Ishte themeluar në vitin 2003, pikërisht dy vite pas sulmeve terroriste në New York, me qëllim të mbështetjes së popullit amerikan, por edhe të nxjerrjes së talenteve të rinj, shkruan KultPlus.
Ky ishte festivali 9/11 Dedication Film Festuval, i cili për trembëdhjetë vjet solli mbi 100 filma të metrazhit të shkurtë në Kosovë, për tu bërë kështu një institucion në vete sa i përket realizimit të filmit.
Mirëpo, edhe pse konsiderohej si një ndër festivalet më të suksesshme në Kosovë, duke marë parasysh se përpos garës, në këtë festival edhe prodhohej, qysh nga viti 2016 ky festival ka ndalë rrugëtimin, si pasojë e mosmbështetjes nga ana e institucioneve.
Drejtori i këtij festivali Blerim Gjoci, në një intervistë më të hershme të dhënë për KultPlus pat thënë se ky festival ka pasur si mision që të forcojë miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ju treguar që ne jemi popull mirënjohës, por misioni i tij më i shenjtë, sipas Gjocit ka qenë që t’i zbulojë talentet e rijnë, njerëzit që nuk kanë qenë të njohur por, që kanë pasur ide. Shterimi i buxhetit dhe largimi i Gjocit nga Kosova janë dy arsyet kryesore të shuarjes së këtij festivali./KultPlus.com