhe bëhemi gati për një tjetër vit me sfida të rëndësishme, por edhe me një numër mundësish të reja që i kemi krijuar në funksion të njerëzve, komuniteteve, vendit”.

“Vazhdojmë me një numër mbresëlënës turistësh edhe në këtë periudhë të vitit që na tregoi që Shqipëria është ngritur në një nivel tjetër dhe që është një destinacion turistik jo vetëm sepse ne mendojmë kështu apo pse disa të tjerë mendojnë kështu, por sepse e gjithë bota na shikon kështu”, tha ai.

Fakti, shtoi Rama, që edhe pas sezonit veror vazhdojmë të kemi numra inkurajues të turistëve që vijnë në Shqipëri është diçka që duhet të na japë shumë kurajo për vitin e ardhshëm./atsh/KultPlus.com