Sipas vlerësimeve paraprake, në Shqipëri janë dëmtuar 6000 pallate e banesa, 9000 banorë pa strehë

Në Shqipëri të dhëna ende paraprake flasin për të paktën 900 pallate dhe mbi 5100 banesa të dëmtuara nga tërmeti. Afër 9 mijë janë qytetarët, banesat e të cilëve u prekën dhe kanë pësuar dëme.

Disa dhjetëra shkolla në Tiranë, Durrës, Lezhë e Elbasan kërkojnë ndërhyrje përpara se të rinisë mësimi. Ndërsa në terren vijon vlerësimi i dëmeve. Presidenti Ilir Meta njoftoi sot se ka vendosur të thërrasë nesër mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Ende nuk ka një bilanc përfundimtar të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti I fuqishëm i ditës së martë, i cili goditi rëndë Durrësin, Thumanën e Tiranën, por nuk la pa prekur dhe qytete të tjera të vendit. Të dhënat vijojnë në përditësim e sipër, por ato paraprake që i përkasin mëngjesit të sotëm, flasin për 640 pallate dhe 4 mijë banesa të dëmtuara, nga të cilat 371 pallate dhe afro 2500 banesa të dëmtuara rëndë. Në Durrës numri rezulton më i ulët, por vetëm për shkak se këtu procesi i verifikimit ka nisur me vonesë, ndërsa ditët e para vëmendja ishte përqendruar të njerëzit e mbetur nën rrënoja. Në këtë qytet për momentin rezultojnë 185 pallate dhe afro 730 banesa të dëmtuara, nga të cilat 38 pallate dje 620 banesa të prekura rëndë.

Grupe ekspertësh të huaj të thirrur nga qeveria po vijojnë të vijnë për të ndihmuar në procesin e vlerësimit teknik të godinave, ndërsa godinat që janë gati duke rënë, kanë nisur të shemben nga autoritetet, siç ishte rasti i një hoteli sot në Durrës.

Deri më tani rezultojnë të jenë afër 9 mijë qytetarët e prekur nga tërmeti. Mbi 2300 janë sistemuar nëpër hotelet me të cilat qeveria ka bërë marrëveshje, ndërsa mbi 4800 të tjerë janë strehuar pranë të afërmve të tyre. Mbi 900 banorë janë ende në çadrat e ngritura nga autoritetet në disa lokalitete ndërsa mbi 800 kanë zgjedhur qendrat sociale.

Dëmet kanë prekur dhe shkollat, ku sipas asaj që referoi sot në mbledhjen e qeverisë, ministrja e Arsimit Besa Shahini janë 52 të tilla në Tiranë, Durrës, Elbasan e Lezhë, ku është e nevojshme që të ndërhyhet, përpara se aty të lejohet rifillimi i mësimit. Më vonë ministrja njoftoi se pezullimi i mësimit do vijojë edhe disa ditë në qytetet e prekura: “Në Qarkun Durrës, bashkitë, Durrës, Shijak e Krujë, mësimi mbetet i pezulluar deri më datë 9 Dhjetor. Në Qarkun Tiranë që përfshin bashkitë Tiranë, Vorë, Kamëz, Kavajë dhe Rrogozhinë, si dhe në Qarkun Lezhe që përfshin bashkitë, Lezhë, Kurbin dhe Mirditë, mësimi do jetë i pezulluar deri më datë 5 dhjetor, por ruajmë mundësinë për ta shtyrë dhe disa ditë të tjera në rast se nuk garantohemi se janë në gjendje të sigurt strukturore”

Për të diskutuar rreth situatës së krijuar presidenti Ilir Meta, njoftoi sot se ka vendosur thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke saktësuar se orari do të përcaktohet në varësi të situatës

Në mbledhjen e sotme të mëngjesit kryeministri Edi Rama përsëriti ftesën për opozitën që të ulen se bashku për të dhënë një sinjal bashkimi e qetësie ndaj qytetarëve.

Një ditë më parë kryetari demokrat Lulzim Basha i pyetur rreth kësaj ftese tha se “tani nuk është koha as për politikë, as për propagandë. Gjëja e vetme me të cilën po merremi ne është të jemi afër njerëzve dhe kjo është ajo që duhet të bëjë çdokush tjetër”

Por sipas zotit Rama “unë nuk e kuptoj ç’domethënë që të ulen në tryezë e gjithë përfaqësia e njerëzve të zgjedhur të këtij vendi qenka propagande. Propagandë është të lësh njerëzit në pasiguri, kur ke mundësi të bësh më shumë dhe ndërkohë flet për gjëra që u takojnë të tjerëve, u takojnë njerëzve që janë në terren”, u shpreh ai gjatë mbledhjes së qeverisë./VOA/ KultPlus.com