Në 90-vjetorin e ditëlindjes së ikonës shqiptare, Margarita Xhepa, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka organizuar një event në nder të artistes së mirënjohur të kinematografisë.
E pranishme në këtë event ka qenë edhe Margarita Xhepa, e cila ka thënë se kjo është ditëlindja e parë që feston pasi ka shtuar se dita e lindjes nuk ka qenë zakon të festohej në familjen e saj qëkur ishte fëmijë.
Më tej, në fjalën e saj, Xhepa ka folur për bashkëpunëtorët ndër vite, si dhe ka kujtuar si u bë pjesë e teatrit për herë të parë.
Margarita Xhepa:U emocionova shumë. Ministër faleminderit shumë që vëmendja juaj mbeti tek ditëlindja ime sepse në qytetin tim të lindjes në Lushnje, ishte një zakon që nuk i festonin ditëlindjet e vajzave edhe djemtë e mi më vonë donin që të më festonin ditëlindjen, po unë iu thoja që “nuk jam mësuar”. Kjo është ditëlindja e parë që festoj në këtë moshë madhore. E them këtë sepse më ka pikuar loti që më janë larguar njerëzit e mi shumë të dashur në një moshë të re. Po ashtu, edhe kolegët e teatrit që kam punuar një jetë të tërë janë larguar nga jeta dhe pa dalë në pension. Kështu është jeta.
Në këtë punë, kam pasur një fat të madh në jetën time. Kur dhashë provim në Liceun Artistik dhe aty fati im, qëlloi regjisori i Teatrit Popullor, Pandi Stillo, i cili pasi dëgjoi poezitë që kisha unë, për t’u siguruar më bëri një ushtrim, dhe më tha “vajzë më prit në korridor sa të mbaroj provimin”. Kur doli më vuri një dorë të sup dhe më tha që “nesër të vish në teatër sepse bashkë me drejtorin kemi diçka për t’ju thënë”. U çudita. Vajta në teatër ishte një drejtor i mrekullueshëm, shkrimtari shkodran Kolë Jakova. Regjisori i propozoi drejtorit dhe i tha “këtë vajzë do ta marrim në teatër për aktore”. Rroga ishte 3 mijë e 800 Lekë. Ashtu u vendos./klantv/KultPlus.com
Aktorja e njohur e kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, festoi sot 90-vjetorin e lindjes.
Në një aktivitet të organizuar me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Margarita Xhepës, ishte i pranishëm Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, aktorja e njohur Tinka Kurti, aktorja Yllka Mujo, aktorë të tjerë njohur të skenës shqiptare, miq, familjarë etj.
Në fjalën e tij, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se “sot feston ditëlindjen një nga margaritarët e gjerdanit tonë të kinemasë me aq shumë kontribute në artin shqiptar”.
“Margarita Xhepa është një ikonë e çmuar e këtij kombi, është një artistja që i dha jetë dhe përjetësoi aq shumë personazhe që janë skalitur kaq thellë në kujtesën e miliona shqiptarëve”, theksoi Gonxhja.
Ministri Gonxhja u shpreh se “ky aktivitet sot na rikthen pas në rrugëtimin e saj prej një ylli kinematografie ku çdo vit që kalon i shton më shumë asaj edhe shkëlqimin”.
“Margarita siç koha e ka dëshmuar me sharmin dhe fisnikërinë që ju karakterizon jeni krenaria e këtij vendi”, tha Gonxhja.
Aktorja Margarita Xhepa falënderoi ministrin Gonxhja për aktivitetin e organizuar, ndërsa theksoi se “në qytetin tim të lindjes në Lushnjë, ishte një zakon që nuk i festonin ditëlindjet e vajzave edhe djemtë e mi më vonë donin të më festonin ditëlindjen, por unë u thosha nuk jam mësuar. Kështu që sot është ditëlindja e parë që festoj në këtë moshë madhore”.
Xhepa solli në vëmendje edhe fillimet e nisjes së karrierës së saj.
“Një fat të madh që kam pasur në jetën time kur dhashë provim në Liceun Artistik aty fati im qëlloi regjisori Pandi Stillu, i cili pasi dëgjoi dy poezitë e mia më bëri edhe një ushtrim edhe u bind më tha vajzë më prit në korridor sa të mbaroj provimin, kur doli më tha, nesër eja në teatër se kemi bashkë me drejtorin diçka për t’ju thënë. Rrugës duke ecur mendoja çfarë do të ishte. Shkova në teatër ishte drejtor Kolë Jakova, regjisori Stillu i propozoi drejtorit dhe i tha këtë vajzë do ta marrim në teatër si aktore dhe të bëjë edhe Liceun Artistik”, tha Xhepa.
Më tej aktorja Margarita Xhepa u shpreh se “arti ka të veçantën e tij që emancipon shoqërinë”.
Aktorja e njohur Tinka Kurti tha se “Margarita është ylli i skenës dhe ylli i jetës, edhe për shoqërinë edhe për skenën. Lum ai që ka mundësi të ketë miqësi aq shumë sa kam unë me të apo si di ajo të trajtojë njerëzit”.
Regjisori Kujtim Çashku u shpreh se “të flasësh për ty është një privilegj, të flasësh për ty është si të flasësh për dashurinë. Por a ka njeri të thotë ç’është dashuria në vetvete. Pse e them këtë gjë? Sepse mendoj që për breza të tërë që kanë kaluar që janë dhe do të vijnë do të mbetesh një simbol dashurie”.
Ndërsa aktorja Rajmonda Bulku tha se “Margarita Xhepa është një aktore e jashtëzakonshme, unike si një brilant që shkëlqen”.
Të ftuarit vizituan edhe një ekspozitë me veshjet që Margarita Xhepa ka veshur në film dhe teatër.
Margarita Xhepa, një nga zonjat më të mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar, gjatë karrierës së saj, ka krijuar mbi 150 role në teatër dhe 32 role në kinematografi./atsh/KultPlus.com
Aktorja e madhe e popullit shqiptar, Margarita Xhepa, sot feston 90 vjetorin e lindjes, shkrun KultPlus.
Ajo ka lindur më 2 prill të vitit 1934, në qytetin e Lushnjës, prej nga edhe ka filluar të hedhë hapat e parë drejt karrierës së saj.
Talentin për aktrim, e kishte hetuar nëna e saj qysh kur Margarita Xhepa ishte në klasat fillore. Teksa nëna e saj ishte e sëmurë, i thoshe artistes Margarita që të recitonte vjershën të cilën e kishte mësuar në shkollë, pasi sipas saj, Margarita kishte diçka të veçantë në zërin dhe interpretimin e saj, që e bënte të dallojë nga fëmijët e tjerë të saj.
Dhe ajo parandjenjë e nënës së saj, doli të ishte e vërtetë pasi Margarita Xhepa konsiderohet një ndër ‘Zonjat e Mëdha’ të teatrit dhe filmit shqiptar duke lënë gjurmë në memorien e publikut shqiptarë me rolet e saj brilante.
Në vitin 1950, ajo u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor, që sot njihet si Teatri Kombëtarë dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, në degën e Dramës.
Ajo ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve janë: Majlinda tek filmi “Majlinda”, Dafina tek Lumi i Vdekur, Filja tek Cuca e Maleve, Zonja Mëmë tek Kush e solli Doruntinën, Nëna tek Përballë Vetes etj.
Ndërsa në rolet e dramaturgjisë botërore, ajo interpretoi role si Ofelia tek Hamleti, vajza e dytë tek Mbreti Lir, dado tek Romeo e Xhulieta, Mbretëresha Margaret tek Rikardi III, të Shekspirit.
Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore ajo luajti rolin si: Klea tek Dhelpra dhe rrushtë (Figereido), Lena tek Xhaxha Vanja (Çehov), Ledi Milford tek Luiza Miler (Shiler), Zonja Berling tek Vizita e inspektorit (Pristli), Zonja Lomen tek Vdekja e një komisioneri (A. Miller), Ana Andrejevna tek Revizori (Gogol), Marsela tek Qeni i kopshtarit (De Vega), Mashenka tek Mashenka (Afigenov), Shejla tek Morali i zonjës Dulska (Zapolska), apo Dado tek Elektra e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë.
Filma të tjerë shqiptarë në të cilët interpretoi Margarita Xhepa janë: Në kërkim të kujt, Tingulli i heshtjes, Kronikë provinciale, Ne dhe Lenini, I dashur armik, Mirupafshim, E diela e fundit, Një djalë edhe një vajzë, Vitet e pritjes, Kush e solli Doruntinën, Pesha e kohës, Pranvera s’erdhi vetëm, Misioni përtej detit, Rrethi i kujtesës, Fillim i vështirë, Gabimi, Gurët e shtëpisë sime, Militanti, Apasionata, Dora e ngrohtë, Shokët, Dita e parë e emërimit, Me hapin e shokëve, Dollia e dasmës sime, Gjeneral gramafoni, Koncert në vitin 1936, Dimri i fundit, Pylli i lirisë, Tokë e përgjakur, Gjurma, Vitet e para./KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Ali Aliu, çeli ditën e martë, më 02.04.2024, një ekspozitë e cila sjell në vëmendje të publikut gjithë kontributin e tij si kritik dhe studiues i letërsisë.
Letërsia shqipe e traditës dhe sidomos letërsia bashkëkohore janë fusha kryesore të punës së prof. Ali Aliu. Ai ndjek pa ndërprerje zhvillimet bashkëkohore në letërsinë shqipe, duke u kushtuar vëmendje të veçantë proceseve risuese dhe veprës së krijuesve më të shquar të saj. Është autor i librave me kritika, ese e studime: “Kërkime” (1971), “Shqyrtime” (1974), “Rrjedhave të letërsisë” (1977), “Kritika” (1980), “Teoria e letërsisë” (1986), “Don Kishoti te Shqiptarët” (1996, 2005), “Reflekse letrare” (1999), “Magjia e fjalës” (2003) etj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së.
Kur ishim studenta të së parës Shkollë të Lartë Aktrimi në Shqipëri (1959-1963), i ndjeri pedagogu ynë erudit, dramaturgu e Drejtori i Teatrit PopuIIor Xhemal Broja, i cili na jepte lëndët e “Historisë së Teatrit Shqiptar e Botëror”, na thoshte , jo pak herë se: “Jeta është e shkurtër, por rruga e artit tepër e gjatë”! Dhe se, vizioni “për t’u bërë aktorë”, edhe pse i zjarrtë , na dukej shumë i largët! Por, me dy shembëlltyrat që i hodha në internet, me dy monografitë e artistëve themeltar Mihal Popi e Naim Frashëri, do të vërtetoja se, në mes nesh, patëm edhe artistë të nivelit të lartë, që do të bëheshin më pas edhe pedagogët tanë të parë. Shëmbëlltyrën e tretë do ta gjeja tek ajo Liceistia e bukur që ishte pranuar në Teatër si probiste, Margarita Xhepa që “e kaloi edhe “provën e zjarrit” të aktrimit po me një pjesë të Brojës, me Majlindën , heroinën e parë të emancipimit të gruas në jetën shqiptare.
Me një jetë krijuese, fatlumërisht shumë më të gjatë se dy të parët, si edhe me role të jashtzakonshme për të, me Klean e Figueiredos tek “Dhelpëra e Rrushtë” (EZOPI) dhe me Ofelinë e Shekspirit në tragjedinë “Hamleti!”! Që e ngriti EROSIN gjer në shkallën më të epërme tek Skllavi Ezop që e vlerësonte lirinë ca më tepër se dashurinë, si edhe tek Princi Hamlet, si një afeksion çmëndurie e të barabitur me vdekjen! Po kjo aktore komplekse do të kishte edhe role psikologjike, si tek “Xhaxha Vanja” të Çehovit , ku tre burra janë gati të vriten për Elena Andrejevnën e saj dhe tek “Djali Plangprishës”, ku njeriu rilind brënda dashurisë së saj. Mandej edhe aktore e ngritjes së personalteteve të grave , në dhjetra spektakle e filma, gjer tek Mbretëresha e Trojës, ku ajo do t’i qajë me “lotë burrash” të vrarët ndër muret e Trojës! Pa, përmendur këtu triumfin e saj në interpretimet e 5 aktoreve nga Greqia, Serbia, Bullgaria e Rumania, tek spektakli i Legjendës Ballkanike mbi “Kostandinin e Doruntinën!”, ku figura e saj u cilësua më e mira në gjithë BALLKANIN me “fitila baruti!”. Ishin po këta krijues që e quajtën “DIVA SHQIPTARE” dhe, para një publiku të gjërë Athinjot, u ulën në gjunjë para saj e i puthën dorën! Po të njëjtat interpretime të mrekullueshme do t’i bënte kjo aktore fjalës poetike në Estradën e Shtetit, nëpër sheshe dhe kudo ku jetohej e punohej, E papërtuar, pa përfillur rrethanat dhe moshën, në të gjithë Shqipërinë e kudo ku flitej gjuha jonë….Si një “LULE MARGARITË!” që kurrë nuk vyshket!
Të gjithë këtë lëndë të rrallë jete dhe aktrimi, jam përpjekur ta “derdhë” në këtë libër që mund të gjëndet me një interesim fare të vogel, (nëse egziston dëshira për të mësuar diçka më shumë prej SAJ!), po do më pëlqente, ta mbyllja këtë shkrim, me rastin e ditëlindjes që po afron (më 2 prill 2024, që thuajse e kemi tek dera!), me skicën time letrare për atë vajzë të vogël e pikaloshe që lozte dikur me baltën e Myzeqesë , ku edhe kishte lindur aktoren e madhe, Artisten e Popullit e Nderin e Kombit ,teksa më “shqyen xhaketën “, mua shkronjësin e saj për ta promovur librin “ DIVA SHQIPTARE” në Fier, Lushnjë, Tiranë, Elbasan, Strugë, Pogradec, Korçë, Athinë dhe, së fundi, nën hijen e Rrapit 500 vjeçar të Nivicë Bubarit të Sarandës, për t’u gëzuar me prezencën e vetë Margaritës, si figurë shumë e dashur, e bukur e popullore që tani kremton 90 vjetorin e saj, me po atë hijeshi e bukruri të gruas Shqiptare që edhe sot e kësaj dite nuk e “mba vëndi” burrneshën tonë të skenës dhe ekranit, nënën e tre burrave po kaq të vyer” * “LARISKA!
Kështu më thërrisnin kur nisën ëndrrat e mia,-më rrëfen Margarita,-Po. Kështu më quanin kur isha e vogël… Lariska! Përfytyroni një vajzë të brishtë, me fustan me lule, me kërcinjtë të lartë e këmbë të zbathura që bariste midis rrugëve tërë baltë të Myzeqesë… E tillë isha dhe unë. Diçka midis laraskës dhe pulës laramane. Lariska! Po, kisha diçka tërheqëse… Nëna më kishte bërë të bukur, po tepër të lëvizshme. Më thoshte shpesh se, që në bark i dëgjonte shkelmat e “putrave” të mia. Gjersa dola në dritë me të qara…
Qe data 2 prill e vitit 1934. Njëzet e katër orë pas “Ditës së Gënjeshtrave”… Nëna ime kishte një buzëqeshje të lehtë e të ëmbël, më afronte pas vetes, më ledhatonte flokët dyllë të verdha dhe, para se të më vinte në gjumë më rrëfente përralla… Shumë përralla… Megjithëse nëna ime e mirë dhe e butë më la shumë shpejt, unë edhe sot e kësaj dite e kam të freskët mënyrën sesi i rrëfente ajo përrallat. Ishte si një nanurisje e ëmbël, një nina-nana e një zë i ngrohtë si gurgullimë, që më shpinte, s’di se si, në “djepin magjik” të botës së përrallave. E quanin Mari nënën time dhe, ndoshta, kishte diçka nga Shën Maria, diçka të butë, të butë… të ëmbël, të ëmbël… Dhe qe rritur në një qytet të çuditshëm nëna ime, që e quanin Berat; jetonte në një lagje si nëpër përralla, që quhej Vakëf… Më dukej gjithmonë si një shenjtore, si Shën Maria, që rrinte vazhdimisht në këmbë, që na mbante nën krahë si klloçka zogjtë, që nuk flinte gjumë, po priste aty sa të na zinte gjumi të gjithëve. Ajo mbeti brenda syrit tim si një zë, si një pasuri a thesar i fshehtë, si diçka që ishte vetëm e imja, që rrinte thellë, shumë thellë meje… Nuk më lodhë kurrë malli duke e kujtuar… Më është fiksuar në tru e në shpirt se ishin pikërisht rrëfimet e saj ato përralla që thashë më sipër, të cilat ndezën tek unë dëshirën për të ndjekur më pas rrugën e bukur të artit…
Më pëlqenin të gjitha përrallat por, ato që më shoqëronin pothuajse gjatë gjithë natës, ishin përrallat me princesha. I bëja të gjalla “princeshat e mia” dhe ato vejevinin në mendjen time prej fëmije në gjithfarë aventurash të bukura. Dhe shpirti më mbushej. Përpiqesha t’i vizatoja me “lapsin e imagjinatës” dhe t’u jepja pamjen e vashave më të bukura që mund të përfytyroja, t’u jepja delikatesën e qëndrimit, hijeshinë e buzëqeshjes, modelin e flokëve, ecjen plot ledhka, ngjyrat e fustaneve që mund të vishnin, e plot e plot imazhe të tjera ëndërrore, të lehta si pupël, të holla si cipa lodruese e flluskave të sapunit, që e ngopnin kureshtjen time vetëm duke i ndërruar ato: herë bëhesha njëra e herë bëhesha tjetra…
Në atë kohë vendi ishte tepër i varfër. Në qytetin tim kishte baltë në dimër dhe pluhur në verë… Dhe shumë mushkonja që më pickonin e ma bënin mishin e bardhë të trupit pulla-pulla të kuqërremta. Nuk kishim lodra fare dhe Lariska ime s’kishte me se të lozte. Më tepër loznim shtëpiash dhe bënim sikur qerasnim njëra-tjetrën, si të mëdhenjtë, me tabaka përpara vetes, duke sajuar biskota prej balte. U jepnim formë të bukur biskotave që t’u pëlqenin mysafireve të mia. Pastaj, loznim kërcimin me litar, doemos zbathur, duke u hedhur përpjetë e duke ngritur pluhurin në qiell. Dhe pastaj vraponim sa të mundnim si të ishim të marrosura… Ja, këto qenë lojërat e mia, kaq qe jeta ime prej fëmije aso kohe. Kaq! Por, ama, ishim të lumtura. Po, po, të lumtura. Kjo është çudia e fëmijërisë. Varfërinë e kthen në pasuri, pamundësinë në mundësi, realitetin e vrazhdët në ëndërr të bukur. Ti ngopeshe me fantazitë që shoqëronin këto lojëra të pafajshme vajzash të mbyllura në avlli sesa me vetë ato. Ti fluturoje përtej tyre, në një tjetër realitet, përtej pluhurit dhe baltës, përtej mushkonjave, përtej mjerimit… Nuk më qortonte as nëna që jetoi fare pak e as babai që u martua për së dyti e solli në shtëpi fëmijë të tjerë, duke e bërë jetën tonë edhe më të zhurmshme. Im atë ishte njeri i thjeshtë, fjalëpakë dhe njerëzor, shiste peshk e fruta në qytet dhe vinte në shtëpi i lodhur.
Sikundër thashë, nënën time e quanin Mari dhe mbeti për mua një “Shën Mari” Kur unë mbusha të njëzetat dhe u bëra vetë nënë, im shoq Xhaviti më solli si dhuratë një kukull të bukur… Ishte kukulla e parë që shihja në jetën time. E vendosa mbi komodinën e dhomës së gjumit dhe ajo është aty edhe sot e kësaj dite, për të më rrëfyer sesa e varfër qe jeta jonë atëherë, kur as kukullat nuk i njihnim… Mbaj mend që qava nga gëzimi, kur gishtërinjtë e mi prekën më në fund një kukull! E ledhatova atë kur ngela vetëm dhe më rrëshqitën lot, lot të hidhur… lot të lumtur… Një ndjenjë e çuditshme kjo, ku ëmbëlsia dhe hidhësira rrinin bashkë. Por jeta më vonë më mësoi se këto të dyja te njeriu asnjëherë nuk ndahen, janë një duke qenë dy apo janë dy duke qenë një. Qofsh ti dhe në pallate të arta, brenda shpirtit tënd diku rri e përgjon ajo, hidhësira.
Qofsh ti dhe në humnera dhimbjesh e gjëmash të mëdha, kur syri s’të sheh kurrkund një copë qiell mbi kokë, por, ama, fshehtas shpirtit tënd diku rri e të pëshpërit ajo, shpresa. Pra, ëmbëlsia. Se qielli yt do hapet një ditë. Se retë do ikin. Se gëzimi e lumturia sërish do të bujtin te ti!… Prandaj njeriu, mendoj unë, siç e thotë dhe “Libri i Shenjtë”, duhet ta marrë jetën siç është, pa e humbur toruan, as në të mirë e as në të keqe. Ai, them unë, duhet të gjejë drejtpeshimin, duke i sfiduar skajet e shilarësi nga e keqja tek e mira dhe anasjelltas. Shkurt: Mos u hidhëro i hidhëruar, mos u gëzo i gëzuar! Sa i thellë ky postulat i “Librit të Shenjtë” Ky është, me një fjalë, ekuilibri i jetës, ekuilibri që të fal arsyeja, përvoja dhe fjala e urtë.
Kur më dërguan për herë të parë në shkollë ndjeva një gëzim të madh, ashtu këmbëzbathur siç isha, me fustanin e mbushur me luleshqerra dhe pa çantë… Se s’kishim as lapsa e as fletore. Kishim vetëm një dërrasë të vogël të zezë, ku shkruanim gërmat me njëlloj qymyri. Më mbrapa, nëna më sajoi një çantë prej një rrobe të vjetër që nuk i hynte më në punë dhe ma vari në qafë me një gjalmë prej lecke…
Mësuesen time e quanin Sofie, Sofie Kushi. Qe ajo e para që më mësoi të flasë, të recitoj e të këndoj bukur. Këto gjëra më dukeshin krejt të veçanta. Nuk më pëlqente fare të stolisesha, po vishesha thjeshtë dhe e mbaja veten me ato që kisha. Fati i jetimes më ndoqi pas për shumë kohë, bile edhe kur u bëra me vëllezër e motra të tjerë, me nënë tjetër. Oborri ynë i vogël, që kishte vetëm tre pemë, një fik, një pjeshkë e një kumbull, gumëzhinte tani nga zërat e dhjetë fëmijëve dhe kështu, aty në lagjen “Stan”, u bëmë si një stan me lepuj.
Qe një ditë e shënuar për mua kur do të recitoja për herë të parë në sheshin e qytetit të Lushnjës. Kisha marrë një fustan të ri dhe dridhesha e tëra. Pastaj, e mora veten. Poezia quhej “Vajza shqiptare” dhe unë nuk e dija se kush e kishte shkruar… Por, aty thuhej që vajzat shqiptare ishin të zonja e të bukura, se ato kishin lënë tërkuzën dhe kishin rrëmbyer shatin. Flitej se ato, vajzat shqiptare, siç isha edhe unë, iknin edhe jashtë shtëpisë, edhe jashtë qytetit, për të bërë punë vullnetare, që të ndërtonin “jetën e re” dhe “njeriun e ri”, – sikundër flitej. Kjo më tundonte, më frymëzonte. Ndoshta një ditë edhe unë do të ikja jashtë mureve të shtëpisë… do të arratisesha diku tutje… Ndoshta!…
Ishte viti 1949… Viti kur unë pashë për herë të parë një film dhe u shastisa fare, lëviza nga mend. Filmi quhej “Sllavica” dhe kishte si personazh kryesor një vajzë të shkathët, simpatike, që më mrekulloi shpirtin… Fill pas këtij filmi më erdhi roli im i pare, aq i dëshiruar. Qe një pjesë ruse me titullin “Katjushka”. Isha ende në shkollën 7 vjeçare dhe te ne vinte një regjisor me emrin Gëzim Libohova. Meqenëse personazhi kryesor aty ishte një vajzë ruse e bukur, ai më zgjodhi mua, ngaqë isha edhe unë shtatlartë, e bardhë dhe flokëverdhë, si ruset. Shfaqja doli mirë dhe me të bëmë një turne në Kuçovë, Fier dhe Patos. Sa herë që e sjell ndërmend Lariskën e vogël, bashkë me kujtimet e fëmijërisë, aq më tepër më ngjan se ato janë “zahire” për tërë jetën. Dhe unë i kam marrë ato me vete, si në baulet e pajës. Vetëm se nuk i lë të kyçura. Buron mirësi që aty… Ato kujtime e lidhje, një zahire e vënë mënjanë që herët, më ndihmojnë shpesh për të krijuar figurën e nënës, të gruas, të shoqes, si të tilla…
Dikur, jam shprehur se shikuesi im i parë ka qenë nëna ime… Nëna ime e mirë, pa e ditur se ç’është arti, e dalloi një shenjëz të tillë tek e bija. Ajo vuri re të bukurën që fshihej brenda meje. Dhe nuk më pengoi. Me modestinë e vet në gjithçka, më çeli rrugën. Ashtu sikundër do t’ia çelja edhe unë rrugën si nënë, djalit tim, Çimit, pra Ndriçimit, tridhjetë vjet më pas, pa e imponuar aspak, bile pa ndikuar tek ai si aktore që isha.
Eh!… Kjo Margaritë që keni përpara e që me nostalgji kujton rrugën dhe fatin e vet, si një Lariskë, nuk mundet të shqisë nga mendja e shpirti Lushnjën e saj të paanë, midis fushës, pa ndonjë formë të veçantë, pa shtëpi të larta, pa rrugë me asfalt, po me njerëz të urtë e të mirë. Katër nga shokët e mi të teatrit e të filmit i pata po nga Lushnja, si aktorët Ilia Shyti, Ferial Meçule (Alibali), Luan Qerimi, pa përmendur të katërtin, regjisorin e talentuar Kristaq Dhamo që më dha rolin e parë në filmin tim të parë, Zyrakën te “Vitet e para”. Dhe e pesta, e jashtëzakonshmja, qe Vaçe Zela…” E dyta “DIVË SHQIPTARE”, vokali i së cilës edhe sot ndjehet i fuqishëm, gjithëpërfshirës, pushtues zëmrash e ëndrash, jo më në atë hapësirë fushe të paanë të “Myzeqes”, po anë e kënd Europës!…. * Dhe kështu, rrëfimi i Margaritës, si një “DET me dallgë“ dhe si një “DIELL me rezëllime”, vazhdon të mbushë gjithë faqet e kësaj Monografie, që tashmë është në duart tuaja….Le të jetë ky shkrim i thjesht edhe URIMI MË I PARI në 90 vjetorin që po afron nga mërgimtari MIHO e Eleni PIQERASIOTE, nga ajo baranga ime në Koropi të Atikës, ku ti bujte me avionin që errdhi nga Tirana, tok me Josifin tim e Mirelën tonë që aq shumë më ndihmuan, që të jeni,- e dashur Margaritë,- edhe pjesë e kënaqësive të pafundme të Publikut të Athinës, nga ku duket ditën e natën Akropoli i Famshëm i Homerit të Verbër!…Por ne sikur merrnim DRITË NGA DRITA E BUKURIA YTE, MARGARITË, MOJ!/balkanweb/KultPlus.com